Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

Gishtat e Inës që u flijuan për gishtat që numërojnë miliarda!

Gishtat e Inës që u flijuan për gishtat që numërojnë miliarda!

Nga Poli Hoxha - 23/11/2018

Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme, duke vazhduar edhe në ditën në vazhdim, një kor gjigant vajtocash politiko-mediatike me në krye Edi Ramën kanë qarë e shkulur leshtë e kokës, për gishtat e polices Ina.

Vajza e shkretë ishte çuar ‘mish për top’ në skalion të parë, përpara qindra qytetarëve të tërbuar nga talljet, fyerjet dhe shurdhëria e pushtetit, pa uniformën speciale për këto raste, vetëm me duar në xhep.

Por kjo është tjetër histori dhe nëse ka prokurori dhe sektor hetimor brenda policisë, ata që urdhëruan dhe drejtuan shërbimet me rastin e kësaj proteste, duhej të ishin sot me pranga në duar.

Gjithsesi fatkeqësia e polices Ina, gjaku i saj nëpër gishta dhe fytyrë i dha një mundësi të artë Edi Ramës, që ta përdorë atë vetëm siç mund dhe di ai. I gjithë kori i vajticave të Rilindjes lëshoi deri në kupë të qiellit kujën për Inën, që jeton në shtëpi me qira, me rrogë 40 mijë lek në muaj dhe me paratë e orëve të zgjatura në shërbim, ende të pa mara.

 Me vetëm një qëllim e synim, të ftohtë si milionat që fitojnë pas çdo ‘pune publike’; për të kompleksuar protestuesit dhe opozitën.

Në këtë kontekst makabër, ndërkohë që Edi Rama shkonte për herë të dytë në Spitalin Ushtarak për tu frymëzuar nga gjaku i Inës, njeriu që ka ngjyer gishtin (këta gishta mbron në fakt policia e Ramës sot) direkt në projektin korruptiv që rrezikon të futet në manualet botërore, vetë Damian Gjiknuri lëshoi mbrëmë në emisionin e Sokol Ballës, pak a shumë këtë shprehje, që zbulon gjithçka;

Këta protestues përpara parlamentit janë kërma...kurse opozita që i mbështet; hienë që synon të ushqehet me ta!

Nëse ju kujtohet, 9 vite më parë, (2009), gjatë zbatimit të projektit të Unazës së Vogël të Tiranës, një grup deputetësh të Partisë Socialiste që ishte në opozitë atëherë, bënë një luftë të vërtetë me policinë e shtetit. U përleshën ashpër me uniformat blu dhe bënë namin, për të mbrojtur shtesat pa leje të një pallati abuziv, të ndërtuar me firmën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, që në atë periudhë njihej, edhe si ‘mister 20 përqindëshi’.

Ishte prona e mikut të ngushtë (kunatit me letra), të kryetarit të tyre Edi Rama; Dash Pezës, njëkohësisht deputet. Atëherë prona abuzive e Pezës ishte ‘e shenjtë’, sot qindra shtëpi të banorëve të Astirit janë ‘të jashtëligjshme’.

Në dhjetor të vitit 2009, policët që zbatonin ligjin ishin ‘kriminelë të Saliut’, sot janë heronj dhe ‘viktima të Lulit’.

Ajo që shumëkush nuk e kujton sot; është se pallatit të mikut të Edi Ramës ‘nuk ju pre asnjë gisht’. Por mbi të gjitha nuk u pre e as u prek, asnjë nga gishtat që numëronin 20 përqindëshat që rridhnin lumë, nga katrahura e ndërtimeve abuzive në kryeqytet.

Dhe ja ku jemi sot; gishti i ‘mister 20 përqindëshit’ që është shndërruar në ‘Mbreti PPP’  drejtohet mbi qytetarët, që duan vetëm një çati mbi kokat e fëmijëve; Jeni kërma!

Por dhe mbi opozitën; Hiena që ushqeheni me këto kërma!

Nëse del në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe pronës publike; je ushqim e gjak për opozitën vampire. Po ulërite për qindra milionët e Vilmës, Salillarit, Fushës e ‘Malit’, të cilat rrjedhin në rënie të lirë nga buxheti i shtetit drejt e në llogaritë e tyre, je kërmë për të ushqyer ambiciet e Lulit e Saliut!

Në gjithë këtë histori ka gjithsesi një të vërtetë. Nëse shqiptarët nuk do të kuptojnë, se çfarë është ai guxim e ajo fuqi që i shtyn francezët e gjermanët ‘ e varfër’ për të hedhur shishe më benzinë pa asnjë kompleks se po djegin shtetin e tyre kur ju preken vetëm pak centë në xhep, atëherë shumë shpejt do të jemi të gjithë kërma, në kuptimin real të fjalës. Dhe kërmat nuk i lënë pas ‘hienat’, por ujku që duket se është në fazën e fundit të kërdisë që po bën; mbi ‘vathën’ Shqipëri!

Gishtat e Inës fatkeqe që u bënë theror, për gishtat që numërojnë miliardat e thertores me 3 milion ‘dele’!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco