Mesazhet perëndimore për Tahirin e Dakon,  por edhe për Ramën

Mesazhet perëndimore për Tahirin e Dakon, por edhe për Ramën

Nga Shënim - 22/11/2018

Publiku shqiptar është i bindur se edhe Tahiri edhe Dako janë të lidhur me klane mafioze dhe kanë bërë pasuri marramendëse, sigurisht duke blerë edhe vota nën orkestrimin e Ramës dhe që ai të bëhet kryeministër. Ndonëse njerëzit e thjeshtë, por jo vetëm, nuk kanë shumë të dhëna për të bërë akuza ligore-penale, ata shikojnë se çfarë jetë “përrallore” bëjnë këta individë dhe me çfarë personazhesh të botës së krimit shoqërohen ata çdo ditë, presin në zyra e kafe, drekojnë apo darkojnë së bashku. Apo çfarë nuk dëgjojnë nga enturazhi që u qëndron pranë për ti shërbyer apo për të përfituar nga këto klane mafioze. Shikojnë veshjet, makinat luksoze, udhëtimet me jahte në det apo udhëtimet jashtë vendit për të parë ndeshje e spektakle të rëndësishme në Europë apo gjetiu. Por opinioni i këtyre njerëzve të thjeshtë ndonëse shumë i rëndësishëm nuk mjafton për të ndëshkuar këta individë që kanë marrë peng shtetin për interesat e tyre personale. Për më tepër që njerëzit e thjeshtë ndjehen të pafuqishëm përballë këtyre lubive me pushtet e pasuri dhe ose emigrojnë ose ju servilosen; për një kafshatë buke.

Tahiri e Dako, personazhe tipikë të Rilindjes

Tahiri dhe Dako janë personazhe tipikë të një klani të madh politik që quhet Rilindje dhe drejtohet nga Edi Rama. Ky klan kontrollon gjithçka, ndërkohë që Dako e Tahiri kanë kontrolluar ose kontrollojnë, me porosi të Ramës dhe nën orkestrimin e tij, përkatësisht një qark të rëndësishëm  apo një sektor prioritar. Njëkohësisht Dako e Tahiri janë mburrur në publik nga Rama edhe tani janë në duart e drejtësisë mbrohen prej tij. Pra Rama, Dako e Tahiri janë bashkë në gjithçka dhe për gjithçka. Dhe për këtë arsye, njerëzve të thjeshtë këta ju duken të pathyeshëm dhe të përjetshëm në pushtet, Sepse këta, përmes varfërimit dhe kërcënimeve policore kanë ngulitur në mendjen e shumë njerëzve të thjeshtë se vëndi qeveriset nga një grusht njerëzish që kontrollojnë pushtetin politik, ekonomik, mediatik, shoqërinë civile, dhe më së fundmi edhe drejtësinë e kanë tentuar të komprometojnë disa zyrtarë të lartë në komunitetit ndërkombëtare, e madje pasi kanë kërcënuar opozitën e kundërshtarët,  janë përpjekur dhe ja kanë arritur të kthejnë në fasadë një pjesë të opozitës. Njerëzve të thjeshtë iu ka mbetur ose të emigrojnë ose ti bashkohen veprimeve të opozitës ose të presin ndërhyrjet e partnerëve ndërkombëtarë.

Lidhja e Sajmir Tahirit me Habilajt

Ambasada e SHBA bëri një deklaratë ku stigmatizohej Sajmir Tahiri i mbrojtur para pak kohësh nga Edi Rama që krijoi përshtypjen se Tahiri është i pafajshëm dhe së shpejti i “pastruar” do të rifutet në lojë, madje agresivisht me revolverin e “Zërit të Popullit” në dorë duke iu ribashkuar Rilindjes. Kurse Tahiri, përmes një reagim shpalosi një qëndrim të qartë anti-amerikan, ndërkohë që ambasada e SHBA nuk godiste vetëm Tahirin por edhe mbrojtësin e tij, Edi Ramën. Pra ambasada bënte të qartë se “priste” vazhdimin e hetimeve të thelluar dhe ndëshkimin e tij, ndryshe nga Rama që kishte bërë me dije publikun se Tahiri i pastruar do të rifutet në lojë agresivisht. SHBA mesa duke i zotëron të gjithë informacionet për lidhjet e Tahirit me klanet mafioze dhe nuk mund të pranojë që imazhi i SHBA në sytë e publikut shqiptar të cënohet në një rast të tillë. Për më tepër duket se SHBA do ti tregojë shqiptarëve se nuk është e vërtetë që Rama e kontrollon drejtësinë për tu përdorur prej tij në raste të tilla si i Tahirit. Pra deklarata ishte edhe një sinjal për Ramën, përmes të cilës mund të nënkuptohet se “SHBA e ka shumë të qartë se çfarë ka ndodhur me reformën në drejtësi dhe çfarë konkretisht ka bërë Rama për të vënë nën kontroll gjyqësorin e prokurorinë, por mos u shqetësoni se gjithçka është nën kontrollin dhe është përcaktuar caku që Rama smund ta kalojë”. Ndëshkimim e Tahirit e “pret dhe mirëpret me padurim” edhe kundërshtari i tij për postin e trashëgimtarit. Por jo vetëm amerikanët. por edhe gjermanët, presin apo mirëpresin me kureshtje thellimin e hetimeve dhe sundimi e shtetit ligjor për më tepër që Tahiri ka kërcënuar Ramën më dosjen Xibraku ku mendohet se është implikuar edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit. Një dosje e mbushur me të dhëna nga partnerët gjermanë por që mesa duket nuk shkoi deri në fund se Rama e Tahiri e dekonspiruan operacionin ndërkohë që Tahiri kërkon ti përdorë informacionet gjermane kundër Ramës. Të gjitha këto të shtyjnë të mendosh se sundimi i ligjit do të aplikohet me rigorizitet për rastin Tahiri.

Lidhja e Vangjush Dakos me Avdylajt

Për zbulimin dhe ndëshkimin e lidhjeve të Vangjush Dakos me familjen Avdylaj por mbi të gjitha për përdorimin e tyre për manipulimin e zgjedhjeve, ku duket se porositë janë dhënë nga Rama, duket se janë direkt të angazhuar shërbimet gjermane. Dako rezulton nga investigimi i dosjes 339/1, i lidhur ngushtë me këtë familje dhe ndëshkimi duket një çështje kohe. Rama e ka të qartë implikimin e Dakos dhe duket e ka lëshuar Dakon por po tenton ta shpëtojë nga ndëshkimi penal për shërbimet që i ka bërë por edhe nga fakti se Dako mund të flasë dhe të tregojë për lidhjet me Ramën. Rama nuk e ka problem bashkinë e Durrësit dhe është i gatshëm të lejojë “konkurimin fair” në Durrës, madje duke mos futur në lojë si kandidat për kryetar të bashkisë Durrës as mikun e ngushtë të Dakos, kryetarin e OSHES, që Dako ka menduar ta lërë si pasues për të mbuluar për një farë kohë zullumet e tij. Për Ramën nuk përbën shqetësim humbja e bashkisë së Durrësit nëse vala e goditjes nuk i afrohet atij. Por insiston për momentin të shpëtojë Dakon nga burgosja duke përdorur prokurorinë thjesht se e njeh shumë mirë që Dako nuk mban shumë presion dhe mund të nxjerrë gjithçka di edhe kundër Ramës. Aq më tepër që Ramën e kërcënojnë edhe Avdylajt për Gjushin të cilit i kanë shërbyer edhe me porosi të tij. Për rastin e Gjushit, edhe amerikanët do të prisnin me interes thellimin e hetimeve dhe sundimin e ligjit për të shkatërruar lidhjet e pushtetit vendor me kriminelët e trafikantët, aq më tepër që kjo lidhje është përdorur për të blerë votat.

SHBA e Gjermania nuk do të lejojnë që Rama të kontrollojë drejtësinë

Njerëzit e thjeshtë duhet të kenë parasysh gjithashtu se amerikanët e gjermanët nuk kanë lejuar dhe nuk do të lejojnë më që të dëmtohet imazhi i tyre në sytë e shqiptarëve dhe që drejtësia të vendoset nën kontrollin e Ramës. Por duket se amerikanët e gjermanët do të veprojnë fuqimisht me mbështetjen e tyre të fuqishme kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë apo lidhjeve të qeveritarëve me klanet mafioze, si në rastin Tahiri apo Dako. Aq më tepër që është vënë në dyshim edhe imazhi i këtyre partnerëve të angazhuar fuqimisht për reformën në drejtësi, dhe ndërkohë që vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë dhe Rama me sjelljen e tij ka krijuar percpetimin se e kontrollon tërësisht gjyqësorin dhe mund të bëjë çfarë të dojë, të bëjë gjueti shtrigash kundër opozitarëve dhe të shpëtojë anëtarët e qeverisjes së tij apo anëtarë të klaneve mafioze në shërbim të pushtetit të tij.

Syri.net/ 22 nëntor 2018

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco