Salillari, Ramallari dhe tre milionë rrota …ari

Salillari, Ramallari dhe tre milionë rrota …ari

Nga Andi Bushati - 20/11/2018

Monika Kryemadhi ka lëshuar sot një apel në protestën e Unazës së re, që kompania Salillari dhe Edi Rama të mos guxonin të prishnin shtëpitë e banorëve. Ajo shtoi, aty për aty, se kjo firmë ndërtimi rrugësh “po i merr të gjitha, që mos u ngoptë inshalla”.

Pavarësisht se Salillari mund të ketë qenë njësoj i pangopur edhe në kohë të PD edhe në kohë të LSI-së, e shkëputur nga sfondi kohor, ideja se ai po i rrëmben të gjitha duket e drejtë.

Tani, me dokumenta ne kemi të vërtetuar se tenderi 40 milionë eurosh i Unazës së re është zhvilluar me një garë fiktive, ku një ndërtues i vetëm, “Vëllezërit Hysa”, ka marrë pjesë në konkurimin e tre loteve të kësaj rruge, gjithsej 2.2 kilometra, duke zhdukur çdo lloj ndershmërie.

Natyrisht, këtu gjithkush mund të dyshojë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive. Gjithëkush mund të hamendësojë, po ashtu, se sa miliona euro mund të ishin kursyer nga një tender i drejtë dhe se si ato mund t’i kishin kompensuar të gjithë banorët që sot po flaken në rrugë.

Pra, siç shikohet, deri këtu ironia është therrëse.

Nga njëra anë kemi Rilindjen, që tregohet dorëlëshuar me klientët e saj, të cilët fryjnë faturat e tenderave fiktivë, e që bëhet cingune për dëmshpërblimet e qytetarëve të mjerë që do t’u shembë shtëpitë.

Në anën tjetër kemi LSI-në (pa përjashtuar këtu edhe demokratët) që u bën thirrje ish klientëve të saj, që tani po punojnë me Ramën: “Boll, se nuk u ngopët”!

Por, kulmi i kulmeve të kësaj balloje me maska gjendet diku tjetër. Atë e zbulova papritur duke lundruar në internet, për të qëmtuar lidhjet e kompanisë Salillari me pushtetet e ndryshme politike. Dhe imagjinoni ç’më doli para syve. Një video e botuar nga ERTV (shiko videon poshtë), ku Edi Rama shfaqej në rolin e bamirësit. Ai kishte qenë disa muaj më parë në Marikaj të Vorës, ku si kryeministër i një vendi të begatë, paskësh zbuluar një familje në skamje.

Natyrisht, kryeministrit që i digjet shpirti për të varfërit (ky qe një nga slloganet e ardhjes së tij në pushtet në 2013) nuk mund ta duronte këtë. Prandaj ai ndërmori një nismë. T’i ndërtonte shtëpinë asaj familjeje dhe të punësonte kryetarin e saj.

Këto premtime, të bëra realitet, duken edhe në videon e transmentuar në ERTV. Shtëpia po ndërtohet dhe i zoti i saj tashmë ka veshur jelekun e punës në një firmë ndërtimi.

Por, po t’i shikosh pamjet me kujdes, vëren një tallje shembullore. Ai burrë i ngratë është punësuar tek Salillari dhe shtëpinë e tij po e ringre nga e para po kjo firmë. Pra e njëjta që nga Monika akuzohet se po rrëmben gjithçka, nga Edi reklamohet si bamirëse.

Me një llogari të thjeshtë, del se shtëpia e Marikajt po ndërtohet me një thërrmijë nga milionat që “tepruan” nga tenderi zemërgjerë i Unazës së re, i cili po hedh në rrugë të madhe së paku 317 familje.

Dhe këtu sarkazma mbërrin kulmin.

Sepse, loja politike me kundërshtarët që akuzojnë njëri- tjetrin se po vjedhin me të njëjtët klientë, në këtë moment cek fundin.

Pas saj, po hymë në një fazë të re, ku këta oligarkë që kanë bërë namin edhe majtas edhe djathtas, shiten si vlera. Motoja e kësaj fabule është e thjeshtë: ne ju fusim thikën deri në palcë, por ama nuk ju lëmë të vdisni për bukën e gojës. Ne jemi ata që zhysim në xhepa paratë e qindra familjeve që u prishen shtëpitë, por publiku duhet të na njohë si bamirës të të varfërve.

Pikërisht kjo është faza terminale e një procesi të kahershëm degjenerimi. Ndërsa për vite me radhë “salillarët” e kanë bërë emrin e tyre të rimojë me të gjithë liderët, që i kanë lënë vendin njëri- tjetrit, tani, në kohën e dyshes Salillari-Ramallari, po kërkohet që kësaj lidhjeje t’i jepet edhe një tis fisnikërie. Jemi në pikën kur grabitësit po tentojnë të hiqen edhe si bamirës, duke i trajtuar tre milionë shqiptarët e tjerë si idiotë. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

bert gjondeda20/11/2018 18:06

ke t drejte Andi keta jane hajdur me t medhenje qe ka pare histotia. mase i qihet ropt edi rames etj.. do zoti u vdesin femir e tyre qe tu dhembi shpirti dhe t behen pak me t dhimsur

Shto koment

Denonco