Nuk ishte shah, por bllof. Si dështoi Rama për të përfshirë presidentin, në shkeljen e Kushtetutës

Nuk ishte shah, por bllof. Si dështoi Rama për të përfshirë presidentin, në shkeljen e Kushtetutës

Nga SYRI.net - 16/11/2018

Lëvizja e fundit e presidentit, Ilir Meta, duke dekretuar lirimin e Sandër Lleshit si Gjeneral Brigade përkon me atë që ai la për të kuptuar në intervistën e mbrëmshme me gazetaren, Eni Vasili se po bashkëpunohet me ministrinë e mbrojtjes për të gjetur një zgjidhje pozitive, por kushtetuese.

Mos dekretimi për herë të parë në historinë pluraliste të një ministri nga ana e presidentit të vendit, krijoi një pështjellim të madh dhe dukej sikur vendi po futej në një krizë institucionale.

Vetë kryeministri Rama dhe gjithë enturazhi i tij mediatik e politik, ndërmorën një fushatë të paprecedentë, për ta bërë të zezën të bardhë. Pra loja “ e shahut” u luajt sikur ishte presidenti, ai që po shkelte Kushtetutën. Dhe e gjitha kjo në mungesë të të vetmit arbitër, që është Gjykata Kushtetuese.

Por Ilir Meta me qetësi dhe vendosmëri, pasi e kuptoi se kishim të bënim me një blof për ta përfshirë edhe atë në shkeljet sistematike që kryeministri i bën ligjit dhe vetë Kushtetutës, këmbënguli, për të kundërtën; Jam pikërisht unë, që po mbroj Kushtetutën.

“Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit. Vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience si kryeministër dhe si kryetar Kuvendi.

E di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. E di edhe nga pozita e kryeministrit. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ”, deklaroi mbrëmë presidenti për këtë çështje.

Pas kësaj, duket se ditën e sotme është mbyllur me sukses edhe “bashkëpunimi institucional”, që Meta përmendi dje duke i hapur kështu rrugë me dekretin e sotëm emërimit si ministër i Brendshëm, Sandër Lleshit. Këto zhvillime treguan se “kleçka” e gjithë asaj situate të ngarkuar qëndronte pikërisht te ekzekutivi dhe vetë kryeministri Rama, i cili kërkonte të bënte me arrogancë dhe urdhër personal ministër, një gjeneral aktiv në shkelje të plotë të çdo ligji dhe të Kushtetutës së Republikës.

Kërkesa për lirimin e Lleshit, ju çua presidentit nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu për lirimin e tij si gjeneral, ka pasur një kërkesë publike edhe nga kryeministri Rama, por duhet theksuar se këto hapa u ndërmorën vetëm pasi presidenti zbatoi herën e parë Kushtetutën dhe refuzoi firmosjen e një dekreti që përbënte shkelje të rëndë.

Fillimisht kryeministri, edhe përse e dinte se emërimi i Lleshit ministër i Brendshëm ndërkohë që gëzonte gradën gjeneral ishte antikushtetues, tentoi që të përfshinte edhe presidentin në këtë shkelje të rëndë. Por ky i fundit edhe pse situata u politizua, vendosi që të lexojë Kushtetutën me lupë, duke e kthyer mbrapsht emrin e Lleshit.

Kështu Edi Rama edhe pse pretendon se ishte duke luajtur “shah”, në fakt tentoi të luajë blofin e pokerit me Ilir Metën president, duke tentuar që ta trajtojë atë si një “noter” apo “ceremonial”, edhe kur kryeministri shkel Kushtetutën.

 Ky po, që do të ishte precedent!

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Loni16/11/2018 19:55

Interesnat me keta te portalit "Pamfleti.net"! Duke qene se kane te bejne me nej katolik per minister te brendshem, i bashkohen arrogances antikushtetuese te Kryeministrit Rama, edhe pse e dine dhe e kritikojne cdo dite Ramen per anti ligjor e antkushetetues per shume veprime te tjera te tij. Vetem pse Zefi i ketij portali eshte katolik, prandaj dhe e mbron ne menyre te verber veprimin antikushtetues te Rames.

Ilir16/11/2018 14:50

Meta eshte kap shah mat nga rama. Eshte e dukshme

Shto koment

Denonco