Pse po i paguajmë kaq shtrenjtë koncesionet?

Pse po i paguajmë kaq shtrenjtë koncesionet?

Nga Klodian Tomorri - 14/11/2018

Veçanërisht në dy vitet e fundit qeveria shqiptare flirtoi rëndë me kontratat e Partneritetit Publik-Privat duke koncesionuar në seri një sërë veprash dhe shërbimesh publike tek privatët.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Ministria e Financave, angazhimet që buxheti ka marrë nga PPP-të e miratuara deri më tani kanë arritur në 253 miliardë lekë ose rreth 2 miliardë euro.

Këto para duhet të shlyhen brenda 13 viteve të ardhshme dhe tani që kontratat janë nënshkruar vjen momenti i shpagimit; buxhetit i duhet të bëjë llogaritë me faturën.

Për të financuar faturën 2 miliardë euro të koncesioneve në 13 vitet e ardhshme, qeveria ka dy rrugë; ose të rrisë taksat me 200 euro në vit për çdo familje ose të shkurtojë shpenzimet publike me rreth 150 milionë euro në vit duke i hequr këto para nga shëndetësia, arsimi apo shërbimet e tjera publike.

Pra nga një këndvështrim, koncesionet nuk janë asgjë tjetër përveçse konsum i së ardhmes. Por a është kjo mënyra më e mirë për të financuar investimet apo shërbimet publike? Përvoja e vendeve të tjera ka treguar që jo. 

Dobësia kryesore e PPP-ve është kostoja e lartë që ato u ngarkojnë taksapaguesve. Në shumicën dërrmuese të rasteve, PPP-të janë mënyra më e shtrenjtë për të financuar një vepër ose shërbim publik dhe diferencat me mënyrën klasike të prokurimit, atë të tenderit janë stratosferike deri në dyfish. Kjo është një kosto shtesë, e cila buron nga disa zëra. 

Së pari janë kostot e kapitalit. Kur një rrugë ndërtohet me PPP, koncesionari privat merr hua në bankë dhe përvec kostos së ndërtimit të rrugës, i ngarkon qeverisë edhe koston e interesave. Por për shkak se kompanitë private kanë risk më të madh, interesat me të cilat bankat u japin borxh atyre janë shumë më të larta se sa ato me të cilat kreditojnë qeverinë.

Një vitin 2015, një raport i Zyrës Britanike të Auditimit konstatoi se norma efektive e interesit në kontratat e Partneritetit Publik Privat ishte mesatarisht 7-8 për qind nga 3-4 për qind që ishte huamarrja e qeverisë. Me fjalë të tjera kosto e financimit të një vepre me Partner-Privat është dy herë më e lartë se sa financimi i drejtpërdrejtë më huamarrje publike.

Ndryshime të vogla në koston e kapitalit kanë impakte të jashtëzakonshme në vlerën finale të një investimi. Për krahasim, në rrugën Orikum-Dukat, kostoja totale e interesit për periudhën 13 vjeçare është 20 milionë euro. Nëse ky projekt do të financohej me huamarrje publike atëherë kosto e interesit që do të paguhej nga qytetarët do të ishte do ishte më pak se 12 milionë euro.

Së dyti, veç kostos së kapitalit, arsyeja e dytë se pse PPP-të janë më të shtrenjta nga projektet e financuara me mënyrën tradicionale është kostoja e ndërtimit. Një analizë empirike që krahasoi çmimet e ndërtimit të 277 rrugëve në Europë gjeti se vlera e tenderuar e ndërtimit për segmentet me PPP ishte mesatarisht deri në 24 për qind më e lartë se sa vlera e tenderuar e projekteve me tender publik, duke mbajtur të gjithë faktorët e tjerë të pandryshuar.

Së treti, kontratat me Partneritet Publike Privat kanë dhe një tjetër kosto shtesë, që është norma e kthimit. Kompanitë private që marrin një koncesion kanë vetëm një qëllim, të realizojnë fitim. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit në Britani, normat e kthimit për investitorin privat varion nga 12 deri në 15 për qind e vlerës se projektit. Ky fitim do të financohet nga taksapaguesit duke rritur koston totale të projektit.

Në fund, veç kostove direkte më të larta, kontratat e Partneritetit Publik-Privat kanë dhe kosto të fshehura. Këto kosto materializohen në formën e detyrimeve kontigjente, kostove të transaksionit për përgatitjen e koncesionit dhe ato që burojnë nga mungesa e konkurrencës. Këto janë vetëm disa nga arsyet kryesore se pse qytetarët shqiptarë do të paguajnë për 5 akset që do të ndërtohen dhe mirëmbahen me koncesion të paktën 300 milionë euro më shumë nga sa do të paguanin nëse këto akse do të ndërtoheshin drejtpërdrejtë nga qeveria. 

Fatura e koncesioneve është e shtrenjtë, ndërsa risqet që ato sjellin për financat publike janë të mëdha. Nga këndvështrimi kontabël, kontratat e PPP-ve janë një mekanizëm që zhvendos barrën financiare ose deficitet dhe borxhin në të ardhmen. Edhe pse detyrimi për arkën publike ka lindur që në momentin kur nënshkruhet kontrata e koncesionit, shpenzimet në librat e qeverisë shfaqen vetëm atëherë kur buxheti nis të kryejë pagesat për llogari të koncesionarit privat.

De facto ky është një operacion i fshehjes së borxhit publik, i cili minon disiplinën fiskale duke inkurajuar riskmarrjen dhe shthurjen e financave publike. Prova për këtë është e thjeshtë. Nëse koncesionet do të regjistroheshin si detyrim i qeverisë, ashtu siç janë në të vërtetë, sot borxhi publik i Shqipërisë nuk do të ishte 71 për qind, por plot 90 për qind e Prodhimit Kombëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

keli15/11/2018 18:03

Analize shume e mire, por desha te shtoj se ka edhe burime te tjera per rritjen e te ardhurave qe sigurohen nga rritja ekonomike qe ne rastin vjen me venien ne prodhim te hidrocentraleve te Devollit, venies ne shfrytzim te zoned naftmbajtse te shpiragut, te ardhurat nga venia ne pune e TAP,burime te cilat mund te krijojne nje ekuiliber te ri midis te ardhurave dhe shpenzimeve pa synuar domosdosmerisht rritjen e taksave.

krasasi tp15/11/2018 12:27

Pra shkurt, qeveri(te) ja zbatojne shabllone te percaktuara nga oligarket dhe bankat meme, nderkohe qe votohen qe te qeverisin popullin e tyre qe t'ua bejne jeten me te mire.Tashti po e kuptoj pse qeveritaret shprehen ne parlament duke ju rikujtuar njeri tjetrit qe mos ta krruajne me X bank apo me X lob.Per mos tu perballur me to, as ne goje nuk i zene dot.Shpikja e fundit eshte populli te ushtroj sovranitetin , keta opozita te rrij ne bisht dhe kur te marr pushtetin te vijoj me te njejtin stil qeverises , me oligarket, per oligarket.

Arber15/11/2018 08:46

Dy miliarde euro per te ndertuar ca rruge qe nuk i duhen askujt. Rrofte qeveria

Shto koment

Denonco