Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Dashnorët e rremë të Kushtetutës

Dashnorët e rremë të Kushtetutës

Nga Andi Bushati - 05/11/2018

Nuk ka dyshim se Ilir Meta ka marrë jo vetëm një vendim të pa precedent, por edhe shumë të debatueshëm, duke vendosur të mos i dekretojë Ramës kandidaturën për ministër të Brendshëm.

Ai nuk ka ndjekur as trashëgiminë e paraardhësve të tij, që nuk kanë guxuar ta hedhin këtë hap dhe as shembujt më të mirë të presidencës së vet, kur ka shpjeguar me detaje aktet e forta që ka ndërmarrë.

Por këto pikëpyetje, që e bëjnë edhe më të mistershme “djegien” e Sandër Lleshit, sado të errëta qofshin, nuk e justifikojnë aspak kryqëzatën e ndyrë që të gjithë mbështetësit e Rilindjes kanë nisur kundër presidentit.

Sepse, po të shihet me kujdes, i gjithë mllefi i tyre buron nga një premisë: nga dashuria e tyre për ligjin themeltar të shtetit, i cili po u përdhoska nga presidenti që përfiton nga fakti se vendi gjendet pa Gjykatë Kushtetuese.

Duhet thënë që në fillim, se dashnorët e rinj të Kushtetutës, nuk flasin si konstitucionalistë, por thjeshtë si ramistë. Sepse po të ishin të merakosur për të parën, ata do ta kishin ngritur zërin me kohë.

Ata do të kishin folur kur çorba speciale e grabitjes Rama- Fusha u miratua në parlament, ata do të kishin reaguar kur ligjet kundër ish pronarëve ndryshuan sipas orekseve të pushtetit, ata do të kishin ngritur zërin kur marrëveshja e detit me Greqinë përparonte në fshehtësi nga publiku.

Të gjitha këto kanë ndodhur në mungesë të një Gjykate Kushtetuese dhe askush nga kritikët e sotëm të Ilir Metës nuk është ndjerë. Sepse atyre nuk u intereson ligji, por idhulli i tyre i paprekshëm.

Në fakt, i gjithë ky debat, që mund të zhvillohet vetëm nga një grusht i vogël juristësh të kualifikuar, i ngjan në thelb një diskutimi tejet më banal, që po gëlon në të njëjtat mjedise. Ato njëzëri po i referohen pjesëve nga libri KURBAN, ku Rama e përshkruan vëllanë e tij armik të së majtës, si një paranojak të çekuilibruar. Pra edhe këtu, ata e shohin fajin tek Meta, që në rastin e mosdekretimit po sillet fiks ashtu sikurse kryerilindasi e kishte portretizuar në vitin e largët 2011.

Kulmi i mungesës së sinqeritetit.

Sepse po t’i kishin besuar vërtet atyre që kanë lexuar në si biblën e tyre KURBAN, së paku do t’i kërkonin llogari, Edi Ramës, kur vendosi të bëjë qeveri me Ilir Metën në 2013, apo do ta bënin copë e çikë kur vendosi ta bëjë kryetar shteti në 2017.

Atëherë heshtën. Prandaj sot, sa herë që flasin, nuk e bëjnë nga besimi, por nga nevoja dhe nga hidhërimi.

Prandaj, nëse duam të diskutojmë për precedentin e fortë që ka vendosur presidenti, nëse duam të kuptojmë zërat pro dhe kundër tij, nëse mëtojmë të gjejmë arsyet e drejta apo të errëta të Ilir Metës, së pari duhet të bëjmë dy gjëra.

Fillimisht duhet të heqim mënjanë daullexhinjtë që bëjnë zhurmë për llogari të Edi Ramës. Dhe pastaj duhet të kërkojmë ringritjen e një Gjykate Kushtetuese, mungesa e së cilës nuk i shërbeka vetëm mëkateve të pafundme të kryeministrit. Ajo mund t’u përdorka njësoj edhe nga kundërshtarët e tij.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

seli05/11/2018 20:27

Ky "GAZETAR" eshte prototip i gazetareve te tymnajave . Ne nje emision i bertiste edvin droga dhe ky sillej si kalama sa qe nuk kishte mendim ! Nuk i punonte truri me nga frika ! Gjejne dhe bejne si gazetar ,artista , gjykate ,police ,ministra e lesh e li . Moster edvini , ky dhe soji ketyre . Gjith ate sakrifice te Shqipetareve duke rrezuar komunizmin ky dhe kelyshet si ky duan ta shumzojne me zero ! SA kemi pare ne si ky dhe kelysher si ky .

Shto koment

Denonco