Lajmi i fundit

INTERVISTË EKSKLUZIVE/ Zv. drejtori i RAI-t Sigfrido Ranucci i përgjigjet Kryeministrit Edi Rama

Vizë që Edi Rama ta kalojë Kthesën e Kamzës

Vizë që Edi Rama ta kalojë Kthesën e Kamzës

Nga Ilir Nikolla - 31/10/2018

Edi Rama e kapërceu kufirin. Në Qarkun e Kukësit, protestuesit kundër qeverimit të tij u krahasuan me kafshët në një kopsht zoologjik. Motivet lehtësuese që po përmenden orët e fundit, lidhur me momentin e vështirë që po kalon ai, lidhur me rritjen e gjasave që kabineti i tij të gremiset, lidhur me ekuilibrin e brishtë psikologjik, nuk mund të kapërdihen.

Në fakt, Edi Rama s’e ka për herë te parë këtë qendrim ndaj shqiptarëve që banojnë nga Kthesa e Kamzës e lart. Ai mbahet si ideologu i poshtërsisë “veriorët duhet të vijnë me vizë në Tiranë”, prodhuar sapo ai nisi fushatën për poltronën e kryebashkiakut në vitin 2000, dhe gjatë 11 viteve, qeverimi i tij vendor u shqua për segregacionin që vuri në zbatim në zonat e kryeqytetit (Laprakë-Kinostudio) që s’e kishin votuar dhe kishin përqendrim votuesish që vinin nga veriu.

Por shembujt e 2013-s e këndej janë edhe më të ububushëm. Listat e deputetëve të mbushur me elementë me precedentë penalë për zonat e veriut, si “nevojë që e imponon terreni” janë kuintesenca e këtij qendrimi. Por edhe propaganda si rrethanë lehtësuese se Edi Rama i bëri këto zgjedhje për arsye elektorale nuk pi më ujë.

Qeverisja e këtyre thuajse 6 viteve është shoqëruar nga një sjellje ekstreme antiveriore e Edi Ramës në rrobën e kryeministrit. Vetëm analiza e fondeve që Fondi i Zhvillimeve të Rajoneve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i grantit të pakushtëzuar që qeveria jep për bashkite flet mjaft për konstanten që karakterizon sjelljen e Edi Ramës ndaj zonave në veri të Kthesës së Kamzës. Shifrat janë aty (do të mediatizohen) dhe flasin për nivele të turpshme, rreth 1 përqindëshit që FZHR jep për Qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë. Njësoj janë statistikat për FSHZH-në.

Ky ofsajt na ndihmon të kuptojmë pse Edi Rama guxon t’i krahasojë protestuesit e Kukësit me një kopsht zoologjik. Nuk bën propagandë, e ka sjellje funksionale.

Por vija e kuqe u kalua. Trajtimi si kategori e dytë njerezore është një gjë, etiketimi i protestuesve si banorë të një Kopshti Zoologjik është një gjë tjetër. Politika mund ta denoncojë racizmin që Edi Rama aplikon në ndarjen e fondeve shtetërore, por prej deklaratës për “protestues zoologjikë” e drejta e eksesit kalon nga protestuesit përtej Kthesës së Kamzës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco