Mesazhet paradhënie të ‘Rilindjes’, për krimin e organizuar!

Mesazhet paradhënie të ‘Rilindjes’, për krimin e organizuar!

Nga Poli Hoxha - 22/10/2018

Në verën e vitit 2000, ministri i Rendit në qeverinë socialiste në atë kohë, Spartak Poçi, thirri në zyrë gazetarët e kronikës (edhe unë prezent) të gazetave dhe atyre pak televizioneve që operonin në treg në atë kohë.

Tema e kësaj konferencë për shtyp ishte bilanci i goditjeve, që  kishte bërë policia për rreth 40 grupe kriminale në të gjithë vendin. Pasi mbaroi së rendituri të gjitha ‘sukseset’, mes të tjerave një gazetare e shtypit të shkruar, e cila kishte ende familjen në qytetin e Lushnjes, e pyeti;

Zoti ministër-po me ‘Komisariatin Nr.2’-çfarë do të bëhet?

Për ata që nuk e dinë, si ‘Komisariati Nr.2’ në qytetin Lushnjes në atë kohë njihej banda e Alfred Shkurtit alias Aldo Bare, i cili ishte mjaft i ekspozuar si ‘krah i armatosur’ i Partisë Socialiste.

Përgjigjja surprizë e ministrit ishte; ‘Do ta mësoni, brenda këtyre 2-3 ditëve’!

Ikëm të gjithë nga zyra e ministrit, por unë ndryshe nga kolegët shkova pasdite në redaksi me një shije të hidhur dhe dyshim të madh, për fjalët e tij.

Në fakt pas pak ditësh, qindra forca policore të udhëhequra nga RENEA, mësyn në Lushnjë për të shkatërruar ‘komisariatin policor paralel’ të Bares, por kreu i bandës ndërkohë ja kishte mbathur si ‘piktor’, me anë të një vize kolektive artistësh, të marra nga Lidhja e Shkrimtarëve në ambasadën italiane.

Pas këtij operacioni të dështuar, e përditshmja ku punoja (‘Gazeta Shqiptare’) u hap me titullin e madh që ishte pak a shumë; ‘Ministri i Rendit, Spartak Poçi, ‘lajmëroi’ Aldo Baren, se do të goditej brenda 2 ditëve’.

Të gjitha këto mu kujtuan ditën e sotme, pasi dëgjova bilancin e policisë, për operacionin e madh ndërkombëtar ndaj organizatës Avduli dhe laboratorit të tyre të heroinës në Has, si dhe konfirmimit të lajmit se Klemet Balili sërish i kishte shpëtuar arrestimit, edhe pse kishte informacion ‘të sigurt’, se ku e kishte bazën.

Le ti marrim me radhë disa ‘koincidenca’, të ditëve të fundit.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, një javë më parë mblodhi zinxhirin drejtues të policisë dhe pasi u mbajti një fjalim të përsëritur duke sulmuar me fjalor rruge dhe kërcënues Nënkomisar Emiliano Nuhun, (si atëherë për rastin Zagani-Tahiri), lëshoi larg e larg edhe një ‘ultimatum’ për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

 ‘Unë nuk dua të presim të vijë ambasadorja amerikane, për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës, që Klement Balili nuk është kapur akoma’, deklaroi live kryeministri.

Tre ditë më pas, më datë 18 Tetor, pas një konferencë për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë gjermane, Diter Romann, ( i njohur në vendin e tij, si ‘hetuesi i hekurt’), ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pa e pyetur askush, u tha gazetarëve; ‘Këto ditë mbani veshët hapur dhe telefonat në punë, se do keni lajme…!’.

Faktikisht erdhën lajmet ‘e mëdha’!

 Pasi hetuesit gjermanë dhe agjentët e DEA i çuan policët e Xhafajt përdore në fshatin Brenog të Hasit, u kap laboratori i heroinës dhe nja 5 ‘ditëzinj’, që shërbenin si argatë në këtë biznes.

Tre ditë më pas u godit në Shijak klani ‘Avduli’ dhe i shkuan në shtëpi edhe famëkeqit, Lulzim Berisha, i cili merrej me kalimin e mallit drejt Gjermanisë. Në të njëjtën natë, qindra forca policore, zbarkuan në rrethinat e fshatit Starje në Delvinë dhe ‘rrethuan’ Klement Baliliin. Bën të njëjtën gjë edhe në Durrës për të kapur Lulzim Berishën, i cili deri një ditë më parë, e pinte kafen te lokalet vërdallë Bashkisë, ku bënte  ‘shefin e kuadrit’ dhe ‘vuloste’ leje e tendera.

 Por të dy u zhdukën si hije, njësoj si kokat e mëdha që kishin ngritur laboratorin e Hasit, ‘biznesmenët e fuqishëm’ me hotele në Shqipëri e Gjermani. Ngelën në rrjetë vetëm dy ‘peshq’ të keqpërdorur e të skuqur disa herë në vajin e njëjtë të Rilindjes, ish-deputetët Arben Ndoka e Arbe Çuko.  

Meqenëse jam i detyruar (për arsye të të qenit dëshmitarë në shumë ‘koincidenca’ të vjetra të ngjashme) të shkruaj në vetën e parë, për hir të së vërtetës unë nuk besoj, se Rama dhe Xhafaj me ato deklarata publike kishin si qëllim të njoftonin kokat e heroinës së Hasit, Lulzim Berishën e Klement Balilin; ikni se po vijmë tu kapim!

Do të ishte naive që të besoje, se Rama dhe Xhafaj do të dekonspironin në mënyrë publike aksionet e ditëve të fundit, aq më tepër kur pas tyre fshihen agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës dhe anti-krimit të organizuar. Mënyrat për ta bërë këtë gjë janë të pafundme, kur tashmë dihet se një pjesë e mirë e zinxhirit policor, por edhe në prokurorinë e Krimeve të Rënda; është në borderot e ‘peshqve të mëdhenj’.

Por pyetja është; çfarë i shtyn dy politikanë të lartë, numrat Një dhe Dy të qeverisë, që të lëshojnë deklarata të tilla publike disa ditë përpara ekzekutimeve të operacioneve kaq të rëndësishëm, për të cilët të huajt ndoshta kanë vite që investohen?!

Në cilin vend demokratik të botës ku ka shtet ligjor, kryeministri bën mbledhje me policët dhe u kërkon live me emra të përveçëm; lëvizni se na ka ardhur ultimatumi nga SHBA?!

Nuk ka zyrë Edi Rama, që të thërrasë drejtorin e përgjithshëm dhe ti përcjellë ultimatumin për Balilin në këtë rast?!

Rasti i Xhafajt është pastaj, edhe më skandaloz. Që kur është vendosur në atë detyrë, vetëm jep deklarata paradhënie për atë që do të ndodh në kohën e ardhme të pakryer. As Kryeministri dhe as Ministri i Brendshëm nuk kanë punë dhe tagër ligjor, që të merren me hetimet dhe operacionet policore. Ligji i ri për policinë e Shtetit, e përcakton qartë këtë gjë.

E shumta që mund të bëjnë është përkrahja politike dhe morale, për policinë; përgëzimi dhe shpërblim pas operacioneve të suksesshme!

Atëherë përse ndërhyjnë, pikërisht në kohën dhe vendin e gabuar dhe krijojnë ‘koincidenca’ si këto të ditëve të fundit?!

Rama live në TV përmend amerikanët ‘rastësisht’, për çështjen Balili, kurse Xhafaj menjëherë sa ndahet nga hetuesit gjermanë lëshon ‘proçka’ për telefona të hapur e për ‘një gjë të madhe’, që do të ndodhë brenda 2 ditëve. Të gjitha këto ‘paradhënie’ e pa ndonjë shkak, ndërkohë që DEA i ka shtrënguar rrethin Balilit, kurse Gjermanët kishin kopsitur laboratorin dhe kokat e trafikut të heroinës, drejt vendit të tyre!

Siç e thamë edhe më sipër, nuk ka nevojë Rama dhe Xhafaj të njoftojnë ‘peshqit e mëdhenj’ nëpërmjet medieve që t’ia mbathin, por një mesazh ama e kanë ‘për detyrë’ që tua dërgojnë; atyre në hall dhe  të gjithëve në bllok;

Më shumë nuk kemi çfarë të bëjmë; çfarëdo që të ndodh nuk kemi faj; tani janë futur në lojë ‘ATA’!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp22/10/2018 16:28

Ne rrezik e ne nevoje ,shoqi shoqin ta ndihmojme.Detyrime te ndersjellta.

Shto koment