Ballkani, vija e re e frontit midis SHBA e Rusisë

Ballkani, vija e re e frontit midis SHBA e Rusisë

Nga Gian Micalessin - 20/10/2018

Lamtumirë Dayton.

23 vjet pas marrëveshjeve që iu dhanë fund masakrave në Bosnjë, fantazmat e konflikteve etnike e fetare dhe frika e një lufte të re të tmerrshme kthehet të trazojë Ballkanin.

Nga Bosnja në Kosovë e deri në Maqedoni, tre ish-republika jugosllave teatër i luftërave civile dhe ndërhyrjeve të huaja midis 1992 e 2002, ndonëse në shkallë të ndryshme, urrejtjet dhe rivaliteti po kthehen në pikën e vlimit. Por me një diferencë thelbësore.

Në qershor 1991, Sekretarit i Shtetit i SHBA, James Baker, përsëriste “nuk kemi një qen në atë luftë”, duke lënë të kuptohej indiferencën thelbësore të Shteteve të Bashkuara përballë përplasjes midis serbëve, kroatëve e myslimanëve.

27 vjet më pas, Washingtoni ka pozicione shumë më të qarta. Armiqtë që duhen bllokuar nga strategjitë e Departamentit të Shtetit e të Pentagonit janë Rusia e Vladimir Putinit dhe miqtë e saj të supozuar serbë, ndërsa aleatët për t’u mbrojtur janë myslimanët e Bosnjës, pakicat shqiptare në Maqedoni dhe qeveria e Kosovës.

Gjithçka me mbështetjen jokritike të euroburokratëve të Brukselit, të paaftë për të pasur një vizion autonom e të pavarur edhe për çështje që kanë të bëjnë me kontinentin e vjetër. Por problemi i vërtetë, siç u pranua më 2015 nga John Kerry, Sekretari i Shtetit në administratën Obama, është që Ballkani sot është “vija e kuqe” në përballjen midis NATO-s e Rusisë.

Kjo është më tepër se kurrë e dukshme në Maqedoni. Në këtë republikë të vogël, Aleanca Atlantike dhe Bashkimi Evropian, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara, kanë bërë gjithçka për të bindur zgjedhësit të votonin “PO” në referendumin e 30 shtatorit për ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut, sipas programit të kryeministrit Zoran Zaev, aleat besnik i Brukselit e Washingtonit.

Referendumi do t’i jepte fund edhe mosmarrëveshjes me Athinën, kundërshtare që më 1991 e hyrjes së Shkupit në BE dhe në NATO, me frikën se emri Maqedoni do të justifikonte në të ardhmen pretendime mbi rajonin grek me të njëjtin emër. Por referendumi, vendimtar për ta hequr Maqedoninë nga zona e influencës ruse që përkrah opozitën nacionaliste, rezultoi një vrimë në ujë.

Megjithatë ftesat dhe presionet për “PO”, shoqëruar nga vizitat në Shkup të kancelares gjermane Angela Merkel, të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe, “e ëmbla në fund” të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Jim Mattis, i cili shkoi në kryeqytetin maqedonas në vigjilje të votimit, vetëm 37% e zgjedhësve shkuan drejt qendrave të votimit.

Kështu, pavarësisht votimit 91% për PO, referendumi është i pavlefshëm për mosarritjen e shifrës 50% në pjesëmarrje. Megjithë suksesin e dukshëm të opozitës nacionaliste, që favorizoi bojkotin, BE, NATO e SHBA i kanë kërkuar kryeministrit Zaev të mos dorëzohet, duke mbështetur vendimin për ta kaluar adoptimin e emrit të ri përmes votimit në parlament me shumicë absolute.

Një vendim i dyshimtë konstitucionalisht që megjithatë përgjegjësja për politikën e jashmte në BE, Federica Mogherini, e ka përcaktuar si “një mundësi unike për pajtimin në Ballkan”. Por edhe këtu fitorja është gjithçka përveçse e sigurt. Pas debatit të nisur të hënën e shkuar, qeveria e drejtuar nga socialdemokrati Zaev dhe e mbështetur nga pakica myslimane, ka dhjetë ditë kohë për të siguruar 80 vota nga 120 gjithsej që i japin dy të tretat e nevojshme.

Një objektiv në dukje i pamundur, pasi nacionalistët kanë të paktën 49 vende. Por për të bërë ndryshimin mund të mendojë magjistratura. Pikërisht më 16 tetor nisi edhe procedimi për heqjen e imunitetit dhe garantuar arrestimin e një duzine parlamentarësh nacionalistë të akuzuar për përgjim të kundërshtarëve politikë. Kjo lojë do t’i garantonte kuorumin Zaevit, ndërsa NATO, BE dhe SHBA do të fitonin një copëz të re rebusit kompleks ballkanik. Por do të ishte një copëz eksplozive që mund të thyhet nën presionin e brendshëm dhe të shkaktojë konfrontime të ngjashme në rajonet fqinjë.

Në Kosovë, për rikthmin e frikës dhe mosbesimit kontribuojnë deklaratat jo shumë të kujdesshme të John Bolton, këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, të shprehura në fund të gushtit për shkëmbimin e territoreve mbi bazat etnike. Projekti i Boltonit do të garantonte rikthimin e zonave veriore me shumicë serbe nën kontrollin e Beogradit, ndërsa Lugina e Preshevës, banuar nga shumicë shqiptare, por zyrtarisht serbe, do t’i kalonte Prishtinës.

Kthimi i konceptit të ndarjes etnike, pavarësisht zemërimit anti-rus që karakterizon Boltonin, premton të çojë ujë në mullirin e serbëve të Bosnjës, ose te miqtë më të mirë të Moskës që favorizojnë idenë e shkëputjes nga ajo lloj minifederate e tipit jugosllav vendosur në kohët e Daytonit.

Gjatë atyre bisedimeve, pikërisht vullneti për të kthyer në bashkëjetesë komunitetet e ndara nga lufta çoi në vendimin për t’i dhënë jetë një Bosnje të ndarë midis kroatëve, boshnjakëve dhe muslimanëve, por të qeverisur nga një presidencë me rotacion, njësoj si ajo e shpikur për Jugosllavinë e Mareshalit Tito.

Suksesi në votimet e 8 tetorit i Milorad Dodik, lideri nacionalist i serbëve të Bosnjës, kërcënon shkatërrimin e mekanizmit të vënë në punë në Dayton 23 vjet më parë. I përkrahur nga rusët,  të rikthyer me Putin si mbrojtës të mëdhenj të kombit serb, Dodik kërcënon të prishet me presidencën me rotacion e të shtyjë serbët e Bosnjës drejt vetëvendosjes dhe pavarësisë.

Një hap që kërcënon të prishë të gjithë mekanizmat e paqtimit dhe që do të garantonte, pikërisht falë pozicionit të këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, një sukses të ri të Moskës në zemër të atij Ballkani të transformuar në një tjetër “vijë fronti” në konfrontimin midis SHBA e Rusisë.

Marrë nga ilGiornale-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco