Varfëria intelektuale e Socialistëve të Rinj

Varfëria intelektuale e Socialistëve të Rinj

Nga Richard A. Epstein - 11/10/2018

Ndryshmet në gjuhën e vetë-identifikimit na japin informacion të bollshëm për ndryshimet në mendimin politik. Shihni se si e majta amerikane e etiketon veten sot krahasuar me 50 vjet më parë. Në atë kohë, liberalizmi amerikan qëndronte për dominimin e një ekonomie të përzier në të cilën institucionet e tregut lejonin rritje: heqja e kufizimeve për linjat ajrore në vitet ’70, për shembull, nuk ishte mëkat. Në të njëjtën kohë, vizioni liberal promovonte institucione liberale që ofronin një rrjetë sigurie për amerikanët në formën e sigurisë sociale, sigurimeve të papunësisë, Medicare dhe Medicaid. Termi “progresiv” doli në dritë kohët e fundit me ngritjen e Barack Obamës, duke sinjalizuar një pakënaqësi në rritje me riskun e statuskuosë për shkak të paaftësisë së tradicionales liberale për të reduktuar pabarazitë e pasurisë dhe të të ardhurave ndërsa fuqizonte grupe të marxhinalizuar si gratë dhe pakicat. E megjithatë në një farë mënyrë utopia progresive e shumëkërkuar nuk doli kurrë plotësisht në pah në vitet e Obamës. Rritja e ngadaltë ekonomike dhe pabarazia në rritje u kombinuan me marrëdhënie të tendosura raciale, të përfaqësuara nga arrestimi i profilit të lartë i Henry Louis Gates më 2009 dhe vrasjet e Trayvon Martin më 2012 e të Michael Brown më 2014.

Këto ngjarje i vunë Demokratët e establishmentit, si Bill e Hillary Clinton, në pozita mbrojtëse. Nga kjo përfituan socialisti i vjetër, Senatori Bernie Sanders, e socialistët e rinj Alexandria Ocasio-Cortez dhe Rashida Tlaib, të dyja yje në ngritje në politikë me gjasa për të hyrë në Kongres vitin e ardhshëm. Këta socialistë të valës së re do ta shtyjnë edhe më tepër nga e majta Partinë Demokratike me thirrjet e vazhdueshme për kujdes shëndetësor falas e universal, universitete falas dhe punë të garantuar për të gjithë amerikanët – të gjitha të paguara në mënyra që ende duhen përcaktuar.

Sigurisht që Socialistët e Rinj përpiqen ta distancojnë veten nga dështimet e mëdha të Socialistëve të Vjetër, të cilët vuanin nga sëmundje të pakurueshme. Së pari, ata çuan përtokë ekonomitë e vendeve si Kuba, Venezuela, Bashkimi Sovietik dhe të të gjithë Evropës Lindore. Së dyti, ata i shndërruan këto vende në diktatura monopartiake që sunduan me brutalitet policor, burgosje për bindje politike dhe abuzime të tjera me të drejtat e njeriut. Kur sheh propozimet e Socialistëve të Rinj, kërkon të gjesh ndonjë shpjegim se si do ta mbrojnë si lirinë personale ashtu edhe mirëqenien ekonomike propozimet e tyre për ekspansion radikal të kontrollit qeveritar mbi ekonominë me synim uljen e pabarazisë së të ardhurave. 

Fatmirësisht, Socialistët e Rinj nuk e theksojnë temën e vjetër të heqjes së pronës private përmes pronësisë kolektive mbi mjetet e prodhimit. Atëherë, çfarë besojnë ata? Një përgjigje për këtë pyetje jepet nga Profesor Corey Robin, teoricien politik në Brooklyn College dhe Graduate Center në City University of New York, i cili kohët e fundit e ka lëvduar “Socializmin e Ri” në New York Times. Ai flet me krenari për një trend madhor në mbështetje të idealeve socialiste midis të rinjve e më pas përpiqet të shpjegojë forcat që shtyjnë suksesin e rigjetur. Në një fjali të vetme: “Argumenti kundër kapitalizmit nuk është se ai na bën të varfër. Argumenti është që na bën jo të lirë”.

Robin arrin në këtë konkluzion jo duke parë në gamën në rritje të produkteve dhe të opsioneve të karrierës të bëra të disponueshme përmes tregut të lirë. Në vend të kësaj, ai invokon tipin e shembullit dramatik që Bernie Sanders adhuron ta paraqesë për të shpjeguar nevojnë për kujdes shëndetësor falas. Nën sistemin aktual, na thuhet se gjithkush i detyrohet një “bosi” në punë dhe dronëve pa fytyrë që kanë pushtetin arbitrar për të vendosur se një policë e caktuar sigurimi e blerë nga një nënë nuk mbulon heqjen e apandecitit të fëmijës së saj. Pra, nën kapitalizëm, ne të gjithë i përkulemi bosit të plotfuqishëm, duke ditur, me fjalët e Robin, se kur “mirëqenia ime varet nga humori yt, kur nevojat bazike jetësore detyrojnë nënshtrim karshi tregut dhe bindje pa kushte në punë, ne jetojmë jo në liri por nën dominim”.

Kjo ekuivalencë e supozuar e një ekonomie tregu me një rend feudal më kujton përvojën time në Berlinin Perëndimor dhe atë Lindor në verën e 1965, kur isha një student i ri juridiku. Nuk kishe nevojë të teorizoje për diferencën midis kapitalizmit e socializmit. Mund ta shihje në dritat e shndritshme të Berlinit Perëndimor dhe eksteriorin gri mes gumëzhimës së tankeve sovjetike në Berlinin Lindor. Shpjegimi për kontrastin erdhi nga një shitës i dëshpëruar gjermanolindor që më shiti një çokollatë artificiale. Shitësi e bëri shpjegimin me këtë barcacetë: “Pyetje: Cila është ndryshimi midis kapitalizmit dhe socializmit? Përgjigja: Në kapitalizëm, njeriu shfrytëzon njeriun, ndërsa në socializëm ndodh e kundërta”.

Kjo barcaletë është shumë kuptimplotë. Socialistët e Rinj në SHBA jetojnë në një botë vetëmohimi intelektual. Ata mendojnë se mund të kontrollojnë shpërndarjen e të gjitha gjërave të mira në jetë a minuar institucionet ekonomike e shoqërore të nevojshme për krijimin e këtyre të mirave në radhë të parë. Fjalët “konkurrencë”, “skarcitet” dhe “hyrje të reja” nuk arrijnë të hyjnë në fjalorin e ngushtë të Robinit dhe mungesa e tyre shpjegon se pse ai i merr lehtë çështjet analitike të shpjegimit tërësor të “lirisë”. Mëkati i tij i parë është injorimi i të vërtetës së thjeshtë që skarcitet do të thotë që të gjithë ne nuk mund të kemi gjithçka që duam gjatë gjithë kohës. Mëkati i dytë është ai i përzgjedhjes. Fatkeqësisht, disa individë duhet të përkulen para bosëve të tyre për të mbajtur vendin e punës. Por në një ekonomi konkurruese, hyrjet e reja lejojnë që shumë më tepër individë të lënë punën që kanë për mundësi më të mira apo të kërkohen nga një punëdhënës tjetër.

Konkurrenca sjell mundësi zgjedhjeje. Por nën Socializmin e Ri njerëzit do të zbulojnë se çfarë do të thotë të jesh jo i lirë kur të kenë vetëm këtë zgjedhje: puno për shtetin dhe shpenzoje rrogën e ulët në të mirat e ofruara nga shteti – ose vdis urie. Dhe nga kush do të kthehet qytetari i palumtur kur të ketë vetëm një ofrues kujdesi shëndetësor, një pronar banesash dhe një sistem arsimi? Monopolet shtetërore në socializëm ofrojnë një lloj nënshtrimi e përkuljeje shumë më të madhe se sa në tregjet konkurruese. Vendimmarrësit pa fytyrë të korporatave që shqetësojnjë profesor Robin janë shumë më pak të këqinj se burokratët qeveritarë që mund të të mbyllin të gjitha rrugëdaljet. Imagjinoni se sa keq do të funksiononte Posta Shtetërore pa konkurrencën nga Federal Express dhe UPS.

Sigurisht, tregjet e sotme nuk funksionojnë aq mirë sa do të donim. Por është e rëndësishme të vihet në dukje se këtë vështirësi shpesh vijnë jo nga mosdëshira e punëdhënësve perspektivë për të arritur një marrëveshje, por nga insistenca e shtetit që të gjitha kontratat e ardhshme të plotësojnë disa kërkesa, të tilla si paga minimale, çka mund të t’i lërë lehtësisht pa punë punonjësit, sidomos ata në fundin e shkallës së ekonomisë. Nuk ndihmon as fakti që qeveria federale takson rëndë shumë punonjës me qëllim për të ndihmuar ata që janë më pak të privilegjuar. Pikërisht kjo ndodh, për shembull, me sistemin e klasifikimit të komunitetit nën Affordable Care Act (Obamacare). Programi i shumëpërfolur ka pasojat që vijojnë. Ai kërkon subvencione madhore për individët e moshuar e të sëmurë nga persona të rinj e të shëndetshëm që shpesh fitojnë më pak se më të vjetrit. Kështu, nëse të rinjtë qëndrojnë brenda buxhetit të sigurimeve të ACA, ACA mandaton transferime domethënëse parash nga të varfërit tek të pasurit. Dhe teksa më të rinjtë i largohen sistemit, buxheti i ACA-s përballet me krizë në pagueshmëri dhe mbulim që çon vërtet në pikiatën e efektit të kundërt që është rezultati i paevitueshëm i çdo programi me kryqëzim subvencionesh, që është aplikimi i çmimeve më të larta për një grup për të mundësuar çmime më të ulta për një grup tjetër.

Është e lehtë të tregosh një fabul të ngjashme me eksperimente të tjera madhore sociale që mandatojnë transferime. Ocasio-Cortez është e gatshme të sulmojë “zhvilluesit e pronave të patundshme” sepse, siç na thotë Robin, “zonën e saj të qiraxhinjve të varfër, pronarët e banesave janë armiku”. Dhe si duhet të veprojmë me këta armiq? T’i fusim në burg? Nëse kjo tingëllon disi ekstreme, mund të vendosim një sistem të kontrollit të qirasë, thjesht për të zbuluar më pas se përfituesit kryesorë të atij sistemi janë, për shembull në New York, profesionistët e pasur dhe shumë influencues të Upper West Side në New York dhe të Park Slope në Brooklyn. Edhe më keq, duke ua futur atyre pronarëve shpirtkeq, ne parandlojmë krijimin e stokut të ri në strehim që do të lejonte forcat e tregut të ulnin kuotat e qirasë.

Socialistët e Rinj duhet ende të mësojnë se kontrolli i qirasë dhe rregullat e strehimit të lirë, me qira apo ndërtime të reja, janë një formë kontrolli çmimesh. Jo, Socialistët e Rinj nuk mund të mposhtin ligjet e kërkesës dhe ofertës. Ata munden, megjithatë, t’i kushtojnë vëmendje performancës së papranueshme të Autoritetit të Strehimit të New York City (NYCHA) si pronar publik strehimi. Siç raporton Wall Street Journal, “zyrtarët e NYCHA kanë mbajtur fshehur për vite me radhë nga inspektorët federalë ashensorë të prishur, prani të madhe minjsh, rrjedhje tubacionesh dhe mungesë ngrohjeje në dimër”. Në fund të fundit, ndryshe nga pronarët dhe ndërtuesit e banesave, asnjë zyrtar publik nuk pëson ndonjë cent humbje financiare personale nga keqtrajtimi i atyre banorëve publikë “falas” që nuk kanë ku të shkojnë tjetër.

Ka një konfuzion të thellë intelektual dhe zbrazëti morale në Socializmin e Ri të Robinit. Nga njëra anë, mohohen përparimet madhore në jetëgjatësinë dhe zhvillimin human që janë arritur në vitetet e fundit nga përhapja botërore e institucioneve të tregut, dokumentaur me detaje nga Johan Norberg në librin e tij të madh, “Progress”. Dhe Robin bën gabimin fatal duke ua atribuar institucioneve të tregut dështimet që u përkasin programeve rregullatore të liberalëve tradicionalë — për shembull paga minimale, kontroll qiraje — që pengojnë rritjen ekonomike dhe lirinë personale. Socializmi i Ri nuk ka më tepër shanse suksesi se Socializmi i Vjetër. Është njësoj si të përpiqesh të kurosh diabetin duke marrë doza extra-large sheqeri të ofruar nga qeveria.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco