11 veçoritë alla-shqiptarçe të një 'dëgjese' me publikun

11 veçoritë alla-shqiptarçe të një 'dëgjese' me publikun

Nga Jamarbër Malltezi - 29/09/2018

Dje isha dëshmitar i një ‘dëgjese mjedisore’ krejtësisht të veçantë në llojin e vet.

Po shkruaj 11 veçoritë e saj, që janë krejtësisht unike dhe zor se i gjen kund edhe në vendet me të prapambetura të botës.

1. Dëgjesë publike, ku asnjeri nga folësit/ekspertët e paguar nuk njihte pronarët e kompanisë për të cilën po punonin, nuk kish ndodhur ndonjëherë.

2. Dëgjesë publike për një ndotës kaq të madh, që do të djegë 800 ton plehra çdo ditë, ku të mungoje Bashkia dhe ministria e Mjedisit, nuk kish ndodhur ndonjëherë.

3. Dëgjesë publike për një djegës, ku askush nuk thoshte dot se çfarë lloji/firme do të jetë impianti djegës, nuk kishte ndodhur askund asnjëherë. Treguan një skicë funksionimi nga interneti, por jo firmën e impiantit që çdokush të dijë sa kushton dhe çfarë emetimesh ka në natyrë. Çdo makinë ka kartelën teknike psh, Fiat harxhon x litra karburant dhe çliron y sasi gazrash, Audi ka skedën e vet teknike, ndërsa për impiant djegësi nuk ka fare skedë teknike dhe as kompani kush e prodhon! Kjo është për çmim Guinness! Tregon që do e bëjnë me pjesë nga djegës që Perëndimi i çon për skrap.

4. Dëgjesë publike me 25 bodigardë dhe roje, që rrethonin publikun, nuk më kishte rënë rasti kurrë të shihja më parë. As Thesari i Shtetit nuk ruhet me 25 bodigardë. I bie që ose plehrat e Sharrës janë më të vlefshme se thesaret e shtetit, ose që 128 milionë euro për një djegës është më e dashur se çdo thesar

5. Dëgjesë publike, ku të lënë të dëgjosh 2 orë në diell të hapur (që t’i lodhin) dhe pastaj nuk duan të lejojnë komente, por veç pyetje, kjo veç tek ata që përlajnë 128 milionë euro para publike, pa asnjë transparencë, mund të ndodhë.

6. Dëgjesë publike që të ndërpresin mikrofonin, që të mos dëgjohesh më, pasi në 6 minuta të kanë ndërprerë 8 herë, nuk më kishte rënë rasti ndonjëherë.

7. Dëgjesë publike me disa provokatorë të mirëpaguar që nuk duan të lejojnë të flasë kushdo por veç ata që do kompania, kjo nuk ndodh kund, përveçse tek ata që përlajnë 128 milionë euro pa publikuar as kontratën.

8. Dëgjesë publike ku folësja/eksperte të gënjejë se kinse nuk ka dalë ende çmimi i tokës ndërkohe qe ka disa muaj që qeveria ka nxjerrë VKM për fondin e shpronësimeve, kjo nuk më kishte rastisur ndonjëherë. Çmimi i shpronësimeve të tokës sipas qeverisë i del sa çmimi me të cilin gruaja e Edi Ramës kinse-bleu tokën në Surrel, pra me 2 euro për m2!

9. Dëgjesë publike, ku pasi rri pret 2 orë në diell, të degjenerojë procesi nga provokatorët e atyre që përlajnë 128 milionë euro dhe të mos flasin dot as 3 përfaqësues dhe të prishet takimi nuk më kishte rënë rasti ndonjëherë. Provokatorët, që kishte zgjedhur qeveria ishin të paparë: nga njëra anë nuk pranonin që banorët të hapnin gojë për çmimin qesharak të shpronësimit, ndërsa përfaqësuesve të opozitës iu mburreshin me punën e madhe që ishte bërë dhe sa mirë jetonin njerëzit në Sharrë sot. Edhe një agjent shitjesh imobiljare në Paris nuk besoj të lavdërojë aq shumë, mrekullinë e jetesës aty aq sa e lavdëronte jetën në Sharrë, një provokatore e qeverisë.

10. Dëgjesë publike, ku ndonëse thuhet se materialet janë në website, por website i bashkisë tregon ‘error’, veç në Shqipëri ndodh. Dhe materialet që thuhet se mund të gjenden janë veç ato që tregojnë se si ka qënë gjendja në 2001, si është në 2018 por asnjë fjalë për impiantin që do të instalohet, çfarë lloji është, çfarë kapaciteti ka, çfarë emetimesh lëshon etj.

11. Dëgjesë publike ku më pas në mediat e tepsisë shfaqen veç pamje të italianëve të lumtur dhe asnjë debat as nga opozita dhe as nga banorët, sikur nuk kishte ndodhur asgjë nga këto, kjo ndodh veç kur mediat përlyhen keqaz në baltën e përlarjes së parave publike përmes reklamave nga Rama, Ahmetaj dhe Klodian Zoto që po vjedhin së bashku 178 milionë euro për 3 inceneratorë (128 milionë për Tiranën, 22 për Elbasanin dhe 28 për Fierin).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp29/09/2018 15:50

Pse delni ju zoterinj si "bishti para sqeparit". Ju nuk jeni as deputet dhe as shef departamenti per mjedisin ne PD.Ua pane koken dhe j'ua vune festen.Pse nderhyni ne "punet"e qeverise.Ruani koken se mafja e plerave, qe gjezdis ku ka degjesa dhe çfaqen kontestime, eshte me e rrezikshme se mafja e droges.Kryearkitekti i ligjit dhe mbrojtesi i konçensioneve skandaloze eshte autori i filozofise"lapidar" ,"Ne do vjedhim me lezet",z.Shalsi, por vendim marresit jane te tjere, ku e ku me larte, e ku e ku me larg.

Shto koment

Denonco