Çfarë fshihet pas tymit të zi, që po del nga prokuroria?!

Çfarë fshihet pas tymit të zi, që po del nga prokuroria?!

Nga SYRI.net - 21/09/2018

Rebelim kundër Arta Markut, apo `kryeprokurorit` Edi Rama?!

Brenda 24 orëve, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda ka plasur një rebelim ndaj Arta Markut dhe mikeshës së saj të ngushtë, Donika Prela. Mësohet se mbrëmjen e djeshme, gjatë një mbledhje të zhvilluar në tension të lartë, puna ka shkuar deri aty sa që ka pasur edhe përplasje fizike. Kurse ditën e sotme drejtuesja e Krimeve të Rënda në organin e akuzës, Prela, në mënyrë demonstrative nuk ka lejuar 10 prokurorë që të futen brenda ambienteve duke kërkuar ndihmë, edhe nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në pamje të parë gjithçka ka nisur nga “çështja Shullazi”, pasi shumica e prokurorëve të Krimeve të Rënda kanë refuzuar, që të marrin pjesë në seancën gjyqësore të 25 Shtatorit.

Pas kësaj  kryeprokurorja, Arta Marku, kërkoi hetimin disiplinor për 10 prokurorë që nuk pranuan të ishin pjesë e shortit dhe njëkohësisht duke tejkaluar kompetencat që i jep ligji, i “syrgjynosi” 3 prej tyre nëpër rrethe. Dhe pikërisht e “rastësisht”, ata që po hetojnë Saimir Tahirin.

 Po ditën e sotme, Sokol Stojani Drejtor i Inspektimit, i cili ishte zgjedhur në detyrën e lartë nga vetë Marku, nuk pranoi që të nisë “hetimin” për kolegët dhe dha dorëheqjen nga detyra.

Por Marku, nuk e ka lënë me kaq. Hakmarrja e saj ndaj ish krahut të saj të djathtë u vu në zbatim vetëm pak orë më pas, duke nxjerrë një urdhër lirimi për Stojanin.

Në këtë situatë, alarmi për atë që po ndodh në prokurorinë shqiptare ka mbërritur edhe te Rama, i cili ka urdhëruar marrjen në mbrojtje të Markut.

Kështu deputetja e PS Ermonela Felaj, nxitoi që nëpërmjet  një deklaratë për mediat ta quajë të drejtë masën e vendosur nga Marku për 10 prokurorët rebelë, 3 prej të cilëve  u transferuan në shkelje të ligjit. Felaj u tha gazetarëve, se prokuroria është një organ i pavarur, por nga ana tjetër i ofroi Markut mbrojtje politike duke shtuar se, mbështesin punën e saj dhe  se masat ndaj 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda i duken të natyrshme.

Ashtu siç e thamë më sipër, në pamje të parë duket se e gjithë kjo situatë e paprecedentë ka shpërthyer me rastin e gjyqit për Emiliono Shullazin, por në fakt problemi është shumë më i thellë.

Gjithçka ka nisur që në fillesat, kur Marku u emërua në shkelje të kushtetutës si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, vetëm me votat e mazhorancës së Rilindjes. Këtë dhunë të shumicës në emërimin e saj, Marku e transferoi në organin e rëndësishëm ligj-zbatues, që i dhanë të drejtonte.

Përveç arrogancës, shkeljeve të hapura të ligjit dhe tejkalimit të kompetencave të saj në emërime, komandime e transferime të prokurorëve, ajo nisi “të fusë hundët” në dosje të veçanta.

Kështu bëri me dosjen Tahiri, duke goditur hetimin me anë të “zhdukjes” të të vetmit të arrestuar në Shqipëri, Nazer Setiajt, të cilin nxituan ta ekstradojnë në Itali.

Mbylli dosjen e nxehtë të Vangjush Dakos në Durrës dhe nga ana tjetër për 1 vit rresht nuk ka lëvizur as gishtin për “peshqit e mëdhenj”, që kishte premtuar se do të kapte. Prokurorët dhe jo vetëm këta të dhjetë janë të nervozuar dhe të frustuar me Markun, jo edhe aq për “çështjen Shullazi”, por  sepse ajo ka bllokuar çdo hetim për ministrat dhe drejtorët e Rilindjes nga njëra anë, kurse nga ana tjetër sillet si arrogante dhe i trajton ata si ushtarë.

Por edhe pse në publik “çështja Shullazi” e cila u bë sebep së fundmi për plasjen e qelbit në organin e akuzës, është shitur si një frikë e prokurorëve të Krimeve të Rënda për të marrë përsipër pretencën, historia nuk është kaq e thjeshtë.

Tashmë te Krimet e Rënda të gjithë e dinë që “Dosja Shullazi” është sabotuar dhe është katandisur “vrima-vrima”, që nga ardhja e Markut në krye të prokurorisë. Deklarata e sotme e Lulzim Bashës në prani të ndërkombëtarëve se Rama nëpërmjet Markut po përgatit lirimin e Shullazit, nuk është thjesht një tymuese politike. Deri te lirimi ndoshta nuk guxojnë që të shkojnë, por duket se atij i është premtuar një dënim fare i butë, në krahasim me bëmat për të cilat akuzohet.

Arsyeja që Rama ka ndërhyrë për Shullazin nuk ka të bëjë me ndonjë afeksion të tijin personal, më shumë se sa me kërcënimin që ai i ka bërë kryeministrit që nga qelia; se nëse nuk e ndihmojnë do të rrëfehet për lidhjet që ka pasur e vazhdon ti ketë ai personalisht dhe organizata kriminale që vazhdon ta drejtojë dhe pas hekurave, me deputetë, ministra dhe Ramën vetë.

Arta Marku po shfaqet mjaft nervoze dhe arrogante, duke shkaktuar një rebelim të vërtetë në organin që drejton dhe kjo vjen si pasojë e urdhrave, që po merr nga ata që e kanë vënë aty. Urdhra, për të shkelur ligjin dhe kushtetutën. Deri ku, do mund të shkojnë?

Tymi në çatinë e prokurorisë që kapi dhe gatoi Rama me shpejtësi, vetëm sa ka nisur të dalë. Por atë e prodhon dhe e lëshon zjarri, që ende nuk shihet nga të gjithë. Kush do të digjet?!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

shkurt 201421/09/2018 17:16

E provuar ktu e 70 vjete me pare qe ne vendin tone te pa drejtesise seshte djegur asnji pushtetare,e ase ata qe ju kan shebyer pushtetarve hajdute e kriminel,e kriminelve te tyre.Kto qe thuhen jane lloqe Kavajet,brockulla tymuese,arta marku e emruar si prokurore e pergjithshme,ska asnj kopetence te zbatoje ligjet,ajo eshte nji shebetore e sh edvin,sic ishte llalla nji sherbetore i plakut.Ne vendin tone duhen edhe dhjetra e dhjetra vite qe te funksionoje shteti e drejtesia.Po nuke u larguan klyshte komuniste,e hajdute te dulles,ne zdo kemi shtet e ase drejtesi kurre.

Shto koment

Denonco