Mesazh i qartë dhe i fortë nga Gjermania

Mesazh i qartë dhe i fortë nga Gjermania

Nga Kastriot Islami - 19/09/2018

Gjermania nuk toleron më Edi Ramën për ‘fjalët e shumta’ dhe kërkon ‘reforma e përmbushje të kushteve të vendosura nga BE.’ Ky është mesazhi i fortë dhe i qartë nga Gjermania. Por jo vetëm kaq…

Gjermania, një shtet serioz dhe me politikanë të pakompromentueshëm nuk toleron më:

  • as gënjeshtrat dhe as mashtrimet me premtimet e pambajtuar dhe arritjet imagjinare,
  • as lidhjet e qeverisë Rama me krimin dhe trafiqet;
  • as korrupsionin e pasuritë e paligjshme të Ramës dhe ministrave të tij;
  • as qeverisjen autoritare e vënien nën kontroll të të gjithë institucioneve kushtetuese;
  • as kontrollin se fundmi të sistemit të drejtësisë;
  • as blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve;
  • as korrupsionin me tenderat pa konkurrim e koncesionet për oligarkët e Ramës;
  • as pastrimin e parave përmes kullave gjigante dhe bankave të oligarkisë.

Por ajo që ka shqetësuar dhe lënduar më shumë gjermanët është qëndrimi hileqar i Ramës për ndryshimin e kufijve, qëndrim që as të djathtët dhe as të majtët gjermanë nuk e tolerojnë, pavarësisht se Rama kërkon të fshihet duke heshtur. Një qëndrim antieuropian që e ka detyruar kancelaren gjermane, por edhe ministrin e jashtëm gjerman të angazhohen seriozisht.

Vizita e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë ishte një shuplakë tjetër e fortë për bëmat e marrëzitë e qeverisjes Rama, veprimet mosmirënjohëse dhe tentativat e tij për gënjyer e kompromentuar partnerët.

Mesazhi i Gjermanisë ishte shumë i fortë dhe i qartë: Perspektiva europiane nuk është vetëm fjalë! Nëse dëshironi të vazhdoni rrugën për në BE, atëherë përmbushni kushtet! Thënë ndryshe e troç: Mjaft me mashtrime e gënjeshtra. Në qershor jua thamë të vërtetën e hidhur me kujdes e elegancë, por tani e tutje do të dëgjoni gjithçka vetëm TROC e pa doreza!

Gjithçka u tha publikisht dhe në takimet konfidenciale ishte:

  • një shuplakë e fortë për lidhjet e Ramës me krimin e trafiqet, për lidhjet e Ramës me oligarkinë dhe pasuritë e paligjshme të tij e të ministrave të tij, për pastrimin e parave që e kanë kthyer Shqipërinë në lavatriçen më të madhe në Europë.
  • një mesazh i fortë që ju dha Ramës por edhe zyrtarëve të kompromentuar të Brukselit të cilët kishin paraqitur një raport të sheqerosur për qeverinë që kishte shkaktuar numrin më të madh të emigrantëve në Europë, qeveri që detyron 60 për qind e të rinjve të largohen nga vendi sa më pare;
  • një mesazh për të treguar se tanimë nuk është vetëm  kancelarja Merkel dhe deputetët e djathtë gjermanë por edhe ministri i jashtëm socialdemokrat i Gjermanisë që jo vetëm e kanë kuptuar lojën hileqare të Ramës por kanë filluar t’ia përplasin në fytyrë të gjitha gënjeshtrat e mashtrimet duke i thënë hapur se i kanë të qarta marrëzitë dhe bëmat që Rama kërkon ti fshehë e maskojë duke ja bërë të qartë se ‘perspektiva europiane nuk është vetëm fjalë’;
  • një mesazh shprese për të gjithë shqiptarët e ndershëm;
  • një mesazh për veprim për opozitën dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë përmes të cilit bëhet e qartë se ‘nuk jeni vetëm, se edhe ne gjermanët tanimë e dimë mirë se çfarë bëmash kanë bërë Rama dhe ministrat e tij dhe nuk e tolerojmë më!’;
  • një mesazh mbështetjeje nga Gjermania që nuk toleron më korrupsionin e qeverisë Rama, lidhjet e tij me krimin e trafiqet dhe idetë e marrosura për të hedhur në erë Ballkanin e tronditur stabilitetin e sigurinë europiane.

Thënë shkurt e qartë: Gjermania nuk i toleron më fjalët, gënjeshtrat e mashtrimet e Ramës! Bëmat e tij do ti zbulojë dhe godasë. Koha e rrëfyesit të  rëndomtë të barcaletave apo pozuesit me atlete ka mbaruar!

Është koha për veprim!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco