Po del RENEA e Ramës; Fshihuni pleq të gjithë Shqipërisë!

Po del RENEA e Ramës; Fshihuni pleq të gjithë Shqipërisë!

Nga Poli Hoxha - 17/09/2018

Në një njoftim për mediat nga shërbimi i ashtuquajtur sekret i policisë, SHBÇA, u mësua se ka nisur një hetim për plagosjen e një të moshuari 77 vjeçar gjatë aksionit të fundit të RENEA në fshatin Rremas të Lushnjes. Bëhet fjalë për sqarimin e rrethanave, se si u qëllua në gjumë brenda shtëpisë së tij plaku i shkretë Haxhi Lika dhe, nëse veprimet e policisë ishin konform ligjit.

Ky veprim i SHBÇA, nxjerr zbuluar një problem të madh që shkon deri në shkelje flagrante të ligjit, për mënyrën se si po përdoret reparti i vetëm special policor i niveleve më të larta botërore, që ka vendi ynë.

Nën trysninë e një vlage të fortë revolte dhe akuzash nga opinioni publik dhe opozita për rritjen galopante të krimit në disa nga qytet kryesore të Shqipërisë, kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si reagim zgjodhën të bënin atë që dinë të bëjnë më mirë; show dhe vetëm show.

Brenda një harku të shkurtër kohor nxorën repartin policor elitë, për të kryer disa ndërhyrje në zona të ashtuquajtura të nxehta të vendit dhe të gjitha këto aksione jo vetëm i publikuan si “suksese”, por arritën deri aty sa në disa raste të njoftonin edhe segmente të caktuara të medias, që të bëheshin gati dhe të ishin në terren, përpara se këto forca të arrinin aty!

Kështu tashmë dihet nga gjithë populli shqiptarë, se RENEA morri pjesë në rrethimin e Niklës, në Shkodër në lagjet Kir dhe Dobraç …në Vlorë, Elbasan dhe në Lushnje.

Pas gjithë këtyre “superaksioneve” rezultati ishte një blof i madh, që do të turpëronte edhe policitë lokale. U shoqëruan një duzinë personash për armëmbajtje pa leje, makina me xhama të zinj apo të blinduara e ca gram hashash, të cilët më pas i liroi gjykata ose janë në pritje të ndonjë dënimi të lehtë, siç i takon një “krimineli” ordiner rruge.

SHBÇA bën mirë që ka nisur hetim për rastin e Rremasit dhe plagosjen e plakut 77-vjeçar në gjumë, por në fakt ajo që duhet të bëjë urgjentisht është një tjetër gjë.

Duhet një hetim i thellë që shkon deri te Drejtori i Përgjithshëm dhe ministri; kush po e përdor në mënyrë të jashtëligjshme, për politikë ditore repartin elitar RENEA dhe po e turpëron deri në atë pikë, sa që edhe pleqtë po fshihen nën krevat?

Për të gjithë ata që nuk e dinë, RENEA, është një akronim që “përkthehet”;  Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur.

Djemtë  e këtij reparti janë stërvitur dhe trajnuar ndër vite edhe nga ekspertë të huaj, vetëm për raste të jashtëzakonshme të rrezikshmërisë së lartë. RENEA është një repart që i kushton shumë taksapaguesve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtar, si amerikanëve dhe gjermanëve.

Ka një rregullore të “egër”, që përcakton funksionimin e kësaj force. RENEA del nga reparti vetëm me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe vetëm në raste, kur bëhet fjalë për ngjarje të jashtëzakonshme kriminale apo terroriste; kur duhet të neutralizohen vrasës dhe elementë kriminalë të rrezikshmërisë së lartë.

Dhe mbi të gjitha ajo futet në aksion, vetëm pas informacioneve 100% të sigurta dhe në sekret të plotë. Jo vetëm nga media (Identiteti i tyre është sekret shtetëror, sa janë në shërbim) por edhe nga forcat e tjera policore, qendrore apo rajonale.

Këtë repart legjendar me shumë dëshmorë dhe suksese që janë përgëzuar nga agjencitë më prestigjioze të huaja, nuk ka guxuar ta përdorë deri kohët e fundit, asnjë forcë politike në këto 28 vite.

 Por ja që paska një herë të parë dhe këtë në mënyrën më të turpshme dhe antiligjore po e bën Rama&Xhafaj, nëpërmjet një zari në depresion; drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu.

 Papritur reparti mitik “i frikshëm”, që nuk dështon kurrë, është futur në një lojë të turpshme politike-spektakli. Ideja është që Rama dhe Xhafaj të mbulojnë të vërtetën e dështimit të të ashtuquajturit operacion, “Forca e Ligjit”, i cili në fakt ekziston vetëm në letër dhe banaqet e dritaret propagandistike.

Kush “e bëri” drogën dhe po e vazhdon po njësoj, në Vlorë dhe gjithë vendin?

Kush i vë gjobat, bashkëpunon hapur me klanet e rrezikshme mafioze të Malit të Zi, rrëmben dhe “zhduk” persona në Shkodër?

 Cilët janë grupet dhe familjet mafioze, që “bëjnë” kokainën në Fier dhe heroinën në Elbasan?

 Kush e kontrollon qytetin e Durrësit, edhe që nga zyrat e bashkisë? 

Kur “Forca e Ligjit” e Fatmir Xhafajt së bashku me prokurorinë e “kukullës në kuti xhami”, Arta Marku, të bëjnë detyrën dhe të vendosin të godasin atëherë po, ka punë fiks për RENEAN.

Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë për sa kohë, që numrat e telefonave, “bizneset” e njerëzve të malavitës, më kollaj i gjen në aparatin e kryeministrit, se sa në dosjet hetimore të policisë apo Krimeve të Rënda.

Prandaj lëreni të qetë RENEA-n të vazhdojë stërvitjen në repartin e saj në Linzë, sepse një ditë do të ketë shumë punë. Mos ja hiqni atë vel legjendar që ngjall shpresë te qytetarët e ndershëm dhe frikë, te kriminelët. E ka fituar, edhe me gjak e dëshmorë ndër vite.

Se do të vinte një ditë që do dëgjonim talljen- fshihuni pleq të gjithë Shqipërisë, se po vjen RENEA e Edi Ramës-pakkush do ta besonte deri pak kohë më parë.

 E dhimbshme për ata çuna, ogurzezë për shqiptarët e ndershëm dhe një fitore e madhe për krimin!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco