Rama - Thaçi të sqarojnë deri në fund skenarin me Vuçiç

Rama - Thaçi të sqarojnë deri në fund skenarin me Vuçiç

Nga Syri.net - 15/09/2018

Rama deri tani ka heshtur në publik për marëveshjen Vuçiç – Thaçi - Rama dhe kjo është e qëllimshme. Rama ka heshtur ndërkohë që së bashku me Vuçiç e kanë biseduar çështjen e ndryshimit të kufirit  Serbi-Kosovë para se Vuçiç ta bisedonte atë me Thaçin, duke marrë angazhimin para Vuçiç se do të bindte Thaçin jo vetëm të pranonte këtë projekt, por edhe të bëhej nismëtar i tij.

Rama ka heshtur me porosi të Soros sepse, nëse administrata e re amerikane do të mësonte që pas kësaj afere është Soros, skenari do të dështonte. Madje këto ditë Rama është ftuar në Nju Jork për ta ribiseduar këtë temë me Soros, madje edhe më shumë se kaq.

Rama ka heshtur edhe se ndien frikën që Merkel do të mbajë qëndrim të rreptë ndaj tri gangsterëve plangprishës, që po i vënë flakën Ballkanit e po destabilizojnë Europën thjesht për pushtetin e tyre personal.

Rama ka heshtur në publik ndërkohë që tinëzisht nga njëra anë hap lajmin e rremë se është kundër këtij veprimi të nxituar e të pamatur të Thaçit, por nga ana tjetër nxit tinëzisht Thaçin të vazhdojë gjithçka ka nisur dhe të mos e çajë kokën se ç’thonë Merkel e kundërshtarët e tij…

Rama ka heshtur ndërkohë që vazhdon dhe bisedon fshehtas me Vuçiç, duke e siguruar se së bashku me Thaçin do ta çojnë këtë çështje deri në fund… Por Rama s’heshti në intervistën e fundit, duke nxjerrë në shesh pa dashje disa të vërteta…

Ai pa dashje me gjithçka tha, tregoi se është pjesë e kësaj loje të rrezikshme për projektin europian të shqiptarëve…

Ai tregoi se ky është një skenar serb dhe ai ka marrë përsipër të bindë Thaçin ta pranojë atë e të kthehet në nismëtar të këtij akti të pashëmbullt tradhtie ndaj shqiptarëve…

Ai tregoi se nuk e çan kokën për reagimin e Merkel, madje duke i treguar vendin se “ajo le të merret me punët e saj” dhe se “me punët e shqiptarëve merret ai dhe Thaçi.” Por, dy ishin momentet më pikante të rrëfimit të tij për këtë çështje që kërkojnë sqarim: Së pari la të kuptohej se për këtë çështje është biseduar dhe kanë rënë dakord me SHBA… ndërkohë që ministri i tij i Jashtëm, Ditmir Bushati, mbajti një qëndrim diametralisht të kundërt ndoshta nga frika se Rama tentoi ta shkarkonte.

Presidenti i vendit, Meta, dhe opozita në Kuvend duhet urgjentisht të kërkojnë të gjithë informacionet për të pasur të qartë qëndrimin e partnerit strategjik dhe për të kuptuar përse Rama e Bushati shfaqën qëndrime të kundërta.

Së dyti, Rama provokoi kundërshtarët duke i thënë se “ju jeni kundër këtij plani, se jeni kundër projektit të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën...?!”

Para se Rama të provokojë, Rama e Thaçi duhet të sqarojnë publikun vendas dhe partnerët ndërkombëtarë në vijim të bisedimeve Vuçiç – Thaçi, a do të ketë bashkim të Kosovës së copëtuar me Shqipërinë? Çfarë përgjigjeje kanë menduar Rama e Thaçi për shqiptarët në Maqedoni, në Malin e Zi e gjetiu dhe, a i kanë biseduar këto çështje me zyrtarët e lartë të SHBA?

Këto pyetje është e domosdoshme të sqarohen nga Rama e Thaçi, se Vuçiç me palën serbe e kanë të qartë se mbyllja e marrëveshjes Vuçiç – Thaçi - Rama është njëkohësisht fillimi i projektit të Serbisë së Madhe.

Madje këto pyetje duhet t’i drejtohen edhe Mogherini e Hahn, aq më tepër që këta dy personazhe janë kritikuar ashpërsisht nga kancelarja Merkel; aq më tepër që, procesi i “korrigjimit të kufijve” në Ballkan, në rastin më të mirë do të kërkonte një konferencë ndërkombëtare, kurse më shumë probabël, do të ishte fitili për nxitjen e konflikteve të ashpra mes vendeve të rajonit e ndoshta, me implikime të fuqive me interesa gjeopolitike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco