Lali pinoku...

Lali pinoku...

Nga Agim Xhafka - 12/09/2018

Lali Erit nuk i ka shkuar mbarë asnjë punë.

Sa thotë që rregullova Lanën, kalon ndonjë shi dhe e nxjerr rrenacak. Nis e mburret për pazarin e ri, kur fap dalin investitorët dhe thonë që kontratat i ka firmosur Basha.

Sa mbjell ca pemë mësojmë se i shkul më pas nga që i vendos në gropa të tjera sa për xhirim. Premtoi se nuk do jepte leje ndërtimi nga që qytetit i duhen lulishte, por ja që lejet u trefishuan. Kërcënoi se pronarët e lokaleve ta harronin zhurmën pas orës 23:00. Ata nuk ia varën, i mbyllin bokset e zërit në orën 4 të mëngjesit.

Besuan qytetarët se do pastronte me rrënjë Tiranën e sot ka po ata kazanë, lyer me një ngjyrë portokalli që të kap të vjellët kur i sheh.

Gjoja diferencoi mbetjet e i mbledh me të njëjtën makinë. Rriti biletën e urbanit dhe i rralloi. Më shpejt vjen aeroplani nga Milano se autobusi  nga kombinati. Fshatarëve do u siguronte tregje dhe u siguroi heqjen zvarrë nga bashibozukët e tij.

Për ujin na gëzoi se s’do kishim nevojë për depozita. E mbajti fjalën, na iku uji fare dhe na vjen në oborr të pallatit boti me ujë Selite, por me lekë. E kështu, kështu, kështu për këto vite kryetar u zgjodh një hu.

Ndërkohë e zhvendosi veten në tv. Mëngjes, drekë, darkë tiranasit shohin serialin: ‘Lali Eri po bën namin.’

Tregon se po ndërton shkolla e nxënësit mësojnë me tre turne, bën korsi biçikletash kur rinia iku larg e njerëzit parkojnë në Vorë.

Merret me prishjen e teatrit kur duhet të merret me ajrin e helmuar. Kaq u fut në çdo familje sa dje në Korçë simpatizantë  të tij i tregonin pemët e parkut si mbjellje të Lalit. Dhe e besonin. Njësoj si qëmoti propaganda socialiste. Kur në vitet e urisë nuk kishin më se të mburreshin nxorën shprehjen: ‘Partia ua bëri kokën deri në tavan!’ Shihja nga babai.

Ai qeshte, ma bënte me sy e thoshte ngadalë: ‘Leri të pjerdhin. Vetëm këtë dinë të bëjnë’.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco