Ka ndryshuar diplomacia austriake apo situata në Ballkan nuk është më e njëjta?

Ka ndryshuar diplomacia austriake apo situata në Ballkan nuk është më e njëjta?

Nga Bled Komini - 12/09/2018

Për shkak të traditës së marrëdhënieve të hershme gjeopolitike, ekonomike dhe kulturore, politika e jashtme austriake gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të veçantë Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi kryesor i politikës së jashtme austriake ka qenë ai i mbështjes dhe transformimit të zonës së Ballkanit Perëndimor në një zonë stabiliteti. Nga perspektiva austriake ka ekzistuar vetëm një opsion për Ballkanin Perëndimor: një integrim i plotë evropian i rajonit. Kjo gjithashtu paraqet nxitjen më të mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar procesin e tyre përkatës të reformave demokratizuese. Këto vende mund të përcaktojnë vet ritmin e afrimit me BE-në përmes progresit të tyre, ndërkohë që ato përkrahen në këto përpjekje nga Bashkimi Evropian.

Sidoqoftë, vitet e fundit ka një rënie të ndikimit austriak në rajon. Situata dëshmon se Serbia po e rrit ndjeshëm influencën e saj kundrejt shteteve fqinje, mbështetur sidomos edhe prej Rusisë.

Presioni dhe agresiviteti serb në Ballkan ka ardhur gjithnjë në rritje: fillimisht brenda Maqedonisë pak kohë më parë, me përkrahjen e VMRO-DPMNE dhe mbështetësit e saj për të mos pranuar qeverinë e Zoran Zaevit dhe bashkëpunimin e tij me partitë shqiptare; mbështetjen e vazhdueshme që i jep Milorad Dodikut në Bosnje; rritjen e investimeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake duke blerë prej Rusisë armatime dhe avionë luftarak, siç qe rasti i para një muaji kur bleu dy MIG29 nga Rusia; dështimin e bisedimeve me Kosovën në Bruksel, që shpie ende në mos njohjen e saj; mbështetjen e bazës ruse në Nish dhe prezantimin e saj si mision jo ushtarak etj.

Të gjitha këto, e në mos kaq edhe më tepër, janë shenja se tashmë diçka e pazakontë do të ngjasë. E ajo që do të ngjasë do të jetë në kufi me Austrinë dhe me ato vende tek të cilat ajo ka mbështetur e vijon t’i mbështesë si “kordon sanitar”. A mund të jetë çështja e diskutimit të kufirit Kosovë-Serbi një prelud për të tronditur Ballkanin? Të gjitha analizat e publikuara prej studiuesve dhe politikanëve që e njohin mirë rajonin, sidomos në Berlin dhe Londër kanë thënë: Po! Mund të jetë!

Po ashtu, duke analizuar vizitën e z. Vuçiç në Kosovë këto ditë, mund të heqim edhe disa paralele të tjera. Se së pari, Serbia – sipas Vuçiç – nuk kërkon të anëtarësohet në NATO, duke qenë se nuk kërkon të prish marrëdhëniet me Rusinë, e cila e ka ndihmuar në kohë të vështira. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë vizitës së këtyre ditëve në Kosovë, duke theksuar gjithashtu se ai vet nuk preferon të ndjekë një diplomaci agresive ndaj vendeve fqinje, por dëshiron t’i zgjidhë problemet përmes bisedimeve.

Aq e gënjeshtërt është kjo thënie e tij, sa ç’janë edhe aramatimet që ai blen prej Rusisë, si dhe largimi prej bisedimeve në Bruksel (në datë 7 shtator), duke mos dhënë asnjë arsye përse nuk u realizua takimi i parashikuar mes tij dhe Thaçit.

Së dyti shtrohet një pyetje: Ndaj kujt ka frikë Serbia që po armatoset rëndshëm kohët e fundit? Nëse ajo, duke ju referuar deklaratës së Vuçiçit, dëshiron të jetë neutrale dhe të mos aderojë në NATO, atëherë, përse armatoset dhe revokon marrëdhëniet e saj me Rusinë në ditë të vështira? Këto pyetje mbase ja kanë drejtuar vetes edhe diplomatët austriak në Vjenë, por që tashmë përgjigja e këtyre pyetjeve është e kuptueshme. Ajo tregon se hartat e nxjerra prej mediave serbe (ashtu si dhe armatimet e blera nga qeveria), tregojnë se egziston një oreks shumë i madh për ndryshime territoresh jo vetëm brenda qeverisë serbe por edhe tek një elitë intelektualësh të rinj serb, gjë e cila shihet fare mirë në atë çfarë publikojnë e deklarojnë mediat serbe.

Së treti, mund të thuhet se ndryshimi i situatës në Ballkan në qoftë se ka “trembur” diplomacinë gjermane, që është shumë më larg gjeografikisht por edhe politikisht prej Serbisë, nga ana tjetër duhet të shqetësojë edhe Austrinë. Kjo e fundit ka pasur një traditë të gjatë miqësore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë kontribute shumë të mëdha në zhvillimin e tyre. Për këtë arsye, edhe nëse Vjena nuk shqetësohet për vete ndaj këtyre ndryshimve që mund t’ja shkrepin në Ballkan, ajo ka disa detyrime morale për të kontribuar për qetësimin e situatës si dhe ekuilibrimin e balancave të “fuqive” në rajon.

* * *

Dikur mund të shihje një pozicionim më të qartë të Vjenës në raport me disa shtete ballkanike, sidomos kur bëhej fjalë për terma kërcënues si: ndryshim, korrigjim, redaktim, rishikim kufijsh etj. Vjena e dikurshme do kishte qenë shumë herë më e ashpër nën drejtimin e kancelarëve të vijës meternikase nëse në vijën gjeografike të Ballkanit Perëndimor (term i përdorur kohët e fundit e jo në periudhën perandorake) do përhapeshin kërkesa të tilla, qofshin këto kërkesa prej vet vendeve ballkanike apo prej shteteve të tjera që shprehnin interes në këtë rajon.

Në ndryshim prej shekullit XIX dhe fillimit të atij XX, duket sikur Vjena ka filluar të jetë më pak e ndjeshme karshi rajonit të Ballkanit e sidomos atij perëndimor. Tek-tuk sipërmarje të rëndësishme politike e kanë eklipsuar rolin që dikur luanin Habsburgët prej pallatit të Hofburgut. Brukseli si kryeqendër politiko-ekonomik e BE-së, ka qenë shumë i qartë kur i ka adresuar vendeve si Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, Kosova e Serbia plotësimin e standardeve të kërkuara që të anëtarësohen më pas në Union. Në të njëjtën linjë janë rreshtuar pothuajse të gjitha qeveritë e dekadave të fundit në Austri.

Përveç Brukselit, që prej luftërave ballkanike të fillim viteve ’90, Uashingtoni ka marr përsipër të drejtojë fatet e disa prej shteteve të këtij rajoni duke ndikuar që ato të bëhen anëtare të NATO-s dhe duke nxitur reforma të rëndësishme demokratizuese brenda tyre. Kjo nxitje e Uashingtonit ka ardhur si pasojë e ndikimit në rritje të Rusisë në rajon si dhe mbështetjes që ajo vijon t’i japë Serbisë, qoftë në rrafshin diplomatik ndërkombëtar, ashtu dhe në atë ushtarak e më gjerë.

Kroacia, Shqipëria, e Mali i Zi janë treshja e vendeve që janë bërë pjesë e NATO-s, dy të parat pothuajse para një dekade, ndërkaq Mali i Zi përpara një viti. Nga ana tjetër Maqedonia, Bosnja dhe Kosova janë ende në pritje. E para, Maqedonia, në fund të muajit shtator do vendosi përmes votës popullore (referendum) nëse do e pranojë kompromisin mbi emrin e ri të shtetit sipas marrëvëshjes së Prespës me Greqinë, gjë e cila do ti hapë rrugë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE; E dyta, Bosnja, edhe pse gjithnjë ka pritur një ftesë, vijon të ndjejë presionin serb brenda dhe jashtë saj; ndërkaq Kosova ka një rrugë të gjatë, fillimisht për të mbyllur bisedimet brenda muajit maj 2019 me Serbinë, me synim arritjen e një marrëvëshje të mundshme për njohje prej kësaj të fundit, e më pas për t’u anëtarësuar në institucionet e tjera ndërkombëtare.

Në këtë rafsh gjeopolitik, ndikimi i Austrisë nuk ka qenë në përputhje me synimet e kahershme të saj për të balancuar rritjen e ndikimit sllav, apo dominimin e këtij të fundit në rajon. Është e qartë se Vjena nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor, por është edhe e kuptueshme që faktorë të rinj politik e ekonomik janë shfaqur në gadishull. Kështu ndikimi rus ka ardhur gjithnjë e në rritje, sidomos në Serbi. Nga ana tjetër Kina po subvencionon projekte të ndryshme me qëllim që t’i hapur rrugën kompanive dhe diplomacisë kineze më pas. Gjithashtu ShBA-të po ndjejnë një tkurrje të politikave të jashtme dhe ndoshta Ballkani nuk futet më në listën e prioriteteve të dikurshme. Këto lëkundje e bëjnë rolin e Austrisë vital, sidomos kur bëhet fjalë për të mbrojtur interesat e saj ballkanike.

E gjendur përballë një sfide shumë të madhe siç qe ajo e emigracionit masiv prej Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore drejt BE-së, Vjena e pati të pamundur të përqendrohet në rritjen dhe fuqizimin e ndikimit politik e diplomatik të saj në Ballkanin Perëndimor. Motoja e Vjenës gjatë gjashtë muajve të saj në krye të BE (korrik-dhjetor 2018) është ajo për "një Bashkim Evropian që mbron kontinentit kundër migracionit”.

Teksa Austria mori presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Evropian nga Bullgaria (në fund të muajit korrik 2018), diplomatët vjenezë patën deklaruar se Vjena do e kishte shumë të vështirë të fokusohej në rritjen e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor, pasi disa çështje të tjera më të rëndësishme qendronin në rendin e ditës. Për këtë arsye, forcimi i kontrolleve të kufirit të jashtëm dhe lufta kundër migracionit, së bashku me reformën e brendshme të BE do të përbënin agjendën kryesore të 6-mujorit të presidencës austriake.

Në fakt, Presidenca bullgare e BE-së u përqëndrua dhe kontribuoi shumë në organizimin e Samitit Evropian mbi Ballkanin Perëndimor (në maj) për nxitjen dhe integrimin e mëtejshëm të gjashtë vendeve në rajon - Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbisë. E duke qenë se vendimi përfundimtar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë u shty deri në qershor 2019, Viena do e ketë të pamundur të “përvetësojë” politikisht rolin drejtues brenda kësaj presidence, për shancin e (mos)dhënë ndaj këtyre shteteve në hapjen e bisedimeve gjatë këtij viti.

Në antitezë me këtë gjë, kancelari Sebastian Kurz deklaroi në qershor të këtij viti se çështja e emigracionit mund të zgjidhej duke e kthyer Shqipërinë në një vend pritës (qendër apo azil) për mijëra refugjatë që kërkojnë të futen në Evropë. Ndoshta kjo mund të ketë qenë një zgjidhje e mundshme për Austrinë dhe disa vende evropiane, por nga ana tjetër ajo tregon se investimet e bëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të siguruar stabilitet, nuk janë aq të rëndësishme përballë çështjes së emigracionit. Njëtrajtësisht, kjo mund të këtë shërbyer edhe si sinjal për politikën serbe, – e cila di ta lexojë shumë mirë situatën diplomatike evropiane, – duke i treguar se ku qendron pika nevralgjike e fqinjit veri-perëndimor dhe se hapja e çështjes për të shkëmbyer territore dhe popullsi me Kosovën nuk do të përbëjë aspak problem.

Në këtë situatë, në tryezën diplomatike të kancelarisë vjenezë qendrojnë të parashtruara dy probleme: 1) zgjidhja e çështjes së emigracionit duke mbyllur kufijtë apo përmes ndonjë zgjidhje tjetër; 2) situata precipituese në Ballkan, sidomos ajo ndërmjet bisedimeve Kosovë-Serbi, e cila përveç precedentëve që mund të prodhojë, mund ta shpjerë Ballkanin në kufijtë e të pangjarës.

Austria si një vend kufitar me Serbinë ka vetëm një alternativë: të minojë përpjekjen e Serbisë për shkëmbim apo korrigjim kufijsh me Kosovën, si dhe të ndalojë bashkimin e Republikës Serbe të Bosnjes me Serbinë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë me shumë siguri që do jenë popullsitë e Ballkanit që do i drejtohen përmes një emigracioni masiv Evropës Qendrore e Perëndimore, e jo më ato të Afrikës Veriore e Lindjes së Mesme.

Ky rol i Austrisë nuk është mesianizëm për Ballkanin Perëndimor, por ai është një “modus vivendi” i vendosur ç’prej mbi një shekulli, e nëse Austria tërhiqët në këtë moment duke e drejtuar interesin gjetkë, atëherë konsekuencat për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm do të jenë të mëdha.

Këtë mesazh, d.m.th. të rrezikut që i kanoset Ballkanit prej ndryshimeve që Serbia po mëshon t’i realizojë, ndër shumë të tjerë, e perifrazoi së fundmi edhe Lord Paddy Ashdown (ish përfaqësuesi i lartë për paqen në Bosnje Hercegovinën) duke thënë se “Ballkani po rrëshket në një tjetër konflik”.

Përveç tij, vizita e Merkelit dhe Stoltenbergut në Maqedoni theksoi edhe njëherë rëndësinë e paqes në Ballkan si dhe ecurinë e proceseve integruese dhe atyre euro-atlantike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco