Nga terapia e shock-ut, te Reforma në Drejtësi

Nga terapia e shock-ut, te Reforma në Drejtësi

Nga Petrit Vasili - 31/07/2018

Fatkeqësisht, toleranca, të duruarit e sakrificave dhe mendjehapja, si cilësi të jashtëzakonshme të shqiptarëve janë shpërdoruar fatalisht në kurriz të tyre.

Ndërkombëtarët, vite më parë në fillimet e pluralizmit, duke shpërdoruar naivitetin politik, kompleksin e inferioritetit ndaj të huajve, besimin e verbër të çdo fjale dhe ideje, që vjen nga jashtë dhe trashëgiminë e një varfërie tragjike, eksperimentuan si në asnjë vend të Lindjes të famshmen terapi të shock-ut në ekonomi.

Çdo gjë e mëparshme në ekonomi do të asgjësohej dhe mbi këto gërmadha do të ngrihej ekonomia e re, e ndritur, e lulëzuar, thënë thjesht, ekonomia e ëndrrave. Ky eksperiment pa asnjë precedent në Europë u zbatua egërsisht në çdo cep të Shqipërisë dhe mbi çdo njësi ekonomike të çdo madhësie e dimensioni.

Dhe prodhoi një shkatërrim të frikshëm, të pakontrolluar, që stimuloi një kaos, që vrau çdo shpresë dhe për më tepër, dekurajoi optimizmin e sipërmarrjes vendëse e të huaj, aq të domosdoshëm në atë fillim të ri, si dhe stimuloi korrupsionin dhe grabitjen e shfrenuar të pronës.

Ndërsa sot, fatalisht historia u ripërsërit në mënyrë identike me Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi, sipas një modeli të ngjashëm me terapinë e shock-ut në drejtësi, parashihte shkatërrimin kryq e themel të sistemit të drejtësisë së mëparshme dhe ngritjes së sistemit të drejtësisë së ëndrrave. Ky eksperiment nuk është aplikuar si i tillë në asnjë vend tjetër europian.

Me këtë filozofi të vjetër, të njëjtë me atë të terapisë së shokut në ekonomi më 1992, aktualisht Reforma në Drejtësi është akoma më e rrezikshme sesa terapia e shock-ut në ekonomi e vitit 1992, sepse kjo gjoja reformë e re në drejtësi nuk po shkatërronte drejtësinë e komunizmit, por drejtësinë e pluralizmit.

Në ngritjen e drejtësisë së pluralizmit kishin kontribuar pa pushim për më shumë se një çerek shekulli Këshilli i Europës, BE, SHBA në mënyrë direkte, politike, por edhe teknike me misione asistence shumëvjeçare. Qartazi, kjo terapi shock-u në drejtësi ishte sa paradoksale në formë, aq edhe e rrezikshme në përmbajtje.

Sarkazma më e rëndë është p.sh., që i njëjti Euralius që kish bekuar dhe asistuar dhjetëra ligje, kode etj., sot do të bënte shkatërrimin dhe asgjësimin e punës së tij. Dhe ky eksperiment i çartur me Reformën në Drejtësi, i refuzuar në formë e përmbajtje nga të gjitha vendet e tjera europiane, prodhoi dështimin e rëndë të paralajmëruar: dekapitimin dhe asgjësimin e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe bllokimin e qëllimshëm të ngritjes së qeverisjes së re, pasi aktualisht s’ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, nuk ka KLGJ, nuk ka KLP, nuk ka Inspektorat të Lartë të Drejtësisë, praktikisht jemi në kaos, antikushtetutshmëria mbretëron, antiligjshmëria është bërë ligj dhe kapja e sistemit të drejtësisë nga rilindja në pushtet është i vetmi rezultat i famshëm i reformës së famshme në drejtësi.

Shqipëria është shndërruar sot në tokë të shkretuar nga eksperimente të dështuara, me pasoja tronditëse në dhjetëra vjet. Është koha për të refuzuar prerë dhe pa asnjë kompleks, çdo sugjerim apo këshillë aventureske që vjen nga të huajt, pasi Shqipëria dhe shqiptaret nuk mund të shërbejnë më si kavje për eksperimente monstruoze, që bien mbi kurrizin e tyre dhe ku pasojat e tyre i vuajnë po vetë shqiptarët deri në palcë. /Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp31/07/2018 19:40

Z.Vasili,po te ishte gjalle Sh.Enver analizen tuaj do ta quante nje 'Analize te Modifikuar Gjenetikisht" dhe do ju pinte e zeza."A nuk jua kam lene une te tera me shkrim more vulehumbur"."Rreziku Anglo-Amerikan per Shqiperine" pse e mbani ne biblioteke per zbukurim.Po "Euro-Socializmi eshte Antikomunizem "nuk ja hodhet nje sy.Po si ore j'ua hodhi bota sy me sy.J'ua hodhi ne 1990,ne 1991, 1997,edhe nuk nxute mend.Ua futi edhe ne 2016 me ndryshimet kushtetuese .Tashti e kuptuat. Po ju jap edhe nje keshille per here te fundit:"behuni bashke prap te 140 deputetet ngujohuni ne greve urije dhe vendosni ta cbeni ate qe bete ne 21-22 Korrik 2016.Vetem duhet kujdes ,shtoni propoganden qe t'ju kuptoj edhe populli se kam merake se mos ata te huajt jua versulin popullin ne parlament dhe ju kapin si miun ne dhekan thomi na nga Girokastra.

Shto koment

Denonco