Fuçia e marinarëve dhe Fuçia 3D!

Fuçia e marinarëve dhe Fuçia 3D!

Nga Hysni Gurra - 31/07/2018

Erdhi në pushtet me një fuçi me premtime!

Fuçia kryen një sërë funksionesh, sipas rastit dhe vendit ku dhe pse përdoret. Fuçia e premtimeve të rilindjes në vitin 2013 ishte e kuruar mire nga jashtë, dhe shtresa  e sipërme e saj ishte gjalp.

E besuam, e kush nuk do të shijoje të mirën!

Populli zakonisht është i prirur të besojë diçka të paprovuar më parë, nuk është asnjëherë i kënaqur me atë që ka. Është natyra e njeriut, në fund të fundit, që kërkon gjithmonë e më mirë.

Pesë vite më parë “rilindasit” pasi kishin provuar të rrëzonin me protesta (të dhunshme) një pushtet, ndryshuan taktikë.
Shkonin në fshat, paraqisnin gjendjen ekzistuese, ngjyenin gishtin te fuçia e tyre dhe nxirrnin një premtim. Shkonin zonat turistike, paraqisnin gjendjen ekzistuese, ngjyenin gishtin te fuçia e tyre dhe nxirrnin një premtim. Shkonin në spitale, paraqitnin gjendjen ekzistuese, ngjyenin gishtin te fuçia e tyre dhe nxirrnin një premtim.

Shkonin në zonat naftëmbajtëse dhe minerare të vendit, paraqisnin gjendjen ekzistuese, ngjyenin gishtin te fuçia e tyre dhe nxirrnin një premtim. Shkonin në rrugë, në shkolla, në qytete, tek biznesi, shkonin në çdo qelizë ekonomiko-sociale të vendit, paraqisnin gjendjen ekzistuese, ngjyenin gishtin te fuçia e tyre dhe nxirrnin një premtim. I besuan, i votuan herën e parë.

Nuk i besuan, i votuan prap herën e dytë, sepse u lyen pak buzët votuesve. Disave ua blenë votat, disa të tjerë s’kishin fuçi serioze alternative (opozita), dhe një pjesë është inercia që prodhon çdo pushtet natyrshëm. Mirëpo, pas pesë vitesh në pushtet, u kuptua se fuçia qe bosh. Fshati nuk u rregullua. Naftëtarët nuk u paguan. Minatorët vazhdojnë vdesin dhe punojnë në kushte mizerabël. Mjekësia nuk u bë falas siç u tregua gishti.

Qytetet u betonizuan, nuk u zhvilluan. Turizmi, edhe pse u stimulua me një taksë të ulët, duket se nuk ka asnjë ndryshim. Arsimi kushton më shumë. Rrugët mbetën rrugëve. Pasuritë dhe shërbimet publike i mori PPP-ja, një fuçi kjo që duket se s’ka të ngopur. Organizmat ndërkombëtare po i bien këmbanave të alarmit. Gjendja e brendshme po zien, fuçia e premtimeve po thartohet dhe po shpërthen.

Por, ka gjithmonë një mundësi për të zgjatur jetën e pushtetit, dhe kjo mundësi është kalimi i propagandës në një stad më të sofistikuar.  Dijetarët e Mardhënieve me Popullin (PR) të anijes qeveritare po përdorin një taktikë që përdorin detarët. Detarët kur ndeshin në balenë, i hedhin asaj një fuçi bosh si për ta zbavitur, por në fakt për t’i tërhequr vëmendjen dhe për të shmangur, kështu, ndonjë sulm të furishëm nga ana e saj mbi anijen. Kështu paraqitet sot, kur gjendja duket se po agravon dhe populli po e kupton se fuçia e premtimeve e para pesë viteve qe e gënjeshtërt. Makina e propagandës po hedhe fuçi boshe në media, në ERTV, në rrjetet sociale të vetë timonierit të anijes, për të gënjyer balenën (popullin).

Publikon ardhjen e një jahti luksoz në bregdetin e Sarandës, publikon rrugë që shtrohen vetëm në FB, shkolla, spitale, të punësuar etj. Marinarët hidhnin në det fuçi boshe, por të vërteta, këta hedhin fuçi 3D në Facebook, dhe kërkojnë t’i marrin mendjen balenës që noton në ujrat e Adriatikut duke e gënjyer me një mrekulli që po ndodh në ujërat e Jonit.

Anija është në rrezik, balena duket se nuk do të gënjehet më për një kohë aq të gjatë sa u gënjye nga fuçia e gënjeshtrave në 2013. Fuçi boshe që hedhin dijetarët e marrëdhënieve me popullin dhe timonieri i tyre në detin mediatik dhe rrjetet e tij sociale, do të futin ujë shumë shpejt dhe balena e di prenë e saj!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco