Fshatari kinez i Galerisë dhe Stalini në oborr!

Fshatari kinez i Galerisë dhe Stalini në oborr!

Nga Bled Komini - 31/07/2018

‘Fshatari kinez’ i Galerisë Kombëtare të Arteve është vepër (në bronz) e Andrea Manos realizuar në vitin 1965. Një vepër që në vetvete nuk përcjell ndonjë mesazh, por në korrelacion me pavijonin ku shfaqet, të shpie në një dimension kohor, që mesa duket nuk është edhe aq larg nga viti i realizimit (1965).

Nuk dua të gjykoj aspak ‘Fshatarin kinez’ si vepër arti e aq më tepër fshatarin dhe fshatarët kudo qofshin. Thjesht po e vendos këtë vepër arti në kontekstin kohor në të cilin ne jetojmë. E brenda këtij realiteti, po i zhvesh edhe dimensionin prejardhës. D.m.th., fakti që është nga Kina, nuk është tregues. Mund të ishte edhe nga Koreja e Veriut, Vietnami, Kuba, Rusia, Shqipëria a tjetër kund. 

Teksa analizon situatën dhe gjendjen në të cilën zhvillohet jo vetëm arti, por kultura në tërësi dhe shkenca në vend; ashtu si dhe politika, diplomacia, zhvillimi ekonomik dhe shumë sektorë të tjerë të jetës shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike, ndjesia e të gjendurit në një pavijon përball “fshatarit” të cilësdo kombësie, të sikletos dhe të fut në një ankth të gjallë për të tashmen dhe të ardhmen në përgjithësi.

Ngadalë kupton se nocioni i "artit fshataresk" ose "fshatarit si vepër arti" është rikthyer me fuqishëm se kurrë. E tërë klasa intelektuale, ngjashëm si ajo politike, ka kohë që nuk po prodhon më intelekt, art dhe kulturë, por thjesht fabrikon diçitura, klishera dhe labirinte politikash sociale, ekonomike, financiare e kulturore. Në këtë labirint që është formësuar ndër dekada vitesh, i humburi më i madh është njeriu i urtisë, ideve, i veprimit, ai që “fshatarin” e shikon si prodhim të domosdoshmërisë agrare e bujqësore, e jo si dimension të Urbis et Orbi (jetës qytetare-urbanizimit).

Kjo lloj politikberje, njësoj si dikur, kur fshati nxitej të qeversite qytetin, ka rezultuar të jete fatale për shqiptarët. Qeverisja e pronës publike dhe jo vetëm, por edhe e çdo gjëje tjetër me vlerë sikur të ishte ngastër personale, është një ndër problemet më të ndjeshme në Shqipërinë e pas viteve ‘90. Kjo ka bërë që diskuri politik të ulet në një nivel aspak përfaqësues si brenda vendit, ashtu dhe jashtë tij. Tashmë është e qartë se në mënyrë të pavetëdijshme ne kaluam nga mbruajtja e "njeriut të ri" komunist, drejt fabrikimit të "njeriut lokalist" pseudokapitalist. Atij njeriu, që qeveriset në mënyrë makiaveliste, e që nuk kundërshton pandershmërinë në kurriz të ndershmërisë.

“Ngastra”, aty ku fillon dhe mbaron jeta e njeriut lokalist, ishte dhe ka mbetur tipari më dallues i shqiptarit të periudhës postkomuniste. Forcat tërheqëse të prodhuara sistematikisht prej modelit në fjalë (ngastrizimit), parcelizuan në të njëjtën kohë të gjitha dimensionet e jetës: mendimin, artin, kulturën, jetën sociale, përfaqësimin, politikbërjen, ekonominë, akademinë, e çdo gjë të vlefshme prej së cilës mund të nxirrej një qindarkë përfitim.

Në këtë fragment, apo çast historik, na shfaqet si një kimerë e kohëve moderne metamorfoza mes koncepteve "vepër arti", e "qeverisja si art në vetvete". Realizimi i aspiratave të këtij kombi, të kësaj vepre të paplotësuar ndër dhjetra e qindra vjetë, që do ishte Shqipëria e mijëvjeçarit të ri, një kombi ndaj së cilit padrejtësitë e së shkuarës filluan të vihen në vend, nuk e tejkaluan dot veten, por këto aspirate u shfaqën brenda kontekstit dhe formës së kooperativizimit të mendjes. Ato gjetën formën e tyre ideale tek “pavioni i surealizmit pseudokapitalist”, ku bashkë me “fshatarin kinez” tashmë gjendet edhe “shqiptari i atrofizuar”. 

Shkurt mund të thuhet se fshatari i Galerisë Kombëtare të Arteve është po aq aktual sa ç'ka qenë në kohën kur artisti e ka krijuar. E aktualizimi i tij do bëhej edhe më perfekt e ironik, nëse përbri tij do vendosej një vepër tjetër arti, ajo e “shqiptarit të atrofizuar”, që bashkë me "fshatarin kinez" do përcaktonin artistikisht evoluimim e këtij populli në këto 7-8 dekada.

Në mungesë të veprës së “shqiptarit pa formë” vet Galeria është përpjekur të na e gjejë më së mirë figurën që i shkon “fshatarit kinez”! Pak më tutje, në oborr, i dergjur si në kohërat e veta më të mira, me pamje nga Perëndimi qendron statik dhe enigmatik busti i Stalinit.

Fshatari kinez, dhe Stalini në oborr, janë ndoshta dy ndër shumë atipizmat e një shoqërie që edhe pse sheh nga perëndimi, ende vërtitet në shkretëtirë duke u munduar që të gjej Yllin Polar si orientim drejt “tokës së premtuar”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco