Lajmi i fundit

LIVE/ Tensionohet protesta para Bashkisë së Tiranës

Si po korruptohen ndërkombëtarët e Tiranës

Si po korruptohen ndërkombëtarët e Tiranës

Nga Fatos Lubonja - 30/07/2018

Ky i Reformës në Drejtësi ishte një dështim i paralajmëruar nga jo pak vetë, por më emblematiku mbetet paralajmërimi i Komisionit të Venecias pasi iu dërgua drafti: “Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tilla radikale (si procesi i rivlerësimit [vetingut F.L.]) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shtojnë mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmangin vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijojnë rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin”.

Provat se ka ndodhur pikërisht kështu janë të shumta. Madje, e kanë kaluar imagjinatën e komisionarëve të Venecias sepse askujt asokohe nuk do t’i shkonte mendja se “destabilizimi i punës së gjyqtarëve” do të arrinte deri aty sa vendi të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, se do të bllokohej shkolla e Magjistraturës etj.. Po ashtu, edhe për sa i përket kapjes, askush nuk e imagjinonte se në sajë të Reformës, do të kishim një Kryeprokurore si Arta Marku, që me veprimet dhe mosveprimet e saj po sillet si kamikaze e maxhorancës. (Mjaft të kesh parasysh mënyrën sesi u soll ndaj protestuesve të Kukësit apo rastin e vëllait të Xhafajt më një anë dhe heshtjen ndaj grabitjes që synohet t’i bëhet pronës publike te Teatri Kombëtar më anë tjetër).

Pikëpyetja që ngrihet është: si ka mundësi që ndërkombëtarët që u konsideruan si garanti i Reformës vazhdojnë ta mburrin si një punë të suksesshme dhe të këmbëngulin në vazhdimin e procesit të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama?

Sigurisht, nuk mund të futen të gjithë ndërkombëtarët në një thes dhe po ashtu nuk mund të gjesh një arsye të vetme për këtë, por po rreshtoj disa arsyeve që më duken më evidentet.

NDJENJA E SUPERIORITET

Duke ndjekur aktivitetin dhe deklaratat e ambasadores së BE, Vllahutin, apo të ambasadorit amerikan, Donald Lu, (që u ekspozuan si kampionët e reformës) ashtu sikurse edhe të disa funksionarëve të BE si Hann, nuk mund të mos konstatosh një pozicion prej sipërori që dikton dhe imponon zgjidhje, që për shqiptarët duhet të jenë të padiskutueshme. Asnjë dialog me shqiptarët e tjerë përveç maxhorancës nuk kemi parë të zhvillohet kur u vendos që të kryhej kjo reformë. U bë një punë nën rrogoz nga fondacioni Soros që ka vite tash më që nuk vepron si kundërpart i pushtetit, por si “levë e partisë” së Edi Ramës, që ndihmoi në përgatitjen e një drafti që nxirrte sheshit synimet e maxhorancës për ta vënë Drejtësinë në dorë të Qeverisë, për të cilin Vllahutin deklaroi se mund të votohej edhe pa miratimin e opozitës. Ky qëndrim prej sipërori që dikton dhe nuk dialogon e që bashkëpunon vetëm me ata që kanë pushtetin ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot të mos ngrejë asnjë dyshim të arsyeshëm tek këta ndërkombëtarë, me gjithë dështimin e prekshëm dhe me gjithë skandalet e përditshme të qeverisë së Edi Ramës, që tregojnë se kjo kategori politikanësh nuk ka asnjë lidhje me respektin ndaj drejtësisë dhe ligjit.

MOSNJOHJA DHE MANIPULIMI

Kur i shkruaja një njeriu të njohur se si ka mundësi që nuk reagon ambasadori italian Cotullo lidhur me atë që po ndodh me Teatrin (duke pasur parasysh jo vetëm shkeljet e Kushtetutës shqiptare e ato të ligjeve europiane, por edhe se bëhej fjalë për një trashëgimi kulturore që na lidh me Italinë e për të cilën Instituti Italian i Kulturës ka shpenzuar para për ta promovuar), m’u përgjigj: “Por, ai ndoshta nuk e di krejt historinë sepse ka ardhur në Shqipëri vetëm dy vjet më parë. Dhe ambasada nuk është selia e KGB, ku dihet gjithçka për të gjithë”. Pyetja që të vjen vetvetiu është: po atëherë, kur paskan një njohje kaq të cekët të realitetit shqiptar, përse mbështesin pa rezerva gjëra që kërkojnë një njohje shumë më të thellë sesa njohja e historisë së arkitekturës së Tiranës, siç është raporti i politikës me drejtësinë në Shqipëri?

Gjykoj se kjo nuk është vetëm çështje cektësie njohjeje, por edhe manipulimi. Tashmë dihet se ka një grup aktivistësh shqiptarë, dhe jo vetëm, që në një mënyrë ose në një tjetër, janë të kapur nga maxhoranca, kryesisht me forcën e lekut, e që nuk kanë punë tjetër, veçse të xhirojnë nëpër ambasada që të japin opinionin e tyre “të pavarur” në favor të qeverisë për çfarë ndodh në Shqipëri.

ZGJEDHJA IDEOLOGJIKE

Një arsye tjetër është edhe mbështetja apriori, pa asnjë mendim kritik, i partive të qendrës së majtë europiane që e konsiderojnë partinë e Edi Ramës si pjesë e familjes së saj europiane. Ka dy arsye për këtë mbështetje: së pari mosinformimi se PS nuk është një parti e majtë, por vegla më e paskrupullt e oligarkisë dhe ekonomisë kriminale, që ka katandisur në mjerim dhe dëshpërim shtresat më të brishta të vendit. Së dyti, fakti se edhe në Perëndim partitë e qendrës së majtë nuk e kanë më ndjeshmërinë që kanë pasur ndaj pjesës më të brishtë të popullsisë – çka ka shkaktuar edhe rënien e popullariteti të tyre. Përndryshe, Edi Rama nuk do të guxonte t’i mburrej publikisht Mateo Renzit se në Shqipëri nuk ka sindikata, si në Itali, prandaj investitorët italianë nuk duhet të tuten të vijnë këtu.

KONFLIKTI I INTERESAVE

Buon-sensi minimal të thotë se nuk është “fair” që ambasadorë që punojnë, të sjellin armët kimike apo muhaxhedinët në Shqipëri, apo biznese të vendeve të tyre, – për çka u duhet miratimi i maxhorancës dhe i qeverisë së krijuar prej saj, – të punojnë njëkohësisht edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, që normalisht do të duhet të ketë target kryesor pikërisht maxhorancën, pasi historia jonë tregon se zullumet më të mëdha në këtë vend i kanë bërë gjithmonë maxhorancat. Edhe nevoja e injorimit të këtij konflikti interesi i kanë bërë mjaft ambasadorë të rreshtohen “nga ana e forcës politike që kontrollon procesin” e Reformës në Drejtësi.

PUNA KORRUPTUESE E EDI RAMËS & CO

Fakti që nuk kemi prova evidente për korruptimin e ndërkombëtarëve të caktuar të përfshirë në mbështetjen e Reformës në Drejtësi – ndonëse rasti i vilës së Vllahutin në Rolling Hills apo ndërhyrja e Lu në Prokurorinë shqiptare për Bankers Petrolium janë tejet të dyshimta – nuk na pengon ta ngremë hipotezën e korruptimi të ndërkombëtarëve, duke pasur parasysh se ka tashmë prova të shumta se politikat e rilindësve të Ramës janë gjerësisht dhe thellësisht të bazuara në blerjen dhe korruptimin e njerëzve si brenda dhe jashtë vendit. Për gjithë sa thashë, gjykoj se ndërkombëtarët e përfshirë në këtë të ashtuquajtur Reformë në Drejtësi nuk duhen konsideruar më si shpresë e zgjidhjes së problemit të krijuar, por si pjesë e këtij problemi.

/Botuar në gazetën Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

e vrteta31/07/2018 09:40

Nëse do ti bëhet një analizë historike sistemeve diktatoriale në Europën që u bë edhe kontinenti ku lindën dy luftërat e përgjakëshme botërore, rezulton se si diktatura naziste edhe ajo komuniste lindën nga ideollogji "te majta".
Ishte "nacional-socializmi" gjerman si ideollogji e supremacisë racore, që prodhoi diktaturën naziste hitleriane. Ishte abuzimi me të ashtuquajturën "diktaturë e proletariatit" si pjesë e fillozofisë marksiste, që polli komunizmin shtetëror stalinist në ish Bashkimin sovjetik e më gjërë.
Është llogaritur se si pasojë e agresivitetit të Hitlerit në Luftën e dytë botërore, pati deri në 50 milionë viktima.
Tragjikisht e paradoksalisht, nga sistemet diktatoriale komuniste, jo më në luftë por në kohë "paqeje", pati dyfishin e viktimave, rreth 100 milionë.
Sistemet diktatoriale komuniste, persekutuan e vranë jo vetëm të ashtuquajturit "kapitalistë" apo "kulakë", por në shumicë persekutuan edhe bashkëpuntorët e ngushtë të diktatorëve.
Në fund të jetës së diktatorit stalinist shqiptar, Enver Hoxhës, nuk kishte ngelur pothuajse asnjë "themelues" i PKSH.veç tij, e jo vetëm kaq, por pothuajse të gjithë komandantët e formcineve të brigadave e divizioneve partizane, ose ishin vrarë pas shpine, ose ishin pushkatuar pa gjyq, ose u vranëe persekutuan familjarisht me palo gjyqesh të një drejtësie diktatoriale.
Ka bërë shumë mirë Lubonja që ka shtjelluar një të vërtetë tashmë të faktuar, sa i takon së ashtuquajturës "reformë në drejtësi" me investimet e spekullantit multimiliarder Soros..
Por ndonëse Lubonja ishte vetë një viktimë e një diktature "majtiste", ai nuk heq dorë nga idetë marksiste të ndëshkimit në grup të gjithë kapitalistëve.
Është e vërtetë se Edi Rama në praktikën e tij qeverisëse,ndryshe nga retorika majtiste me të ciln fiton votat, qeverisjen e ka bazuar në fuqizimin e oligarkëve të pasuruar në rrugë të pista e deri kriminale, duke u shitur jashtë Shqipërisë si mbrojtës i sistemit kapitalist perëndimor
Por Edi Rama në fakt nuk është as i majtë e as i djathtë e është me kokën fare bosh sa i takon ideollogjive politike.. Ai është thjeshtë një aventurier energjik politik, që në retorikë shfrytëzon për vota pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare, një shumicë dominuese e varfër, me parullat komuniste që t'ju a marim paratë kapitalistëve e t'ju a ndajmë të varfërve, e në praktikë bën të kundërtën., i rrjep më shumë shqiptarët e varfër që të pasurojë oligarkët mafiozë që e mbajnë në pushtet.
Për hir të së vërtetës, Rama është më i kjartë se Lubonja në veprimin politik.
Ai e ka përdorur "me sukses" dyfytyrësinë e tij, një për ndërkombëtarët e tjetrën për shqiptarët.
Libonja fatkeqësisht nuk e kupton se duke qenë edhe kundër gjithë politikanëve, edhe kundër shqiptarëve edhe kundër të gjithë "ndërkombëtarve kapitalistë", do të jetë gjithmonë i dyshimtë në analizat e tij.
Lubonjës i ka mbetur ora akoma në "denimin e kapitalizmit" si sistem antipopullor, ashtu siç ishtë mësuar të dëgjonte gjatë fëminisë e rinisë së tij në rrethin familjar.

Ajo31/07/2018 02:37

Z. Lubonja megjithese komunistet i moren 17 vitet me te bukura te jetes, perseri beson dhe shpreson tek e majta!
Analizat e situatave i ben shume qarte dhe bukur, por kur vjen puna se si ti jepet zgjidhje situates, Z. Lubonja e gjen pergjigjen tek Marksi, i cili po ashtu i beri nje analize te sakte kapitalizmit te shekullit te 19-te, ....por na la peshqesh teorine e revolucionit te dhunshem proletar, pasojat e zbatimit te se ciles ne jete sollen shume mjerim ne gjysmen e Europes prej gati nje shekulli. Ne sot po vuajme pasojat e asaj doktrine utopike, qe kur vihet ne jete kthehet ne nje monster dhe shkaterron jete njerezish. Z. Lubonja kurre nuk i ka njohur asnje merite PD-se ( megjithese ishte ajo qe e shpetoi nga burgu komunist). Edhe sot, i vetedijshem se ku po e con vendin ish- miku i tij i ngushte Rama, per fuqizimin politik te se cilit Lubonja me shoke kane nje” merite” shume te madhe dhe kurre s’ ka kerkuar nje here ndjese publike, ju Z. Lubonja perseri zgjidhjen e shihni tek revolucioni proletar apo nuk e di se kurre nuk i shkoni deri ne fund idese, por asnjehere tek shteti i se drejtes kur ne fuqi eshte nje force politike e djathte.
Kisha nje pyetje per ju: vjet gjate fushates zgjedhore ju kishit besim se forca me e mire politike dhe e “ re”( !!!) ishte libra me Ben Blushin ne krye se ciles i dhe edhe voten. Vetem ky fakt tregon se cfare analisti jeni. Fenomeni i demagogut Blushi besoj se duhet te hyje ne analet e historise se politikes shqiptare, si shembulli i politikanit me te korruptuar dhe hipokrit. Partia jeteshkurter Libra, menyra e turpshme se si e brakisi udheheqesi i “ lavdishem” Blushi, kalimi i tij ne Top Channel dhe venia ne sherbim te plote te Edi Rames, te ashtuquajturit armikut te tij me te madh, jane cudira qe vetem komunistet e kthyer ne kapitaliste mund te bejne. Perse ju Z. Lubonja nuk e permendni kurre apo analizoni fenomenin Blushi?
Apo keni turp sepse perndryshe do pranoni besimin infantil qe akoma keni tek e majta europiane ne pergjithesi dhe neo- komunistet ne vecanti ne Shqiperi?

i deleguari30/07/2018 18:18

Me pelqen qendrim jot kritik si demek "mbi palet" o Ljuba,ashtu si edhe i shume nga te seres tende qe bete cmos per te rrezuar Sali Berishen,te tille si Artur Zheji,Andi Bushati,Muc Nano,Nazarkot,Skender Minxhozi,Lorenc Vangjeli,Afrim Krasniqi ,Ylli Rakipi,Baton Haxhiu,e ndonje tjeter... dhe qe sot u ka humbur pordha vrimen.C'te ka ndodhur qe s'te pelqen me anetaresimi ne "bashkesine e qelbesirave kunder Berishes" ? Po c'prisni mor legena nga ambasadoret,kur keni helmuar per nje kocke, gjithe opinionin,me kapardisjet si macoku ne theker ne cdo studio tv. plot shpifje e mashtrime filozofiko-demokratike.kunder nje qeverisje qe dallon si nata me diten ndaj kesaj tuajes te kelysheve te byrose! Turp tju vije ,nuk kerkoni as ndjese jo. U marrosshit e marrshit malet gjith tufa juaj e lesh-analisteve!

EC30/07/2018 17:49

Paragrafi "Zgjedhja ideologjike" tregon se, në fakt, nuk është e vërtetë që Majta Evropiane është gënjyer prej shokëve rilindas dhe se nuk e ka informacionin që PS-ja ka nuk ka lidhje me të Majtën, por e vërteta është që Lubonja nuk e ka njohur siç duhet të Majtën Evropianë dhe të Majtën në tërësi dhe nuk e ka kapur që ndryshimi mes PS-së sonë dhe të Majtës Evropiane është vetëm në sasi, por cilësisht ato janë njëlloj. Ndaj edhe të Majtës Evropiane as që ia ndjen fare për faktin që Rama dhe PS-ja jonë (ish-PPSH) është e lihdur me "oligarkët". E thoshte Marksi i këtyre: "Ndryshimet sasiore prodhojnë ndryshime cilësore." Dhe paskësh pasur të drejtë. Në perspektivë, ndryshimet cilësore po bëjnë jo që PS-ja jonë të bëhet më e përafërt me atë çfarë Lubonja thotë se ka si ideal të majtë në kokë, por përkundrazi, e Mjata Evropiane është ajo që sa vjen e bëhet më fort si PS-ja jonë. Pas shtatores së Karlit në Trir, s'ka mbetur shumë për të thënë. E Majta Marksin dhe e Englsin i ka vetëm si pikënisjen e rrugës që çon te Lenini, Stalini, Xherzhinski, Enveri e në fund te Fatos Nano e te Edi Rama.

Shto koment

Denonco