Një paketë ligjesh fashiste për të kënaqur ëndrrat e një zombie-kryeministër

Një paketë ligjesh fashiste për të kënaqur ëndrrat e një zombie-kryeministër

Nga Ilir Nikolla - 25/07/2018

Nga frika se mos procesit të vetingut i del boja pa mbërritur qëllimet e përcaktuara në platformën Rama-Soros për një drejtësi të re në Shqipëri, si fanar ndriçues për Ballkanin dhe vendet ish-komuniste, entourage-i mediatik i kryeministrit ka hedhur këto dy ditë në media tezën e miratimit të një pakete të re ligjesh speciale, në bazë të të cilës do të rishikohen të gjitha vendimet e marra nga gjyqtarët që nuk e kanë kaluar vetingun.

I pari që e shqipton këtë marri është padyshim njeriu më larg historisë tonë dhe më i familjarizuari me ligjet e karakterit fashist, botuesi i ‘Shqiptarja.com’.

Duke injoruar krejtësisht faktin se reforma kushtetuese e 2016-s e ka mundësuar rishikimin e vendimeve të të gjithë gjyqtarëve që i nënshtrohen vetingut, Carlo Bollino thotë se largimi i gjyqtarëve nga sistemi nuk mjafton, se duhen kthyer mbrapsht të gjitha vendimet e marra prej tyre në vite.

Të nesërmen, duke bërë sikur e kundërshton tezën, si moralisht të drejtë por praktikisht të pazbatueshme, një tjetër analist pranë kryeministrit, i bën jehonë idesë ‘sa mirë do të ishte sikur vendimet e gjyqtarëve të kthehen mbrapsht’.

Kërkesat publike duket sikur po hidhen për të testuar pulsin e opinionit publik, nëse ai do ta gëlltisë edhe këtë dëshirë të re të Edi Ramës, që pasi është bërë kryeministër, kryeprokuror e kryegjykatës i Shqipërisë së 2018-s, kërkon që sipas parimit të retroaktivitetit, t’i ushtrojë këto detyra edhe në të shkuarën, të paktën, sipas opinionit të kasnecëve të kryeministrit, qysh prej 2005-s. Është njëfarë arme ligjore, me të cilën Edi Rama kërkon të hakmerret ndaj të shkuarës së tij.

Kurbani kërkon të ngrihet - dreqi e merr vesh, si mumje a si zombie - dhe me paketën e retroaktivitetit, të rimarrë në dorë situatën, të kthejë prona tek miqtë e tij që s’i kanë fituar dot me gjykatë, të ndërtojë kulla edhe në ato vende ku janë marrë vendime për ta ndaluar ndërtimin dhe të zgjidhë çfarëdo kontesti, sipas shembullit të “timonierit të madh”, në bazë të partishmërisë dhe të proletariatit.

Ata që po e lëshojnë në publik tezën e paketës speciale ligjore, tëpkë si ligjet fashiste të Musolinit më 1938-n, në bazë të të cilave edhe në Itali nisën të zbatoheshin kufizimet për hebrenjtë, sipas teorisë së racës, nuk merren fare me faktin se në seancat e gjatë të vetingut, askush s’dëgjoi që këtyre gjyqtarëve t’u bëhej një ‘veting’ i vendimeve të marra ndër vite.

Duke u shndërruar strikt në një ILDKP të një shkalle më të lartë, njerëzit e vetingut u përpoqën të justifikonin listat e marra me gjyqtarët nga veriu (siç thotë ish-kryeministri Berisha) apo me të shkuar josocialiste, të paracaktuar për t’u rrëzuar, dhe u bënë qepaze duke interpretuar gabimet ortografike në deklaratat e pasurive, por duke mirëkuptuar – ta zëmë - Dvoranin, i cili kishte harruar të deklaronte apartamentin 99 milionësh.

Pra, vetingu refuzoi të bënte vetingun e vendimeve gjyqësore dhe tani po kërkohet një paketë speciale për të përmbushur ëndrrat e zombit kryeministër. Sigurisht ky retroaktivitet nuk pretendohet të shtrihet deri më 1997-n, kur sistemit të drejtësisë iu vu kazma me vendosjen e kryetarit të grupit parlamentar socialist dhe ministrit të drejtësisë, në krye të piramidës së gjyqësorit.

Ajo ‘drejtësi popullore” s’ka asgjë për veting, puna është që drejtësisë së pas 2005-s, ku vulën themelore gjithashtu ja dhanë miqtë e Ramës, Moisiu e Topi, t’i bëhet një veting, pasi disa kundërshtarë politikë kanë mundur të marrin drejtësi.

Paketa fashiste Rama-Bollino i ka të gjitha gjasat të mbesë një ëndërr vere e pagjumësisë kryeministrore, por guximi për ta bërë këtë ëndërr publike, rrëfen për arrogancën e një pushteti që në agoninë e vet e ka humbur sensin e arsyes, lëre më realpolitikën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t25/07/2018 16:53

ka plot gjyqtare( si nga keta qe kane kaluar vetingun edhe nga ata qe presin ti nenshtrohen)qe kane marre vendime te padrejta dhe bile ne shkelje te ligjeve,dhe ne nje fare menyre nuk do ishte keq te rishikoheshin ato

Shto koment

Denonco