Jeta sekrete e Obamave në Uashington

Jeta sekrete e Obamave në Uashington

Nga Roxanne Roberts - 22/07/2018

Kur Barack dhe Michelle Obama njoftuan se do të vazhdonin të qëndronin në Uashington pas tetë vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, pati mërmërima pa fund.

Lëvizja tradicionale për jetën post-presidencë është kthimi në shtëpi: një kthim në rrënjë, një bibliotekë presidenciale dhe dekorim për merita të shquara. Asnjë president modern nuk ka qëndruar në kryeqytetin e SHBA pas largimit nga posti.

I fundit ishte Woodroë Wilson më 1921. Kështu që ideja e Obamave tërheqës e energjikë-dy nga njerëzit më të famshëm në botë-që jetojnë në kryeqytet ishte gjë e madhe. Shpresat ishin të mëdha.

Uashingtonasit e vjetër shpresonin që ata do të bëheshin ambasadorë jozyrtarë për kryeqytetin e vendit, duke e përqafuar qytetin e tyre të adoptuar. Por përkundrazi, ata përqafuan jetën e re si qytetarë privatë, me theksin te ‘privatë’.

Në 18 muajt e fundit-përveç disa shfaqjeve publike të përgatitura me kujdes-ata janë parë rrallë në qytet. Iu pëlqen ende të shkojnë në restorante dhe të ndjekin ekspozitën apo teatrin e radhës.

Por jashtë një rrethi të miqsh të ngushtë, ata fluturojnë së tepërmi poshtë radarit.

‘Mendoj se Obamave ndoshta iu pëlqen që njerëzit në Uashington i lënë ta jetojnë jetën si qytetarë privatë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e këtij komuniteti’, thotë Stephanie Cutter, e cila ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë në kohën e Obamës.

Ata kanë krijuar një flluskë mbrojtëse që iu lejon fleksibilitet maksimal dhe ekspozim publik minimal. Flluska është reale: Rruga para shtëpisë së tyre është e bllokuar nga një makinë policie, me oficerë në shërbim 24 orë, një shërbim sigurie standard për çdo ish-president.

Vizitorët në zonë duhet të komunikojnë më parë me policinë para se të shkojnë në ndonjë nga shtëpitë. Jo se ndokush do të ndeshej me Obamat: ata rrallë shëtisin qenin para shtëpisë dhe hyjnë e dalin nga një hyrje e sigurt anësore e shtëpisë.

Por flluska është edhe figurative: Banorët aty pranë nuk flasin për fqinjët e tyre të nderuar. Obamat, thonë ata, janë të qetë, nuk tërheqin vëmendje dhe e ruajnë privatësinë.

Përmes zëdhënëses, Obamat refuzuan të komentonin për këtë artikull. Dhe askush nga rrethi i brendshëm i tyre nuk do të fliste për jetën e tyre post-presidencë në Uashington.

Ndaj, harroje Uashington!

Obamat mund të kenë një shtëpi në kryeqytetin amerikan, por nuk do të jenë kurrë realisht Uashingtonas.

Shumica e njerëzve mendonin se Obamat do të ktheheshin në Chicago, ku ende kanë shtëpinë e tyre në Hyde Park. Por 8 muaj para largimit nga Shtëpia e Bardhë, presidenti tha se do të qëndronin në Uashington deri sa vajza e vogël, Sasha, të mbaronte shkollën, në Sidwell Friends, në qershor 2019.

Blerja e shtëpisë për 8.1 milionë dollarë pranverën e kaluar lë të kuptosh se ndoshta mund të qëndrojnë edhe pas mbarimit të kolegjit nga Sasha.

Michelle në programin e Ellen DeGeneres se familja ishte mësuar tashmë me shtëpinë e re. Barack, shpjegoi ajo, përdor dhomën më të vogël si zyrë, Sasha ka një suitë dydhomëshe, sepse është fëmija i vetëm në shtëpi, ndërsa Malia-e cila nisi studimet në Harvard vjeshtën e kaluar pas një viti pushim-‘ka një dhomë diku në papafingo’.

Ish-presidenti ka një zyrë në West End, ku shkruan kujtimet dhe pret miqë. Luan shumë golf. Obama hyri në Columbia Country Club dhe Robert Trent Jones Golf Club por luan në të gjitha fushat e golfit në qytet.

Michelle frekuenton rregullisht palestrën Solidcore, e cila nuk flet për klientët e saj.

Dhe sigurisht që frekuentojnë restorantet, një zakon që e kanë ruajtur që nga vitet e Shtëpisë së Bardhë.

Vitin e kaluar kanë ngrënë te Dabney, Rasika, Del Mar, Maydan e Fiola Mare, për të përmendur disa emra, gjithmonë në ambiente private. Megjithatë, privatësia vështirë se ruhet kur bëhet fjalë për shfaqje të Obamave në restorante.

Dikush postoi në Twitter një foto të çiftit në Tail Up Goat; një tjetër klient i emocionuar postoi një video të ish-presidentit në Nobu.

Në mars, pronarja e Hank’s Oyster Bar, Jamie Leeds, twittoi takimin e saj me Obamën, duke pranuar se ishte mahnitur.

Sigurisht që ata nuk mund të shkojnë direkt e në restorant. Skuadra e sigurisë shkoi në dy ditë më herët dhe siguroi vendin për ditën e rezervimit. Obamat, Valerie Jarrett dhe miq të tjerë u ulën në një tryezë në qoshe, agjentët e sigurimit në tryezën pranë.

Klientët bënë foto nga larg, por nuk u afruan; dikush qerasi me një raund pijesh. Në dalje, pati shtrëngime duarsh.

‘Mund ta ndieje energjinë në lokal’, tha Sabrina Zahid, drejtore marketingu e restorantit. ‘Mund ta thuash që ishte natë speciale’.

Pavarësisht gjithë kësaj, pse duket sikur ata nuk janë vërtet aty?

Nga pikëpamja politike, mbajtja e një profili të ulët është traditë e hershme: Konsiderohet jo-etike që një president të errësojë apo kritikojë pasardhësin, diçka që është më e mundshme të ngjasë kur jetojnë në të njëjtin qytet.

Por edhe për shkak se ata udhëtojnë shpesh për promovimin e platformave të preferuara: lidershipin e rinisë, kujdesin shëndetësor, të drejtat e grave dhe mirëqenin. Këtë javë, Barack është në Afrikën e Jugut për përkujtimin e ditëlindjes së Mandelës; Michelle është në Paris për koncertin e Beyoncé dhe Jay-Z.

Disa nga udhëtimet përfshijnë fjalime me pagesë, 'veza e artë' moderne për çdo ish-president e ‘first lady’. Kuotat që paguhen janë sekrete, por sipas shumë shkrimeve në media Obamat paguhen goxha mirë.

Ai merr mesatarisht 400 mijë dollarë për fjalim, ajo rreth 200 mijë. Zëdhënësi i tij shpjegoi vitin e kaluar se fjalimet i lejojnë çiftit të dhurojë për programet e preferuara sociale.

Bëjnë edhe udhëtime ekzotike duke e shijuar jetën: surfing në Karaibe me miliarderin anglez Richard Branson (ia kthyen nderin duke e ftuar për një pije në shtëpinë e tyre në Uashington), një udhëtim luksoz në Toscana dhe pushime vitin e kaluar në Polinezinë Franceze në jahtin 590 milionë dollarë të David Geffen, bashkë me Oprah Winfrey, Tom Hanks e Bruce Springsteen.

‘Çfarë ndodh në varkë mbetet në varkë’, iu tha Oprah, reporterëve.

Ka edhe një faktor tjetër, një aspekt më i heshtur e më i komplikuar i jetës së tyre në Uashington: Shumica e miqve të ngushtë janë afro-amerikanë. Ata enden në një rreth ekskluziv elitar që argëtohet privatisht dhe nuk poston në Twitter, Instagram e nuk jep detaje nga jeta e vet, aq më pak e Obamave.

‘Uashingtoni i zi nuk vëzhgohet nga Uashingtoni i bardhë’, thotë një mik që nuk është i autorizuar të flasë për Obamat, por shoqërohet me ta.

‘Ata janë ende çifti i parë i botës. Por nocioni që ata nuk janë këtu është diçka me të cilët të zinjtë qeshin’.

Këtu rrotull janë, por thjesht janë të mbrojtur, shpjegon.

‘Uashingtoni ku lëvizin ata është i përshtatshëm për moshën e tyre. Njerëzit në të 50-at e të 60-at e tyre nuk nxjerrin telefonat e të postojnë për çdo gjë’.

Kështu që po, Obamat janë me bazë në Uashington-për momentin. Thjesht mos i mbani shumë shpresat që ata vërtet jetojnë aty.

Marrë nga Uashington Post-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco