Kolinda nuk erdhi në Tiranë që të jargavitej Rama, por për t'i thënë: Jeni zhulsa!

Kolinda nuk erdhi në Tiranë që të jargavitej Rama, por për t'i thënë: Jeni zhulsa!

Nga Poli Hoxha - 20/07/2018

Vizita e parë e presidentes kroate, Kolinda Kitaroviç, në Tiranë tërhoqi shumë vëmendje; për faktin e performancës së saj në kampionatin Botëror të Rusisë pak ditë më parë, që Berati “e pati fat” duke e shpallur papritur “Qytetare Nderi”; për flirtimin fshataresk të Taulant Ballës duke i shkelur syrin, apo edhe për mënyrën jargavitëse, se si e përqafonte Edi Rama.

Shumica e popullit shqiptarë, përveç këtyre  nuk kuptoi asgjë; se përse kishte ardhur ajo në fakt në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama dhe zyra e tij e shtypit nuk dhanë asnjë njoftim, për një kërkesë dhe një ofertë “të çuditshme” që ajo bëri. Thelbi i vizitës së saj, nëse përmblidhet në pak fjalë është; na mbytët me plehra, pisllëk dhe zhul, po na shkatërroni turizmin, hajde ti japim fund kësaj historie.

Në historinë politike të Shqipërisë (por nuk është dëgjuar, as në atë të ndonjë vendi tjetër në Europë) është hera e parë që figura më e lartë e një shteti, bën një vizitë  për çështje e cila duhej të ishte e dorës së fundit dhe mund të trajtohej maksimumi nga ministrat përgjegjës, siç është mjedisi apo më shqip, plehrat dhe pisllëkut që kemi në vatrën tonë dhe më pas, i importojmë në mënyrë ilegale.

Kjo historia e plehrave shqiptare që përfundojnë në brigjet kroate të detit Adriatik është e vjetër, por që është intesifikuar më së shumti gjatë viteve të fundit. Ambasadorët tanë në Zagreb janë thirrur disa herë, për tu dorëzuar nota proteste, por këtej nga anët tona reagimi vjen me Edi Ramën të veshur me poture dhe ca ministra, që bëjnë karagjozin përpara kamerave duke pastruar rreth-rrotullimin e Lushnjes!

“Kroacia është donatori kryesor i një projekti për pastrimin e detit dhe duam ta ndihmojmë Shqipërinë, që ta kalojë këtë problem për të ruajtur mjedisin”, deklaroi Kitaroviç gjatë konferencës për shtyp me homologun Ilir Meta.

 Ndërsa në takimin me kryeministrin Rama, “bukuroshja” kroate nuk ka harruar (edhe pse buzëqeshte ëmbël, gjithë kohës) që ti kujtoj Edi Ramës se mjedisi, me gjithë këtë çështje të hapur mes dy vendeve brenda, është njëkohësisht një nga kushtet e BE-së për Shqipërinë.

Duke parë se sa i madh është impakti negative në turizmin e Kroacisë prej vërshimit të mbetjeve shqiptare në detin dhe brigjet e tyre, duket se ky vend, i lodhur tashmë, ka vendosur që të ndërhyjë dhe shpenzojë vetë në vendin tonë, për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë situatë skandaloze.

E rrezikshme për mjedisin e Kroacisë, por më shumë e turpshme dhe shenjë papërgjegjshmërie, për qeverinë dhe shtetin tonë.

Ndërkohë që Edi Rama, po hedh disa qindra-milion euro te llogaritë bankare të klientëve të tij për të ngritur inceneratorë, premtimi dhe projekti i tij i madh që shpalli  sapo erdhi në pushtet, “Për një Shqipëri pa plehra”, pra për një strategji përfundimtare për pastrimin total të territorit, rezulton në një dështim spektakolar.

Në fakt më shumë se paaftësi dhe dështim, kjo çështja e mbeturinave është një skemë më vete korrupsioni. Së pari ajo nis që me Reformën e re Administrative, e cila përveç të tjerave, pikërisht në këtë objektiv parësor ka dështuar. Plehrat të cilat nga lumenjtë shqiptarë përfundojnë në bregdetin dalmat dhe jo vetëm, nuk janë ajo çka mbetet nga vaktet modeste të shqiptarëve, por loja pistë e firmav që kanë fituar tenderat e pastrimit, inerte, mbetje industriale e ato të bizneseve, vajra të mjeteve lundruese, etj. Për këtë lloj abuzimi, masakre më saktë, të tokës, lumenjve, deteve që bëhet “ditën me diell”, paguhet; te bashkia, zyrat e mjedisit, ato të ministrisë së Bujqësisë, te Policia e Shtetit, etj.

Por ndërkohë që këtu në Shqipëri, protesta më e madhe është ajo e Ylli Manjanit që hedh një foto në FB ku shfaqen plehrat kapicë dhe ai bashkë me familjen braktis në mënyrë demonstrative pushimet në Sarandë, mediat kroate këtë eksportim masiv drejt brigjeve të tyre të zhulit shqiptarë, e quajnë një katastrofë të madhe dhe rrezik serioz për industrinë e tyre më të madhe, turizmin.

Prandaj Kolinda nuk erdhi në Tiranë, si një bukuroshe që “vdes” për shqiptarët, as që Edi Rama të vazhdonte jargavitjen e Londrës; aq më pak që Tao i Librazhdit të tregonte, se sa shumë është tallur nga vajzat në shkollë…Ajo erdhi që të na thotë se zhuli që kemi në shtëpi, pavarësisht nga bojërat e ujit që Rilindja i hedh përsipër me vetëmohim, tashmë është një çështje ndërkombëtare!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lelo20/07/2018 15:27

Kemi qene,jemi dhe do te jemi zhulsa gjithe jeten.

Veri gjakova20/07/2018 12:49

njelloj jane, nje pjelle

Shto koment

Denonco