Nga Ankaraja në Londër: Provokime dhe karshilliqe të Ramës, për BE-në!

Nga Ankaraja në Londër: Provokime dhe karshilliqe të Ramës, për BE-në!

Nga Syri.net - 11/07/2018

Pas goditje së fortë që mori nga Këshilli i Europës, për çështjen e hapjes së negociatave, Edi Rama, i është rikthyer sërish provokimeve, dhe shantazhit me spont, ndaj Bashkimit Europian.

Kur pa që dështoi në propagandën e tij, “për përdorim të brendshëm”, që të shiste kushtet e panegociueshme të cilat ja përcaktojnë qartë, se nëse qeveria që drejton nuk shkëputet nga lidhjet me krimin e organizuar dhe mafien ekonomike, dyert e BE-së nuk do të hapen, ai ju rikthye avazit të “faktorëve të tretë”.

Kështu gjatë pjesëmarrjes në inaugurimin e mikut të tij special Erdogan si president, ai në mënyrë malinje, lejoi që në media të publikohen një foto e tij në krah të kryeministrit rus Dimitri Medvedev, të ngrefosur të dy në rreshtin e parë të të ftuarve. Gjithashtu u kujdes që të përhapen lajme, se mund të ketë pasur edhe një takim “kokë më kokë” me krahun e djathtë të Putin, se marrja me vete e ministrit Gjiknuri nuk ishte rastësi, etj, etj.

Të gjitha këto i bëri në kuadër të propagandës së tij, “për përdorim të jashtëm”, sepse në faqen e tij në Facebook dhe ERTV, nuk shpërndau as lajme dhe as foto të këtij evenimenti. Ashtu si ka bërë gjithmonë me këto lloj takimesh, veçanërisht ato me Erdogan, enkas i lë në mjegull për shqiptarët që e kanë votuar; i konsideron vetëm si një axhendë personale, kurse nga ana tjetër u dërgon mesazh liderëve të BE-së, se diçka e madhe mund të ndodh në Shqipëri dhe rajon, nëse ata nuk e shtrëngojnë fortë këtë lider të madh që e kërkon edhe turku, edhe rusi, edhe kinezi!

Përveç këtyre sinjale butaforeske, kryeministri ynë i cili tashmë e ka siguruar një vend nderi si personazh anektodik në kancelaritë dhe mediat kryesore të Europës, ju rikthye sërish “armës” së tij më të fortë; asaj të karagjozit tashmë, që dikur e shiste si “lideri ndryshe”.

Në vend që të shkonte në samitin e radhës për Ballkanin Perëndimor me premtimin, se do të zbatonte rekomandimet e Këshillit Europian dhe me projekte për vendin e tij, u rishfaq me atletet e tij Adidas!

Sërish e vuri Shqipërinë në qendër të mediave më të mëdha të kontinentit, si një vend që ka për kryeministër një karagjoz që nuk vetëpërmbahet, as në takime të tilla të nivelit të lartë. Me shfaqjen e tij në këtë mënyrë karnavaleske, kujton se u tregon liderëve të BE, se mesazhet dhe qëndresën e tyre, që ai të korrigjoj në mënyrë drastike qeverisjen e tij, e ka marrë me sportivitet dhe nuk ja ndjen për kushtet që i vënë.

Ky është struci që qeveris “vendin e shqiponjave”; kokën në baltën e krimit dhe korrupsionit, kurse këmbët me Adidas e pendët me ngjyra, përpjetë! 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco