Dyzeteshtatë beqarët e Vithkuqit

Dyzeteshtatë beqarët e Vithkuqit

Nga Gerina Mullaj - 21/06/2018

Në fshatin e Vithkuqit, diku në jug perëndim të Korçës, këtë verë bari ma ka kaluar mua për nga gjatësia; ndanë udhëve, nëpër shtigje është bërë i vështirë kalimi për shkak të barit që këndellet për shtatë palë qejfe duke u bërë lëmsh me këmbët e kalimtarëve dhe bagëtive. Përkundruall barit që rritet e shtohet, popullsia zvogëlohet si një plaçkë që hyn në ujë. Saksitë që dikur lulëzonin tani rritin vetëm ca kërcej të kërbunjur e të mpakur, tamam si shpirtrat e banorëve të mbetur ndërsa kopshtijet kanë marrë pamjen e gjërave të lena pas dore.

Disa pleq-gërmuq ndjehen fatlum që nuk provojnë zhegun e qytetit dhe pranojnë vetminë në fshat përkundër kallaballëkut në qytet, disa i kanë njerëzit matanë kontinentit dhe i shohin me kamerën e telefonit në varësi të humorit të valëve, ndërsa disa të tjerë kanë refuzuar qëndrimin me familjarët dhe kanë pranuar të jenë të braktisur në paqe.

Tani që gjithë energjia është përqendruar në qytet, bëhet më i qartë mjerimi që ngërthen zonat rurale ku nuk hyn dot as vëmendja e institucioneve. Fshati në këtë harresë kobzeze, merr pamjen e një gruaje te fisme, kokë-ulur, e cila për shkak të kokë-uljes imponon më teper respekt sesa qyteti që mban hundën lart.

Por gjërat nuk duket se kanë marrë perrupinë për shkak të shkretisë famë-madhe që ka pushtuar prej kohësh kete fshat dhe fshatrat në përgjithësi, por prej 47 beqarëve, shumica të rinj, që bashkë me vitet po humbin edhe shpresat për t’u martuar. Thuhet se janë 47, mbase janë më shumë, mbase më pak, por e sigurt është që janë beqarë.

Disa bëjnë plithar, krasitin barin, disa merren me dru fshehur; disa mbledhin çaj mali, nxjerrin raki, shesin shtogje ose zhumbrica, disa kujtojnë dashuriçkat e hershme me vajzat që banonin në fshat por që kanë ikur për të mos u kthyer më, ato studiojnë ose janë martuar me çuna qyteti, disa te tjere bëjnë mure ndërsa ata që nuk punojnë merren me gratë e atyre që punojnë.

Më fatlumët janë futur në punë prej gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), për shkak të të cilit u ndërtuan edhe rrugët, përmes një projekti që përshkon tej e tej fshatin dhe punëson shpirt-harruarit, të cilët gjejnë ngushëllim dhe prehje vetëm tek puna. Janë ndër të paktët njerëz që kanë kuptuar filozofinë e thekur që fshihet prapa shprehjes kuptimplot: ‘Punë ka, por nuk ka profesionistë’. Ata e dinë që punë ka, dhe qe në këtë vend puna ka formën e një alieni, dëgjohet të flitet për të por ende nuk është parë.

Fytyrat i kanë të grunjta prej diellit e të thepisura prej halleve. Përkundruall të rinjve të qytetit, të rinjtë e fshatit rrezatojnë një lloj energjie jetësore e cila mund të burojë vetëm përmes mundimit dhe jetës së vështirë. Kjo duket deri tek plasaritjet e duarvë që nuk e njohin balsamin dhe pudrën, dhe të japin përshtypjen sikur vetë ata i duan plasaritjet për të lënë prej aty të hyjë dielli në trup. Qepallat i kanë të rënduara dhe sytë e picëruar. Këpucët në shumicën e kohës rrinë të ngjyera me llurbë. Në modë mbahet një lloj zhguni prej leshi ose ca këmisha të trasha me kuadrata e me mengë të përveshura që lënë të nxihet vetëm pjesa deri tek lleret.

 Edhe pse nuk kanë pamjen e çunakëve të spitulluar, edhe pse janë të amësht, të lodhur, e të varfër, kjo nuk do të thotë që nuk kanë emocione, ndjenja dhe dëshira. Në njërën anë, ne kapitjen e tyre shëmbëllen dëshira për të qenë tamam si të rinjtë e qytetit, të njihen e të dalin me vajza të pispillosura dhe erëmirë, e në anën tjetër, sërish përmes kapitjes vihet re bindja se diçka e tillë nuk ka për të ndodhur. Imazhi i tyre përfaqëson imazhin e fshatrave, që në mos nuk meritojnë vëmendjen e shtetit, pasi shteti ka punë më të rëndësishme se sa të ndreq zullumet shpirtërore të banorëve të fshatit që vijnë nga mungesa e kushteve, të paktën duhet të mos meritojnë indiferencën e vajzave.

Por s’mund të mos mendoj nga ana tjetër, se vajzat kanë të drejtë të jenë indiferente dhe të mos vijnë këtu për t’u martuar me djemtë beqarë; dhe nëse vijnë duhet të marrin nga një ikonë të Shën-Pjetrit me vete për t’u lutur në heshtje që një tjetër projekt ndërkombëtar të dalë në horizont, për të rregulluar kuletën e burrave të tyre dhe në të njëjtën kohë rrugët e fshatit. Në të kundërt jeta në fshat do fiket, fshatrat do zdërhallen, ndërsa beqarët do binden se do mbeten gjithherë të tillë.

Në barin e pa prerë, ndjehet mungesa e vullnetit te djelmoshave për të  pastruar udhëzat nga barishtet e këqija, ndjehet nevoja për t’u kthyer vëmendja e munguar, ndjehet era e shtogjeve të pakëputura marrafrymëse që kërkojnë të shiten, çatitë e mbuluara nga myshku, shkurrishtet që nakatosen me të mbjellat, dhe murrizat që nuk lëshojnë më kokrra. Ndjehet nevoja e investimit, përparimit dhe lulëzimit ashtu sikurse ndodh nëpër qëndrat rurale të vendeve të botës, ku njerëzit punojnë, martohen dhe gëzojnë.

Por TAP-i nuk mund të jetë një projekt i përhershem prandaj vajzat nuk mund të vijnë të jetojnë këtu, dhe ato që vijnë i bien shpejt e shpejt në të, se duhet ikur, sa më shpejt, sa më parë. Ato pak që vijnë ikin pa ardhur mire, duke lënë beqarët e Vithkuqit të ëndërrojnë përmes avujve që lëshon rakia e kumbullës, nëpër pllajat e Rrungajës, gratë e munguara të jetës së tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Kristi30/06/2018 07:49

Artikull i shkruar nga nje kendveshtrim i njeanshmem i bazuar ne stereotipe. Gjykim i ceket.

jani25/06/2018 21:00

shume mire e ka pershkruar ashtu sic eshte ne realitet jeta ne fshatin e bythkuqit.respekte per kete vajze qe e ka shkrojtur edhe mjer edhe kush shkon edhe martohet ne vithkuq qe burri nuk ka sec ti afroj vajzes pervec bar edhe dellinja

Tarasi22/06/2018 23:16

Çupa artikullshkruese me shume talent ka pasqyruar sakt e bukur realitetin ne fshatin Vithkuq. Mendoj se ka vend per ta pergezuar dhe jo per ta ofenduar si disa ketu.

Kristi22/06/2018 18:46

Kurvat gjithmon jane te suksesshme po ti Gerina je akoma m shum ... urime dhe mos i bjer shum ????

sotir 22/06/2018 18:28

te kesh turp qe flet kshu per djemte e vithkuqit ti ske te drejte te flasesh per kte fshat sspse je nga nje vend ku i hipin gomarit semprapi

Elio22/06/2018 16:15

Shkrimi mjaft i bukur dhe tërheqës, si një tregim letrar. Gjuha dhe tema mjaft të gjetura dhe të goditura!
Respekt për penën dhe urime për çupën artikullshkruese! Urime dhe fat dhe atyre çupave aspirante në qytet!

Artan21/06/2018 21:20

Goca qenka keq vete, duket qarte. Oooo burra, kush te jete me afer saj, ti beje derman.

Shto koment

Denonco