Është çështje Dinjiteti. As PD-je, as opozite

Është çështje Dinjiteti. As PD-je, as opozite

Nga Namir Lapardhaja - 20/06/2018

Nuk është çështja të jesh me PD-në apo opozitën për të reaguar ndaj së keqes, padrejtësisë, shtypjes, përdhunës, nëpërkëmbjes, shkeljes së të drejtave, abuzimeve, skandaleve, nguljes thellë në kockë të kamës së mjerimit dhe rrotullimit me intesitetin e turjelës...

Të jesh në opozitë me sistemin që e ka ngritur padrejtësinë në lartësinë e të gjithë kullave që ka ndërtuar gjatë këtyre viteve në kryeqytet dhe të atyre që do të ngrejë në të ardhmen, nuk të bënë domosdoshmërisht me PD-në dhe opozitën....

Të thuash se ishte keq, por këta e shumëfishuan të keqen; ishte problem, por këta u shndërruan në problemin e vetëm; ishte mugët, por këta errësuan gjithçka; ishte me shpresa të plagosura, por këta e morën ditën e zgjedhjeve shpresën dhe e ekzekutuan me varje në mes të Tiranës, nuk të bënë domosdoshmërisht as me PD-në e as me opozitën....

Të thuash se njerëzit mendonin të iknin më parë, por kur erdhën këta nuk ngeli kush pa e konkretizuar mendimin duke e zbritur nga mendja tek vepra; se shqiptarët kanë kërkuar edhe më parë azil, por u shndërruan në popull azilantë fill pas ardhjes së këtyre në pushtet; se droga ka qenë gjithë kohën problem, por këta e institucionalizuan duke i dhënë imunitet të përligjur shtetëror, nuk të bënë as me PD-në, sigurisht as me opozitën...

Të thuash se këta premtuan "xhenetin" e në "xhehenem" po na sosin; premtuan Rilindjen e po na thonë të vdesim një herë pastaj "tuj pa-tu ba"; premtuan shkëlqimim e Lindjes e po na drejtojnë drejt skutave të errëta të një ekuacioni me të gjithë të njohura për 50 vjet; premtuan Perëndimin e na kanë shndërruar në gogolë modern si sinonim vetëm të problemit, nuk të bënë detyrimisht me opozitën zyrtare dhe kundër një partie te caktuar politike.

Të protestosh ndaj së keqes, të jesh në opozitë me padrejtësinë, të mos biesh dakort me arrogancën, t'i dalësh përballë tiranisë, të mos lejosh shtypjen, të mos ulësh zërin kur duhet ta ngresh, të mos kërrusësh kurrizin kur duhet ta mbash atë drejt, të mos lëpish dorën që meriton të kafshohet, të mos thuash amin kur duhet bërtitur aman, të mos buzëqeshësh kur duhen ngrysur vetullat dhe balli, të mos duartrokasësh kur duhen hedhur gurë, të mos thuash "rroftë" kur meriton "rrnoftë" është çështje Dinjiteti. Nuk është as PD-je, as opozite.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

coli20/06/2018 19:55

Fjala "opozitë" në kuptimin e saj real, nënkupton kundërshtimin e një pozite qeverisëse që del jashtë binarëve të shtetit ligjor.
Fjala "opozitë" në këtë rast, nuk nënkupton vetëm një parti që ka daë në minorancë por disa parti të tilla që mund të jenë edhe me kahje të ndryshme ideollogjike.
Normalisht në një sistem demokratik, pushteti i ashtuquajtur "i katërt", media, meqë kontaktet i ka me lexuesit, publikun , duhet të mbrojë interesat e tyre pra duke qenë edhe ajo pjesë e opozitës.
Media si një opozitë permanente, duhet të demaskojë jo vetëm qëndrimet e paligjëshme të një qeverisje të dështuar, por edhe pjesë të saj, gazeta apo televizione që marin përsipër të bëjnë avokatinë e qeverisjes e më keq akoma të sulmojnë mendimin opozitar.

Shto koment

Denonco