Mblesëri me firmën ‘Fusha’

Mblesëri me firmën ‘Fusha’

Nga Agim Xhafka - 19/06/2018

Po bëhen ditë që artistët protestojnë ndaj qeverisë. Ajo kërkon t’u prishë teatrin e në atë truall të ‘pjellë’ nja 6 kulla e mbase ngelet vend edhe për teatrin tjetër, që quhet i ri, ende pa u kryer pllenimi.

Një makineri e tërë po nduket e po shqyhet që ta nxjerrë lëvizjen e artistëve si një nismë e shtyrë nga opozita, si një grup që nuk di ç’kërkon dhe si një revoltë banale se dëshiron të mbajë në këmbë  një ngrehinë shkatarraqe e aq më keq ndërtuar me abzest që na sillka kancer.

Si të mos mjaftonin këto sulme javën e fundit e ka marrë stafetën e përgojimit vetë Erion Veliaj. Por jo me letra tip Griselda, por me dëgjesa në hotele luksoze mbushur me aparatçikë që edhe kur i pyet se si ta quajnë fëmijën ai nuk përgjigjet po mos i japë leje shefi, fol, por shkurt. Si qëmoti kur turmat bërtisnin para atyre që gjoja iu bënin gjyqin: ‘Në litar, në litar!’, tani ulërasin   ‘Të prishet, të prishet!’

Askush nuk i shkon thellë problemit. Rama do ta prishë se i prish punë për kullat. Erioni do ta shembë se shembet vetë nga Rama. Ja, kaq e thjeshtë e aparati i propagandës nis thurjet e fabulave, tani jo me bebe që iu shkulen nënave nga barku,por me artistë që do vdesin nga kanceri dhe se qyteti atë zonë nuk e lejon të jetë ferrishte.

Komikja vazhdon kur Erioni përmend sukses te tij sheshin ‘Skënderbej’ që tani verës ai që rri atje dy minuta merr titullin Hero,Pazarin e Ri që e nisi Basha dhe Bulevardin e Ri që e nisi po Luli.

Harron se ‘shtatzënë’ këto vepra i la Basha dhe ai thirret baba i tyre, o Erion!

Mendoj se çështja e Teatrit është si çështja e dashurisë së një vajze. Në këtë rast ajo do që të martohet me një djalë që do vijë nga buxheti i shtetit,ose nga një djalosh që do dalë pas njohjes së shumë të tillëve që zonjusha Teatër do ketë mundësi t’i intervistojë nëpër kohëra.

Por Rama e Erioni ia kanë gjetur burrin.

Quhet firma ‘Fusha’.

Nuk pyesin në se ky është më simpatik se të tjerët, është i ri apo i vjetër në moshë, i punon apo nuk i punon dyfeku, bën apo s’bën fëmijë. Shkurt do martohesh me këtë dhe pikë. Epo këtë mblesëri artistët nuk e përtypin, andaj po luftojnë.

Jo për hesap të tyre, por të të gjithëve. Se ai që do marrë truallin duhet të konkurrojë. Jemi në kapitalizëm, Lali!

Ikën motet kur Enveri hidhte kapelen në Fier e në vendin ku binte ajo thuhej:

‘Urgjent të shpojnë atje sondat! Enveri e zbuloi naftën që na fshehën armiqtë.’

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco