Si po vjedhin pronarët e TV-vë në bashkëpunim me Ramën

Si po vjedhin pronarët e TV-vë në bashkëpunim me Ramën

Nga Andi Bushati - 12/06/2018

Pronarët dhe drejtuesit e televizioneve private dolën nga klandestiniteti i takimeve në kryeministri me Edi Ramën, për t’u shfaqur me zë dhe figurë në një mbledhje në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Si në rastin e parë, ashtu edhe në këtë tubim publik, shqetësimi i tyre ishte i njëjtë: ‘si të grabisim xhepat e njerëzve për të mbushur arkat e bizneseve tona familjare’.

Tashmë dihet kërkesa e tyre. Ajo është e thjeshtë. Dyfishimi i taksës që shqiptarët paguajnë për televizionin publik, gjysma e së cilës do të ndahet për Sandrin, Vjollcën, Irfanin, Yllin, Karlon e kështu me radhë.

Kështu, këta pronarë, shumica e të cilëve shfrytëzojnë një pasuri publike, frekuencat dhe licencat e transmetimeve televizive, për të dezinformuar, për të bërë propagandë në favor të qeverive dhe të një kaste të privilegjuarish, që ndryshojnë krah sa herë ndryshon pushteti dhe që varrosin të vërtetat më të mëdha të këtij vendi, tani po kërkojnë të paguhen nga shqiptarët, me pretendimin se nuk i kanë ngritur televizionet për të vënë gjoba, për të lartësuar kulla, për të fituar tendera, por për t’i shërbyer njerëzve.

Ironi dhe tallje më të madhe as që mund të imagjinohej. Por duke qenë se për këtë kam shkruar një herë (lexo poshtë) sot do të doja të ndalesha tek mënyra qesharake se si ata janë munduar t’a justifikojnë këtë grabitje ditën për diell.

Po të lexoje njoftimin e AMA-s vëreje disa argumente kyçe që rrekeshin të vërtetonin se pse këto biznese private (madje familjare sepse të gjitha TV e vendit janë shndërruar në biznese të një familjeje të vetme që ka vënë edhe në drejtim, gratë fëmijët, vëllezërit, farefisin) duheshin financuar me paratë tona.

I pari ishte se ato kishin kosto shtesë si pasojë e dixhitalizimit. I dyti se ato do investonin më shumë tek gazetaria investigative. I treti se duhej rritur besueshmëria tek publiku. Dhe i katërti, se duheshin ngritur struktura për të luftuar lajmet e rreme. (lexo njoftimin poshtë).

Pra, po t’i ndash në dy grupime të mëdha, ata pretendojnë të fusin duart në xhepin e taksapaguesve, e para sepse do t’i japin publikut një imazh televiziv me cilësor dhe e dyta se do t’i japin informacion më të plotë dhe më të besueshëm.

Të dy argumentet janë njëri më karagjozllëk se tjetri.

I dyti sepse gazetaria cilësore, pa “fake news”, me emisione investigative, me informacion të pavarur nuk është dëshirë, por obligimi i tyre. Për t’a përmbushur atë ata kanë marrë një të mirë publike, licencën dhe frekuencat që nuk i jepen gjithkujt. Nëse nuk do e kryenin këtë mision, ata do duhej t’i dorëzonin ato. Të kërkosh dhe para shtesë nga xhepat e njerëzve, vetëm me pretendimin se do të bësh detyrën, është krejtësisht absurde.

Po i tillë është edhe pretendimi i parë. Një imazh dhe zë më cilësor është një hop përpara në biznesin e tyre. Ata nuk mund t’i rrjepin para publikut për këtë. Sepse ndryshe edhe biznese të tjera si EHV apo Gjirofarm do duhej të kërkonin para nga taksat tona, sepse po e servirin sallamin dhe qumështin me një ambalazh më të mirë apo me një afat skadence të ndryshëm.

Por, problemi nuk është aq tek alibitë që ata përdorin, sesa tek akti që po përgatiten të kryejnë. Ky akt, me mbështetjen dhe frymëzimin e Edi Ramës, nuk ka asgjë më pak sesa tenderat, koncesionet dhe PPP më skandaloze që janë dhënë këto pesë vitet e fundit. Njësoj si ato, të gjitha udhëhiqen nga një devizë: pasurimi i një kaste të vogël, në dëm të pjesës më të madhe të shqiptarëve.

I kryer nga një qeveri që erdhi në pushtet në emër të interesave të 95% të shqiptarëve të varfëruar nga 5 % prej tyre, ky është një skandal.

Por, kur pjese e kësaj farse bëhen edhe të gjitha mediat kryesore të vendit, që supozohen si një kundërpushtet që duhet të mbrojë interesat e publikut, atëherë skandali këtu rezulton te jetë bërë mullar.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

coli13/06/2018 09:21

Shumë gjë e trashë dhe e pagdhendur qënke o Ardian.
Nuk mund të të ndihmoj që të kuptosh ato që kam shkruar, se dukesh që jo vetëm ke një kapacitet minimal intelekti, por i ngjakërke Edi Ramës nga harbutësia.
Ku e mer ti të drejtën që të bësh portrertin tim se kush jam, qenkam i LGBT apo i TBLG apo jetokam me lëmosha ????? ?
Kam shfaqur thjeshtë mendimet e mija duke i parë realitetet ashtu siç janë e jo me këndvështrim komunist si Bushati e Lubonja.
I kam përshëndetur që të dy kur kritikat e tyre i mbështesin ne fakte reale e të dukëshme, pra kur kritikojnë marrëzitë e Ramës, e kam bërë vrejtjen se për hir të keqqeverisjes të Ramës, nuk duhet shkuar në nostalgjinë për diktaturën komuniste.
Ndyrësia më e madhe për të cilën kam neveri si emigrant, është abuzimi i ca rrugaçëve si ti, që duke përfituar nga anonimiteti, ofendojnë komentuesit e tjerë.
Nuk mund ti japë të drejtë vetes që për njëfarë rrugaçi si ti, të shtie fall se në ç'hale je gatuar.
Kam dhënë mendimet e mia pa ofenduar askënd e nëse ke këllqe, mund të debatosh me mua por jo të ofendosh.

Ardiani12/06/2018 21:30

Bushati pavaresisht se cili eshte ka ngritur nje probleme qe shqeteson te gjithe shoqerine. Nje problem qe e ka shnderruar rregjimin komunist ne nje rregjim te nje pakice te pasur. Dhe kjo pakice e pasur nuk te denon dhe nuk te persekuton si gjate rregjimit komunist por te denigron, te mbyll gojen duke mos te te nxjerre ne media. I jep mundesi vetem 5 familjeve te medha te medias, 5 familjeve te medha te biznesit, 5 familjeve te medha te shoqerise civile dhe 5 familjeve te medha te politikes te kontrollojne gjithcka. Dhe nese dikush tenton ti shpetoje ketij kontrolli e "godasin", jo si ne diktature me burg e persekutim, por me gjoba, me taksa, me heqje licencse, me mbyllje te biznesit ose e detyrojne me te gjithe menyrat te largohet nga vendi, te emigroje.

Cole debatikasi qe duket se je komunist i pakorigjueshme apo bir komunisti te rrjedhur qe nuk shkeputesh dot nga familja e LGBT te Edi Rames, na tregon mbrockulla dhe budallalleqe. Ti duket je nje emigrant i rrjedhur qe jeton me lemoshe dhe nuk kupton se per cfare shkruan Bushati e Lubonja. Sigurisht qe ne krahasim me para 1990 gjerat kane ndryshuar. Por shiko dallimin qe ekziston sot. Edi Rama ka nje pasuri mbi 1 miliard euro kurse 600 mije pensioniste nuk marrin me shume se 100 euro ne muaj. 500 mije nxenes dhe studente nuk paguajne dot tarifat e shkolles qe shkojne deri ne 2000 euro ne vit se prindet e tyre kane te ardhura me pak se 200 euro ne muaj.

O Cole o injorant, mos hajde ketu dhe na trego endrrat e tua me komuniste dhe mos na paraqit paaftesine tende per tu integruar atje ku je si sukses te Edi Rames.

O Cole komunisti. O Cole LGBT shkon nje here ne Kavaje dhe shiko se cbehet.

Dhe po ta mbajti b.... shkruaj me emrin tend te vertete sic ben Andi Bushati dhe mos u fsheh pas brekeve te gruas or legen...

Cimi12/06/2018 14:51

Me te vertete shkrim dhe shqetesim i drejte. Problemi qendron se kundershtare te vetmit i bie te jete shoqeria civile. Por dhe kjo nuk eshte shume e gatshme te veproje pasi ka interesat e projekteve.
Atehere kush mund ta ngrere popullin e te kundershtoje? Si mund t'i besh balle nje situate te tille? A ka Vetting qe e zgjidh kete cmenduri?

coli12/06/2018 14:41

Jam ploësisht dakord me kritikat e Bushatit për tendencën imorale të disa pronarë mediash, që në vënd ta përdorin median e tyre për të mbrojtur i interesat e qytetarëve, lexuesve të tyre, kërkojnë të pasurohen me taksa korruptive në kurriz të këtyre qytetarëve.
Jam plotësisht dakord me kritikat e Bushatit, kur demaskon politikat korruptive flagrante të kësaj qeverie e mbështetjen që i bën ajo ministrave apo kryetarëve të bashkive me të kaluar kriminale të verifikuar edhe nga drejtësia europiane.
Jam plotësisht dakord me cilindo gazetar, që kritikon manierat harbute të kryeministrit shqiptar në komunikimin publik, jo vetëm me gazetarët që ai i ofendon si "kazanë plehrash", por edhe me qytetarët e thjeshtë që ndonëse i fton të tregojnë shqetësimet e tyre, kur ata tentojnë ta bëjnë këtë, ai tallet me ta.
Lista e objekteve për të kritikuar kryeministrin Rama, është e gjatë e do të ishte e tepërt për ti rënditur të gjitha, sepse gafat e tij janë të përditëshme.
E përgëzoj Bushatin për qëndrimin e tij kritik ndaj kësaj qeverisje, por............
Ja që ka gjithmonë një por... që vjen nga mungesa e pohimit të gjithë të vërtetave.
Midis rreshtave me qëndrim kritik realist, lexoj këtë "konstatim" të Bushatit.
" Në Shqipëri 95% janë të varfër e vetëm 5% janë të pasur", -shkruan ai.
Si një emigrant që vij jo çdo vit në Shqipëri, verej se ky konstatim nuk i përgjigjet realitetit.
Kjo "statistikë" alla Bushati, mund ti përgjigjej realitetit të Shqipërisë diktatoriale komuniste por kursesi realitetit të sotëm shqiptar. Edhe me këtë sistem demokratik të çalë e me shumë probleme korrupsioni e krimi, që shpesh edhe amplifikohen nga mediat e shumta e nga abuzimi me liritë mediatike, kam parë se në tërësi niveli i jetesës së shqiptaërëve krahasuar me vitet e diktaturës apo vitet e para të përmbysjes së saj, ka ndryshuar shumë në kahje pozitive.
Po përmend vetëm një fakt për ta evidentuar këtë ndryshim.
Në kohën e monizmit, as që mund të bëhej fjalë që ndonjë qytetar apo ndonjë gazetar të kishte guximin që të kritikonte qeverinë se i ikte koka jo vetëm e tij, por edhe e soj e sorollopit.
Nese Lubonja apo Bushati do të guxonte që të shante gjithë politikanët e asaj kohe si "banditë", sot do të ishin haruar e nuk do t'ju gjendeshin edhe varret.(ndjesë për këtë që po shkruaj).
Haptazi nuk guxonte kush pra që të shfaqte ndonjë pakënaqësi ndaj qeverisë, por në popull qarkullonin barcoletat si ajo e të ndjerit Shtjefën Palushi, që kur e pyetën se çfarë do të bëje o Tefë nëse do të hapeshin kufijtë ? Përgjigja e tij, (meqë ishte i gjori sakat), ishte se do të mundohesha të hypja tek ajo pema karshi se do të më shtypnin njerrëzit që kërkonin të arratiseshin nga ky ferr.
Ndërkaq shqiptarët që as e mernin mundimin që të pajiseshin me pasaporta udhëtimi për jashtë, jo ato 5% që përmend Bushati, por mbi 50% prej tyre, të pajisur me pasaporta biometrike të zonës Shengen, lëvizin lirshm në çdo vend të Europës e bile i kalojnë edhe pushimte turristike në pl.azhet europiane e më tej

Shto koment

Denonco