Gruaja në politikë ...

Gruaja në politikë ...

Nga Gerina Mullaj - 11/06/2018

Gruaja në politikë nuk është si shpesh herë është përfolur, një qelq zbukurimi në bufen e zhveshur të pushtetit. Ajo është më tepër se kaq. Nëse do ishte thjesht një figurë pa zë, të gjithëve do na linte pa mend lehtësia me të cilën mund të bëhet pjesë një memec në një sallë ligjërimi.

Por pushteti është një sallë ku ata që hyjnë jo vetëm duhet të ligjërojnë por duhet edhe të bindin me ligjërimin e tyre. Pushteti do zë dhe gratë e veshura me kostum janë tamam aty për të dëshmuar se ato nuk janë të pavlefshme, nuk janë memece dhe kanë zë më të fort nga ç’mund ta marrim me mend. Këto gra të forta kanë zënë karriget e rehatisë, për të mbytur zërat që thonë se ato nuk kanë zë. Në emër të pushtetit ato jo vetëm kanë zë por zëri i tyre dëgjohet, kumbon e imponon tamam si zë burri, se në fakt ato kanë zë burri, dhe kjo nuk ndodh rastësisht, sepse zëri i tyre është zëri i kryetarit të tyre. Kryetarët i ranë në të, kur përfshin në lukuninë e politik-bërësve, gruan, si forcën e vetme që mund të mbjell butësi dhe imazh në tokën e ashpër e të shëmtuar të mospërfilljes së politikës.

Përfytyroj parlamentin e institucionet më tej, që kundërmojnë parfumra të shtrenjta grash përzjerë me tringëllimën e takave dhe aromën që lëshon krenaria e pushtetit apo vetbindja e imazhit të mirë. Si një përzjerje të mirash bashkë, gratë që na drejtojnë sot më japin përshtypjen se për të fshehur shëmtinë e brendshme, pushteti, përdor bukurinë e jashtme: gruan.

S’do mend që nuk ka qënë ky roli i gruas. Historia e botës, na ka rrëfyer sa e sa here, se gruaja ka shpërndarë vazhdimisht idenë se pushteti i vërtetë nuk është forca apo ndeshkimi, por mospërdorimi i saj tamam atëherë kur ke gjithë mundësitë për ta përdorur. Dhe përmes kësaj mendësie femra është parë si një paqe-ndjellëse që drejton jo vetëm përmes forcës për të përdorur pushtetin, por edhe ndjeshmërisë për të mos e përdorur atë pikërisht atëherë kur nuk duhet përdorur, madje ajo zotëron edhe intuitën për të bërë dallimin.

Përkundër grave të historisë kam menduar se në institucionet tona gratë duhet të jenë shprehje besnikërie ndaj kryetarit të tyre duke mos kryer asnjëherë, qoftë edhe padashje, gabimin fatal, që të jenë vetja dhe të shprehin mendimin e vërtetë. Por kur më rastisi të njoh disa prej tyre ndjeva gabimin të më fshikullonte fytyrën. Në fakt kryetarët tanë janë aq të dhembsur sa nuk kanë lejuar që gratë të ndrydhen e të mos shprehin atë që mendojnë prandaj kanë përdorur gjithë aftësitë,-që kanë dhe nuk kanë-, për të bërë që ‘gratë e tyre’ të mendojnë njësoj si ata. Përhapet në këtë mënyrë, përmes oratorisë, mjegulla e magjepsjes dhe hipnozës duke i kthyer gratë në ca figura të mirë-veshura, që mësojnë përmendësh, dhe mbajnë ligjërime të afërmendta me ato të shefit të tyre. Ato nuk janë më të detyruara që të fshehin mendimin, për shkak se ato nuk e kanë një të tillë. Madje mungesa e mendimit i ka çuar drejt një shtegu më tej, prej ku mund të shohin të vërtetën që zbardhëllon, se nuk është ndjeshmëria thelbi i pushtetitit, por e kundërta, mungesa e saj. Prandaj ato kanë humbur ndjeshmërinë dhe nuk do e humbnin sikur kjo humbjetë mos ishte e domosdoshme për të ruajtur pushtetin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

gramoz12/06/2018 16:04

Po marr guximin ta them une nje emer konkret si Elisa spirob..., qe edhe ajo mbasi u be drejtoreshe e doganave, e quajti te marrin qe eshte ne krye te vendit Skenderbe. Edhe kjo do guxim te madh ta quash edvin gaztorin njesoj si heroin kombetar, patjeter duhet te quhesh Elisa.

Studenti 12/06/2018 13:21

Nje shkrim abstrakt, pa shembuj konkrete. Sic duket autorja kerkon ti shmanget debatit dhe polemikes. Uroj qe ne te ardhmen autorja te jete me kurajoze dhe te jape emra konkrete per ta luftuar me efektivitet fenomenin qe kritikon.

Shto koment

Denonco