Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Administrata

Administrata

Nga Gerina Mullaj - 03/06/2018

Ka disa kohë që administrata shtetërore ndjehet e fryrë. Nuk do ndihej e tillë sikur të mos ishte një nënë hijerëndë me aftësi të thekura bamirësie, të cilat nxitin me autoritet të plotë punësimin e kaq e kaq njerëzve halleplot.

Kjo nënë që rrit me dashuri të pakushtëzuar fëmijët e saj ka dhënë prova të shkëlqyera të sakrificave vetëflijuese që shfaqen përmes punësimit pa meritë.

Disa të paditur e mendjepak akuzojnë me opinionet e tyre të çmeritura, nënë administratën për një mijë e një të zeza, padrejtësisht, pa arritur të kuptojnë madhësinë e vuajtjes që kalon ajo për të rritur syresh fëmijësh të uritur e të babëzitur.

Nuk është e qartë përse një popull që nuk ka durimin të lërë të kalojnë dy sekonda më tepër nga hapja e dritës jeshile në semafor përpara se t’i bjer burisë, bëhet lëmsh kur vjen puna për të gjetur pak durim për të dalluar opinionin nga fakti.

Opinioni vjen si kundërshti ogurzezë ndaj përpjekjeve të administratës për të kënaqur bijtë e bijat e veta, ndërsa fakti është se kjo përpjekje është e njemënd dhe e vërtetë. Ajo i do fëmijët e vetë, i motivon, i pasuron, i ushqen, i fryn, pavarësisht nëse këta fëmijë e meritojnë, pavarësisht nëse janë të shkolluar apo jo, militant apo miq të militantëve, të zot apo dembelë, pavarësisht nëse shkojnë në punë apo jo, nëse kryejnë shkelje, nëse mbajnë nëpër mure diploma false apo nëse nuk e meritojnë fare të ushqehen me qumështin e nënës-administratë.

E përpos të gjithave kjo grua e fisme, kjo zonjë sakrificë-madhe vazhdon ushqen fëmijët e vetë pa interesa, pa marrë gjë në këmbim, me kushtin e vetëm që këta fëmijë të jenë të vetët dhe jo të njerkës (partisë tjetër).

Asnjë administratë në botë, nuk ma merr mendja, të jetë më e mirë se e jona, jo vetëm për nga bujaria e beftë me të cilën mban në punë njerëz pa meritë, gjë që mund të kuptohet vetëm përmes qashtërsisë së shenjtorit, por edhe për shkak të këmbënguljes së saj të palodhur për të vazhduar me mirësinë e pashoqe të ndihmojë ata që kanë më tepër nevojë të ndihmohen: të pashkolluarit dhe të paaftët. Ç’administratë në botë bën një bamirësi të tillë e të rrallë? Por ka edhe nga ata që janë të aftë dhe janë të shkolluar por ju mungon vullneti për të punuar, megjithatë administrata e ka zgjidhjen edhe për këtë: ju jep të drejtën këtyre shpirtdobëve të mos paraqiten në punë, për aq kohë sa ata paguhen rregullisht. Në ç’vend tjetër ndodh kjo dukuri magjiplot?

Ka ardhë koha t’i japim kohë administratës që të na vërtetojë se ka të mira më të mëdha edhe nga këto.

Ajo ndjehet e fryrë, për shkak të mirësisë së tepërt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ludmilla Malaj06/06/2018 13:55

Administrata po te kete drejtues te afte funksionon per bukuri. Por kur ke drejtora qe pine tere diten, shikojne Ertugrylin ne zyre, te preferuarat e tyre vene e vine si u do qefi, shqetesohen per nje cep thoi apo leshi te palyer, lyhen e ngjyhen neper zyra domosdo lesh e li kthehet shteti.

Shto koment

Denonco