Policisë iu ka marrë ana

Policisë iu ka marrë ana

Nga Patrik Sadikaj - 02/06/2018

Edhe nëse e zhveshim nga të gjitha arritjet qeverisjen e Partisë Demokratike në vitet 2005-2013, vetëm nga një meritë nuk e shkarkojmë dot. Ngritjen e një Policie Shteti të pavarur nga politika. Nëse i kthehemi zgjedhjeve të vitit 2009, në raportet e OSBE-së, BE-së dhe SHBA gjendej fare thjeshtë pjesa ku vlersohej kjo arritje e madhe. Kjo arritje u kofirmua edhe në zgjedhjet e vitit 2013, ku pavarësisht se PD humbi pushtetin policia i mbajti duart larg kutive të votimit. Pra u konfirmua gradualiteti me të cilin ishte ndërtuar kjo ndasi e njerëzve me uniform nga njerëzit me kollare të politikës.

Pikërisht në kulmin e suksesit, ne kemi treguar se arrijmë të përmbysim gjithçka. Post zgjedhjet e vitit 2013 konfirmuan mësë miri këtë fakt. Dy ditë para votimeve të vitit 2013, në studion e Ora Neës, ish-ministri i Brendshëm Tahiri pranoi se Partia Socialiste për të mbrojtur kutitë e votimit kishte krijuar një strukturë operative që analistët e majtë pjesë e bisedës televizive në atë kohë e quajtën “policia e PS”.  Pas këtaj, kjo “polici” që përbëhej nga ish-policë të nxjerrë jashtë sistemit për shkelje kryesisht, por edhe nga elementë që më pas do rezultonin kriminalë, dalngadalë u fut në shtratin e Policisë së Shtetit duke nxjerre prej tij, oficerë të cilët ishin trajnuar për vite me rradhë nga BE dhe SHBA për të qënë pikërisht të larguar varësisht nga politika. Sot ata janë rrugëve, pa punë, ndërsa shume prej atyre militarëve zgjedhorë të PS, pas vetëm një gjysëm mandate u shëndërruan në persona të kërkuar për lidhjet e ngushta me trafikun e drogës.

Vazhdojmë me tej me përmbysejn e policisë dhe kthimin e saj të shpejtë në një mashë që shërben për të kapur atë që do politika. Në zgjedhjet që pasuan ato të vitit 2013-të Policia e Shtetit filloi të afrohej më shumë tek kutitë dhe të marrë gjithnjë e më shumë rol elektoral për Rilindjen e majtë në pushtet. Raportet ndërkombëtare e hoqen termin “e paanshme” dhe shpesh herë gjeten edhe raste konkrete ku paanësia e policisë dëmtohej keq.

Përdorimi i Policisë u bë i qartë, kur vetë kryeministri Rama, nga Berati i ftoi të merrnin thesin e pas punës ta mbushnin me vota. Pas kritikave, ai e tërhoqi, pork jo nuk kishte më pikë rëndësie. Policët e kishin marrë mesazhin. Tani duhet të bënin atë që donte kryeministri, përndryshe kusuret do të laheshin me vend pune. Ky ishte edhe qëllimi i Ramës, të çonte mesazhin tek policët dhe jo vetëm. E në fakt misioni u krye me sukses. Policët I sherbyen jo pak procesit zgjedhor të vitit 2017, por jo si dikur duke garantuar siguri për votën e lirë. Ndonëse ministri teknik i punëve të Brendshme bëri sa mundi të ndalte zellin e uniformave blu, nuk gjeti të njëjtën gatishmëri nga drejtuesit e Policisë që tashmë ishin graduar për meritat e punës së bërë në 2013 si strukturë militante.

Dhe ja ku jemi sot. Policia në vend që të jetë duke garantuar rend e siguri apo në vend që të ndalë tymin e drogës anëkend vendit, angazhohet maksimalisht në derën e kryetarit të opozitës madje duke i ,mbajtur siç raporton media nën survejim edhe familjen apo mbron në bllok vëllain e ministrit të akuzuar. Një shkelje e rëndë kushtetuese padyshim. Policia survejon vetëm me urdhër të Prokurorisë dhe kur një individ është person i dyshuar për vepër penale apo nën hetim. Madje ligji e ndalon rreptësisht policinë të kryejë një veprim të tillë ndaj një individi politik, aq më pak kreut të opozitës. Por po flasim për policinë e vitit 2018 dhe jo atë të vitit 2009 apo 2013. Po flasim për policinë që harron rrolin e saj bazik të rendit e sigurisë së qytetarëve dhe dyndet e gjitha në Elbasan për të mbrojtur kryeministrin nga disa të rinj që nuk bëjnë asnjë shkjelje veçse mbajnë parrulla për të protestuar. Kaq. Kjo është policia që deshëm, por kurrsesi ajo që duam.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco