Rendi botëror i pasluftës ka rënë

Rendi botëror i pasluftës ka rënë

Nga Victor Davis Hanson - 01/06/2018

Rendi 75-vjeçar i pasluftës i instaluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përfundim të Luftës II Botërore po bie. Pothuajse çdo iniciativë madhore në politikën e jashtme gjatë 16 viteve të fundit duket se ka dalë jashtë kontrollit.

Presidenca e Donald Trumpit ishte një pasqyrim, jo katalizator, i vdekjes së status quo-së në politikën e jashtme. Një pjesë e mirë e botës tashmë operon mbi premisa që pak kanë të bëjnë me institucionet zyrtare, zakonet e traditat e pasluftës, të cilat, ndonëse ishin të suksesshme, tani i përkasin një kohe të shkuar.

Merrni idenë e Turqisë Perëndimore, “jetësore për krahun juglindor të NATO-s, një ide që zgjati po aq sa ushtria “e pamposhtur” franceze e 1939-ës. Për mbi një dekadë, njeriu i fortë i Turqisë Recep Tayyip Erdogan i ka shkatërruar traditat dikur pro-Perëndimore dhe sekulare të Turqisë; ai nuk do të kishte mundur ta bënte këtë gjë pa pasur të paktën përkrahjen e shumicës së popullit.

Nisur nga përvoja, Turqia neo-Otomae është një aleate e NATO-s vetëm si emër. Nga çdo standard i sjelljes – Ankaraja sapo tërhoqi ambasadorin e saj nga SHBA – Turqia është de facto armik i Shteteve të Bashkuara. Ajo përkrah lëvizjet radikale islamike, po armiqësohet përherë e më tepër me aleatë të SHBA të tillë si Greqia, kurdët e Izraeli, dhe kundërshton thuajse çdo iniciativë në politikën e jashtme të Ëashingtonit në dekadën e fundit. Do të vijë momenti kur një fëmijë do të klithë që mbreti është lakuriq: Thjesht sepse Turqia thotë se është aleate në NATO nuk do të thotë se është me të vërtetë dhe do të jetë edhe më pak në të ardhmen.

Përkundrazi, Turqia është analoge me Pakistanin, një vend dobia me raste e të cilit për SHBA nuk do të thotë se është aleat apo miqësor zakonisht.

Nuk ka mbetur më asgjë nga rrena e vjetër se vetëm duke kënaqur merkantilizmin e Kinës mund të ketë një klasë të mesme të pasur kineze që do të adoptojë në mënyrë të pashmangshme demokracinë e do të bëhet partner i Perëndimit dhe një vend model në rang globi. Kina është një mashtruese kronike në tregtinë ndërkombëtare. Shkjela e rregullave të tregtisë ka qenë rruga e saj drejt pasurimit. Dhe synon të përdorë paratë e saj si levë për të rikrijuar diçka si sfera e dikurshme perandorake japoneze në Azinë Lindore. Lëshimet tragtare të Amerikës karshi Pekinit në dekadën e fundit nuk sollën më tepër stabilitet në Azi se lëshimet për Tokion në vitet ’30.

Nuk ka asgjë të shenjtë edhe për sa i përket Bashkimit Evropian. Sigurisht që nuk është harta e ndonjë qytetërimi demokratik kontinental më tepër se sa “sistemi kontinental” i krijuar nga Bonaparte. Imponimi shpeshherë krudo i socializmit demokratik, pacifizmit dhe multikulturalizmit nën ombrellën e elitave anti-demokratike, nga Atlantiku në kufirin rus, po përhap kaos. Mendësia utopike e BE e ka ndryshuar demografinë evropiane, politikën e imigracionit, prodhimin e energjisë dhe mbrojtjen. Si rezultat tashmë janë katër lloje BE antietike: Britani e Madhe renegat dhe në largim, Blloku Lindor i distancuar e i shqetësuar për kufijtë e hapur, Jugu i falimentuar i idhët për shkak të gjendjes në vijën e frontit me imigracionin e masat shtrënguese, dhe bërthama e vjetër e Evropës Perëndimore (një eufemizëm për hegjemoninë gjermane).

Për sa i përket Gjermanisë, ajo nuk është më Gjermania Perëndimore e modelit “të ri” e pasluftës, por një Gjermani e vjetër familiare që tani ushtron presion mbi fqinjët për çështjet e imigracionit të paligjshëm, subvencioneve financiare, Brexit, energjinë ruse dhe kontributet në NATO, ashtu siç kërkonte zgjerimin e Prusisë dhe tokës së Sudetëve. Bashkimi gjerman tani shfaq më tepër shpirtin e 1871-shit se sa të 1989-ës. Quajeni qëndrimin e ri gjerman “postmodernizëm gjerman” — një lloj intimidimi të gjelbër e poltikisht korrekt. Po ashtu, për sa i përket trajtimit të hebrenjve gjermanë, Gjermania duket se është më tepër në botën e paraluftës se sa në atë të pasluftës.

Në lidhje me SHBA, Gjermania ka ripërcaktuar marrëdhënien e pasluftës bazuar mbi diçka si tri hipotezat e mëposhtme: 1) E drejta e Gjermanisë të mos mbajë premtimin për të shpenzuar 2% të GDP për mbrojtjen, sipas kushteve të NATO-s, është e panegociueshme; 2) Suficiti i saj vjetor prej 65 miliardë dollarësh me SHBA është i panegociueshëm; 3) Suficiti tregtar rekord botër prej 280 miliardë dollarësh është i panegociueshëm. Rezultat i supozimeve të mësipërme është këmbëngulja e Gjermanisë se NATO në formën e saj tradicionale është e pandryshueshme dhe se sistemi i tanishëm “i lirë” tregtar është i padhunueshëm.

Norma e pasluftës e energjisë përfundoi dhjetë vjet më parë. Vitin e ardhshëm SHBA do të jetë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror, naftës dhe qymyrit, në kohën e një progresi rela në të gjithë tipet e motorëve hibridë. Izraeli nuk ka nevojë për naftën apo gazin e Lindjes së Mesme, apo të kujtdo tjetër. Gjiri Persik tani është kryesisht një shqetësim strategjik i Iranit dhe i monarkive arqirivale të tij në Gji që i shesin naftë Kinës dhe Evropës, asnjëra prej të cilave deri tani nuk ka fuqinë detare për të mbrojtur burimet e brishta të interesave të tyre energjetike.

Çështja palestineze e 75 viteve të fundit është ngurtësuar. Nëse milionat e njerëzve të shpërngulur në Evropë dhe Lindjen e Mesme midis 1946 e 1950 — në të njëjtën kohë që palestinezët lanë Izraelin e sotëm – nuk do të ishin konsideruar si “refugjatë” për dekada, atëherë zor se palestinezët janë vuajtës të vetëm. Viktimizimi i përjetshëm nuk është bazë për axhendën kombëtare, aq më pak për një çek të bardhë ndihmash të pafund perëndimore. Shpërngulja e ambasadës amerikane në Jerusalem ishte thjesht një njohje ikonike e asaj që ka qenë e vërtetë për pothuajse një dekadë.

Pasanikët arabë të Bregut Perëndimor tani i tremben më tepër Iranit se Izraelit. Lufta e ardhshme në Lindjen e Mesme do të jetë midis Izraelit e Iranit, jo midis palestinezëve e sponsorëve të tyre arabë e Tel Avivit – dhe arabët sunitë do të bëjnë tifo për Izraelin për të mundur Iranin islamik.

Edhe shtrirja bërthamore nuk ndjek më modelin e vatrës së nxehtë të pasluftës të Perëndimit në ankth se mos ndonjë regjim armik pajisej me armë bërthamore.

Përkundrazi, nëse do të ketë shtrirje, do të jenë vendet demokratike — Japonia, Korea e Jugut, Taivani, Egjpti e Arabia Saudite – që do t’i kundërvihen dështimit të vendeve Perëndimore, OKB-së dhe shoqatave ndërkombëtare për parandalimin e shtrirjes bërthamore në vende jashtë sistemit. Ato do të kërkojnë përmbajtje kundër regjimeve të nuklearizuara e përkrahura nga Rusia e Kina në të kaluarën. Nuk është e thënë që Korea e Veriut apo Irani do të kenë gjithmonë armë bërthamore, duke konsideruar brishtësinë e ekonomive të tyre të izoluara karshi sanksioneve e bllokadave, antipatinë ndërkombëtare dhe koston që do të peshojë mbi mbrojtësit e tyre të padukshëm.

Së fundi, po shohim fundin e aksiomës së vjetër se SHBA ka qenë ose psikologjikisht ose ekonomikisht kaq e fortë saqë mund të mbante lehtësisht barrën e lidershipit global.

Forcat historike e kanë vjetëruar të menduarit e pasluftës dhe kanë lënë shumë “ekspertë” reaksionarë të martuar me të shkuarën dhe mohues të realitetit shpeshherë të rrezikshëm që kanë para syve. Më i keq është edhe insistimi për të panumërtën herë se Donald Trump kërcënon rendin e pasluftës, minon NATO-n, nuk e ka idenë për BE apo injoron institucionet e sofistikuara që e mbajnë bashkë botën.

E vetmja metaforë që vlen është që Trump e gjuajti me gurë shtëpinë globale prej xhami. Por nuk është aq një përrallë moraliteti për fuqinë e gurëve se sa për thërrmimin e xhamit të krisur.

Marrë nga Nationalreview.com-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp01/06/2018 20:34

"Rendi boteror i pas luftes ka rene".I pari qe e kuptoj situaten e re dhe pershtati politiken e jashtme por edhe te brendshme, ne perputhje me keto ndryshime eshte SHBA.Fokusimi i SHBA te burimet e brendshme energjitike qe ne presidencen Obama ishte nje kuptim, reagim dhe pershtatje gjeniale me situatat dhe ndryshimet ne rang global.Ndryshimi i estabilshmentit ne SHBA ishte nje gjenialitet i popullit Amerikan dhe elitave.Politika e ndjekur nga Presidenca Trump si ne planin e brendshem por edhe ne maredheniet nderkombetare shenojne nje kulm dhe pritshmerite e botes te lidershipi Amerikan , besoj do permbushen.Nje Amerike e forte prej se brendshmi dikton lidership edhe ne bote.Zgjidhja e problemeve te mbarsura gjate historise mund te zgjidhen ne paqe.Te humbasesh me lufte nje kauz te drejte sic ishte ajo e demokracise ndaj komunizmit qe mbronte kampi komunist dhe te kthehesh si triumfator ne Korene e Veriut per ta cmilitarizuar ate, ta pajtosh me vllaun e saj ne jug dhe ta ndihmosh te zhvillohet si jugu, eshte triumfalizem i kauzes.Precedenti mund te jete shqetesues per lindjen dhe kryesisht per Rusine e cila te gjithe potencialin e vete e bazon ne nje ekonomi te bazuar ne energjitik dhe ne tregetine e armeve.Ajo qe nuk po pershtatet me zhvillimet e reja dhe qe gjithe politiken e bazon ne dualizem eshte BE.Mirpo Z.Trump sa po i ka perkujtuar te kthjellohen, se shpresat ne ndonji plane Marshall duhet ti harroni, se mos mirenjohja nuk eshte vlere.Nese BE nuk vepron shpejt dhe ne partneritet strategjik me SHBA fundi do jete i hidhur per te."Kina eshte nje mashtruse kronike ne tregetine nderkombetare"thekson me lart artikullshkruesi, por kjo eshte njera ane e medales.Por rreziku me i madh per BE do jene hordhite e emigracionit kinez ne drejtim te BE.Ndaj integrimi i Ballkanit dhe Turqise ne BE eshte domosdoshmeri.

Shto koment

Denonco