Disa pyetje Edi Ramës për ‘marrëdhëniet e tij të fshehta’ me Erdogan…

Disa pyetje Edi Ramës për ‘marrëdhëniet e tij të fshehta’ me Erdogan…

Nga SYRI.net - 30/05/2018

Që nga viti 1991 Shqipëria ka pasur marrëdhënie miqësore me Turqinë. Me një vend anëtar NATO-s. Marrëdhënie që kanë qenë korrekte dhe transparente nga të gjithë qeveritë, përfshi presidentët, kryeministrat, ministrat dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por asnjëherë këto nuk kanë qenë marrëdhënie personale dhe aq më pak ilegale apo sekrete.

Me ardhjen në krye të qeverisë, për herë të parë që nga 1991, Rama e klasifikoi Turqinë në listën e vendeve partnere prioritare, duke i dhënë në praktikë shpesh, sidomos pas zgjedhjes së Trump në krye të SHBA, edhe vend më të priveligjuar se SHBA!

Edi Rama që pak para se të bëhej kryeministër e deri më sot ka zhvilluar marrëdhënie të fshehta personale, jo rrallë edhe takime sekrete dhe për çështje që askush në qeveri apo shtet nuk ka informacion.

Të gjithë këto takime sekrete dhe marrëdhënie të fshehta kanë krijuar dyshime si brenda vendit ashtu edhe në lidershipin europian. Me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë dhe stigmatizmin nga perëndimi të sjelljeve autoritare të Erdoganit, është rritur ‘rreziku’ i ndikimit të këtij faktori në zhvillimet në Shqipëri me pasoja edhe në integrimin e vendit në BE.

Për lidhjet e fshehta (jo për pjesën e marrëdhënieve zyrtare e transparente) të Ramës me Erdogan që kanë krijuar dyshime e shqetësime në Shqipëri dhe Perëndim do të shtroheshin disa pyetje:

  • Cili ka qenë mentori/këshilltari që ka projektuar dhe ngjizur marrëdhënien personale e takimet e para të fshehta mes Ramës e Edrdogan?
  • Përse Rama ka miratuar marrëveshjen në Konferencës e Organizatës së bashkëpunimit Islamik, para mbledhjes së OKB, për të votuar kundër SHBA për vendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem? Çfarë këshillash ka marrë Rama nga Erdogan për këtë çështje? Dhe kur është realizuar kjo bisedë e fshehtë? Dhe a ka Ministria e Jashtme të gjithë dosjen për këtë çështje?
  • A ka zhvilluar Rama bisedime të fshehta më Erdogan për qëndrimin në OKB kundër nismës së Presidentit të SHBA Donald Trump? Dhe çfarë është biseduar në këto takime? Çfarë ka biseduar Rama me Erdogan për çështjen e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë? A ekzistojnë në Ministrinë e Jashtme informacione për bisedimet Rama-Erdogan për këtë çështje?
  • Çfarë bisedimesh të fshehta ka zhvilluar Rama me Erdogan për çështjen e transportit në Shqipëri të mbetjeve kimike nga Siria? A ka pasur Rama këshilla nga Erdogan për këtë çështje?
  • Çfarë ka biseduar fshehtësisht me Erdogan për çështjen e ekstradimit të ‘gylenistëve’ nga Shqipëria? A zotëron Rama një listë të ‘gylenistëve’ të kërkuar nga Erdogan? A zotëron Ministria e Jashtme informacione për këto bisedime sekrete Rama-Erdogan për çështjen e ‘gylenistëve’?
  • Çfarë bisedash sekrete ka zhvilluar Rama me Erdogan për Kosovën e marrëdhëniet e tij me Vuçiç?
  • Çfarë bisede të fshehtë ka zhvilluar Rama me Erdogan për çështjen e ndërtimit dhe inaugurimit të Xhamisë së Tiranës dhe më konkretisht për shkarkimin e Kryetarit të KMSH? A i është kërkuar Ramës në këto takime të fshehta me Erdogan klasifikimi i kryetarit të KMSH në listën e ‘gylenistëve’? A ka informacione në Ministrinë e Jashtme për bisedimet e Ramës me Erdogan për këtë çështje?
  • A ka biseduar Rama në këto takime të fshehta me Erdogan edhe për marrëdhëniet e tij me Putin dhe Rusinë? A ka informacione në Ministrinë e Jashtme për këto biseda?
  • A i është ngritur Ramës në takimet me Merkel dhe Makron çështja e marrëdhënieve të tij me Erdogan? Çfarë informacionesh ekzistojnë në Ministrinë e Jashtme lidhur me ndikimin e Erdogan mbi Edi Ramën dhe lidhjet e tij të dyshimta?
  • A e ka vënë Rama në dijeni Erdogan që ambasadori i tij në Tel Aviv mori pjesë në inaugurimin e ambasadës së SHBA në Jeruzalem? Dhe/apo çfarë reagimi ka pasur nga Erdogan për këtë çështje?
  • A ka marrë komente/reagime ambasadori i Shqipërisë në Ankara, para apo gjatë Samitit të Jashtëzakonshëm që u mbajt në Stamboll, ku Turqia dhe vendet myslimane dënuan veprimet e SHBA e të Izraelit në rastin e inaugurimit të ambasadës së SHBA në Jerusalem? Përse ambasadori i Shqipërisë në Ankara nuk e bëri të qartë qëndrimin e Ramës për pjesëmarrjen në inaugurimin e ambasadës së SHBA në Jerusalem por votoi në heshtje për miratimin e të gjithë kritikave dhe sulmeve ndaj SHBA dhe Izraelit?

Opozita duhet urgjentisht në një seancë me dyer të mbyllura të Komisionit të Politikës së Jashtme të marrë informacionet zyrtare nga Kryeministria dhe Ministria e Jashtme për marrëdhëniet e fshehta e takimet sekrete mes Ramës e Erdogan.

Po ashtu edhe Presidenti i Republikës duhet të kërkojë të gjithë informacionet për këtë çështje. Dhe eventualisht mund të organizonte edhe një mbledhje të posaçme për këtë çështje përderisa marrëdhëniet e fshehta të Ramës me Erdogan janë bërë pjesë e raporteve perëndimore, zyrtare apo të OJF, me ndikim në integrimin e Shqipërisë me BE.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco