Lajmi i fundit

Vjedhjet me '5D'/ Sot protesta e opozitës të bashkia e Tiranës

Prapaskenat e ‘shkopit’ që hëngri Rama në Berlin dhe të ‘karotës’ që do të marrë në Vjenë

Prapaskenat e ‘shkopit’ që hëngri Rama në Berlin dhe të ‘karotës’ që do të marrë në Vjenë

Nga Poli Hoxha - 29/05/2018

Media austriake kanë konfirmuar sot takimin, që do të zhvillohet ditën e nesërme në Vjenë mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelarit të Austrisë Sebastian Kurz.

Sipas tyre pjesë e bisedimeve do të jetë mbështetja nga ana e këtij vendi e reformave në Shqipëri, hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, por nënvizohet se jo-zyrtarisht do të diskutohet, edhe për fluksin e madh të refugjatëve, që mbërrijnë në Europë nga vendi ynë dhe për rrezikun turk në rajon.

Fakti që Austria, nga një vend i cili na bllokoi hapjen e  negociatave në vitin 2016 është rreshtuar këtë herë pro dhënies së një shansi për Shqipërinë, është një lajm shumë i mirë. Por le të rikthehemi pas në kohë,  dy vite më parë.

Droga

Në atë periudhë kur si sot po diskutohej mes vendeve të BE-së e njëjta çështje për vendet e Ballkanit Perëndimor, deputeti austriak, Michael Hammer (PPA), (njëkohësisht kryetar i shoqatës parlamentare të miqësisë Austri-Shqipëri Michael Hammer), deklaroi qartë se nuk do të ketë integrim për vendin tonë nëse më parë nuk intensifikohet lufta ndaj drogës, duke vënë nën kontroll këtë fenomen shqetësues për të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

 "Por në rrugën drejt Bashkimit Europian duhen bërë plot gjëra...Para së gjithash në fushën e luftës kundër kriminalitetit, rastet e shumta të kultivimit të drogës, të kultivimit të paligjshëm të hashashit, janë një problem i madh. Ne duam të shohim më shumë suksese në luftë kundër drogës e trafikut të saj e të personave”, deklaronte dy vite më parë deputeti austriak.

Gjithashtu pala austriake në atë kohë paralajmëroi se, “Qeveria shqiptare duhet të ndalojë e të refuzojë praktika të tilla, nëse do të ndryshojë imazhin e saj në botë. Kjo problematikë është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Këtu duhet, që qeveria “Rama” të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE duhet që këto zhvillime të mbikëqyren rreptësisht".

Tahiri&Xhafaj

Tani jemi dy vite më pas dhe shumë zhvillime ka pasur në vendin tonë. Imazhi i vetëm të cilin ka ndryshuar qeveria e Rilindjes është; nga Samir Tahiri në shërbim të kushërinjve trafikantë droge, te Fatmir Xhafaj në shërbim të të vëllait supertrafikant kokaine, etj.

Ministri i Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri, u kap në flagrancë jo vetëm si tolerues i situatës me drogën që shqetësonte aq shumë në vitin 2016 austriakët, por edhe si pjesë integrale e asaj skeme. Rama e mbrojti me të gjitha mënyrat deri në fund dhe vazhdon edhe sot të bëjë gjithçka për ta hequr Tahirin nga “kthetrat” e drejtësisë, sepse e di shumë mirë që bashkë me atë dekonspirohet edhe roli i atij vetë në gjithë atë ndërmarrje kriminale.

Është e vërtetë që gjatë vitit të shkuar dhe sivjet, kultivimi ka rënë ndjeshëm, por kjo nuk ka të bëjë fare më punën e qeverisë Rama. Magazinat dhe tunelet vazhdojnë të jenë plot nga mbiprodhimi i vitit 2016, ndërsa trafiku vazhdon me ritme të larta nga toka dhe deti. Risia është se kokaina dhe heroina është bërë më e parapëlqyer se kanabisi nga mafia e drogës, që u konsolidua gjatë kohës së Tahirit. Këtë e dinë mirë austriakët, gjermanët, holandezët, italianët, grekët, etj.

Kjo është epoka e ministrit të ri të Brendshëm që zëvendësoi Tahirin, Fatmir Xhafaj, i cili në pak muaj në detyrë, rezulton “ i kapur me presh në dorë”.

Pasi mbrojti dhe “fshehu” të vëllanë trafikant ndërkombëtar droge, pasi falsifikoi ligjin për ekstradimet gjatë procesit të Reformës në drejtësi, sot qëndron si një damkë në ballë të Shqipërisë, si i vetmi vend në botë që ka një ministër të Brendshëm, me vëllanë në pranga brenda një burgu të BE-së. Dhe jo si hajdut shtëpish, por si kryetar i një organizate ndërkombëtare të drogave të rënda dhe i dyshuar e nën hetim, se e vazhdon me intensitet veprimtarinë kriminale.

Por pavarësish të gjitha këtyre, ditën e nesërme në Vjenë, Edi Rama, duke tundur rekomandimin e KE-së  do të marrë një nga 28 “po-të” që i duhen për hapjen e negociatave.

Këtë e ka deklaruar vetë kancelari Kurz dhe ky është një lajm i madh për shqiptarët, siç e thamë edhe në fillim të shkrimit. Çështja është të kuptojmë hallin, që e ka zënë BE-në me një kryeministër si Edi Rama dhe veçanërisht vende kryesore si Gjermania e Austria.

Shkopi

Kancelari Kurz faktikisht është një aleat i fortë i kancelares gjermane, Angela Merkel, jo vetëm në kuadër të Partive Popullore Europiane.

Nëse e para në takimin me Ramën në Belin i foli për “parakushte”, pra për kapje të qeverisë së tij nga krimi i organizuar dhe për korrupsion galopant, i dyti ka paralajmëruar dy tema të tjera për të diskutuar në takimin e nesërm.

"Sa më të këqija janë perspektivat për anëtarësim, aq më të mëdha janë mundësitë për ndikim për vende si Turqia apo Rusia", deklaroi pak ditë më parë për Shqipërinë kancelari.

 Rrezikun turk sot e përmend edhe media vendase, “Die Presse”, e cila shton edhe problematikën e refugjatëve që ikin nga Shqipëria drejt vendeve të BE, ose që e përdorin atë si bazë. Ata e dinë shumë mirë se qeveria shqiptare nuk po bën asnjë përpjekje serioze për të ndaluar fluksin e refugjateve nga Siria e vendet arabe, drejt vendeve të BE. Tashmë është zyrtare, se numri i atyre që përdorin vendin tonë si tranpolinë është dyfishuar. Puna ka shkuar deri aty, sa që ne përveç namit “Kolumbi”, po marrim edhe damkën "Meksikë e Europës", tani që Mali i Zi e ka marrë seriozisht projektin për të ngritur një gardh në kufi me Shqipërinë. Kjo ndërkohë që pas skandalit Xhafaj, policia dhe mnistria e Brendshme janë në gjendje paralize.

Karota

Nëse vini re deklarimin e mësipërm të kancelarit austriak, ai e rendit Tuqinë si rrezik ndaj vendit tonë, përpara Rusisë.

Për ndjekësit e rregull të zhvillimeve politike, në Europë, nuk është surprizë lajmi se Tuqia e Edogan është shndërruar me shpejtësi në një “hall të madh” veçanërisht për Gjermaninë dhe Austrinë. Madje të krijohet përshtypja se Mekel ka më shumë “frikë” destabilitetin politik dhe individual në përkeqësim të Erdogan, se sa Putinin e Rusisë.

Në këtë këndvështrim, këto vende dhe vetë BE si bllok kanë arsye të forta që të jenë të shqetësuar për lëvizjet e “Sulltanit” në Ballkanin Perëndimor. Por në rastin e Shqipërisë, çështja është më specifike.

Ka një kontradiktë të fortë, në të gjithën këtë. Edi Rama me ndërgjegje e ka paraqitur veten, si një mik i ngushtë “strategjik” deri në vëllam i autokratit të Ankarasë dhe shfaqet i gatshëm që ta lëshojë në krahët e tij veten dhe qeverinë, pavarësisht se populli që drejton nuk ka asnjë afeksion të tillë. Përkundrazi.

Deklarata e tij të fundit se është i gatshëm të spastrojë nga Shqipëria gylenistët si “terroristë”, natyrisht që kanë alarmuar vendet e BE, veçanërisht Berlinin dhe Vjenën.

Në këtë situatë, Edi Rama është shndërruar në një hall në mes të Ballkanit, i cili duhet zgjidhur në mënyrë të tillë që të ketë sa më pak “dëm koleteral”. Ai po luan fortë me shantazhin, siç bëri edhe sot në intervistën për “Franc 24”, duke kujtuar se i ka “lemerisur” kancelaritë e vendeve të BE dhe kështu ato do të detyrohen, që ti hapin derën me Habilaj&Xhafaj në prehër.

E vërteta është se po e trajtojnë si një hall që ju ka zënë derën momentalisht, ndërkohë që kanë shumë punë për të bërë brenda shtëpisë së tyre të madhe.

Pra nëse për krimin e organizuar në Berlin, Amsterdam e Paris i dhanë shkelmin e “shkopin”, për çështjen e Turqisë, për stabilitetin proeuropian të Shqipërisë dhe rajonit; në Vjenë po i japin, karotën!

Kështu po shkon drejt fundit të Qershorit Edi Rama; me shkop në kokë, e një karrot në dorë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

droga30/05/2018 11:00

Tashmë është një fakt i njohur historik se veç SHBA, ishte Perandoria Austro-hungareze e vetmja fuqi europiane e kohës, që ka mbështetur kombin shqiptar në aspiratat e tijj kombëtare.
Shteti aktual austriak, ndonëse ka një qeverisje të djathtë, duket se vazhdon të mbështesë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, qoftë edhe të qeverisur nga socialiste.
Nëse do të niseshim nga propogandat e Ramës se është opozita ajo që nuk e do integrimin europian, edhe do të na dukej si çudi se pse një qeveri e djathtë austriake, i dilka në mbojtje Ramës. Por është naive të mendohet se austriakët mbajnë këtë qëndrim se ju pëlqekërka politika drogiste e Ramës..
Duke hyre në proçesin e negociatave, mundësit e kontrollit të qeverisjes së Shqipërisë nga BE e shtete demokratike si Austria, do të jenë dyfish më të mëdha sesa sot.
Tashmë është bërë e njohur se edhe opozita ka berë ndërhyrje ne BE, ndryshe nga ç'gënjen propoganda e Ramës, që edhe me këtë qeveri, Shqipëria duhet të fillojë negociatat, sepse kjo do ta ndihmojë Shqipërinë qe të shpëtojë nga qeveria e krimit e drogës.

krasasi tp29/05/2018 16:51

Z.Hoxha, E paskeni pire kafen bashke keto dite me Z.Piro Misha ngaqe ndakeni te njejtin gjykim, relativizimit qe i beni ndikimit Ruso-Putinist ne Ballkan dhe rrezikut qe kryesisht vjen, nga Turqija-Erdoganiste,pasi s'jeni perzier fare, ne analiza te ceshtjeve te brendshme,( Ju jeni mare per hire te se vertetes me kanabizimin) kur i doli tymi na baxhaja .

Shto koment

Denonco