Si do të jetë sjellja e Ambasadorit të ri amerikan, ndaj marrëzive të Ramës?!

Si do të jetë sjellja e Ambasadorit të ri amerikan, ndaj marrëzive të Ramës?!

Nga Kastriot Islami - 23/05/2018

Përgjigja e kësaj pyetjeje jepet përmes kësaj analize. Duke marrë së pari në konsideratë përfundimet por edhe propozimet e institucionet amerikan konservator Judicial Watch për DASH, por edhe disa vlerësime që kanë shqetësuar shqiptarët.

MOSNDRYSHIMI: …Lu largohet, por interesat amerikane mbeten…

Pohimi se me largimin e ambasadorit amerikan Lu në Tiranë  s’ndryshojnë interesat amerikane në Shqipëri është një pohim evident i Mathew Palmer, zyrtar i lartë në DASH; kështu ka ndodhur gjithnjë dhe kështu do të ndodhë edhe këtë radhë. Sepse interesat amerikane s’varen as se kush vjen ambasador në Tiranë dhe as se kush është kryeministër i Shqipërisë dhe as sesi sillet kryeministri i Shqipërisë ndaj institucioneve apo lidershipit amerikan. Madje as edhe marrëzitë e një kryeministri, si në rastin e Ramës nuk mund të zhvendosin interesat amerikane në Shqipëri. Troç do të pohohej: As këtë herë me largimin e ambasadorit amerikan Lu, interesat amerikane s’do të ndryshojnë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Por disa qëndrime apo vlerësime ndaj marrëzive të Ramës do të ndryshojnë; ka jo pak indikacione që ambasadori i ri amerikan të jetë ndryshe, madje më ashpër ndaj marrëzive të Ramës. Pra, Donald Lu do të largohet nga Shqipëria në mbarim të mandatit të tij, por interesat amerikane s’do të ndryshojnë, ndërkohë që disa qëndrime të administratës së re Trump dhe ambasadorit të ri amerikan do të jenë të ndryshme ndaj marrëzive të Ramës.

NDRYSHIMI I:Paralajmërime nga institucioni konservator JudicialWatch…

Institucioni konservator amerikan Judicial Watch, duke analizuar në një dokument prej 27 faqesh disa qëndrime të ambasadorit Lu, ka arritur në përfundimin se ‘ambasadori Lu, i emëruar nga administrata Obama, dyshohet për qëndrime në mbështetje të Edi Ramës dhe të së majtës, madje mendohet (dhe për këtë 6 senatorë amerikanë i kanë kërkuar hetime DASH) se ambasada në Tiranë ka përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë që ti mundësojnë Ramës vënien nën kontroll të sistemit gjyqësor’.

Pra nga vetë administrata e re amerikane do të hetohen disa qëndrime të ambasadorit Lu. Kjo të shtyn të mendosh se me largimin e Lu, interesi amerikan për reformën në drejtësi dhe betejën kundër krimit e korrupsionit do të mbeten të njëjta, por ambasadori i ri pas Lu s’do të lejojë që sistemi gjyqësor të vihet nën kontrollin e Ramës dhe s’do të lejojë që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për të mbështetur të majtën shqiptare apo promovuar në Shqipëri axhendën apo disa projekte të Sorosit, për të cilat në SHBA ka debate. Pra vetëm institucionet amerikane kanë paralajmëruar ndryshime të qëndrimeve apo sjelljeve të ambasadorit tëri që do të zëvendësojë Lu.

NDRYSHIMI I II:Ambasadori i ri s’do të tolerojë ofendimin e Presidentit Trump…

Rama është i pari drejtues shqiptar në 27 vjet që ka futur hundët në fushatën presidenciale të SHBA, duke e cilësuar si ‘turpi i njerëzimit’ kandidatin Trump. Madje duke shkuar edhe shumë më larg, duke i bërë thirrje votuesve amerikanë të mos e votojnë Trump për president të SHBA se ‘do të shkatërrohen marrëdhëniet Shqipëri-SHBA’. Çuditërisht ambasadori Lu ka heshtur ndaj kësaj marrëzie të Ramës. Shqiptarët besojnë e shpresojnë se në ardhmen situata do të jetë ndryshe, pra as kryeministri shqiptar të mos fusë hundët në punët e brendshme të SHBA por as edhe ambasadori amerikan të heshtë nëse një marrëzi e tillë përsëritet.

NDRYSHIMI I III: Ambasadori i ri, proaktiv që Shqipëria të rifutet në grupin e ‘vendeve mike’

Rama votoi në OKB kundër nismës së Presidentit Trump për vendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem dhe kjo çoi në klasifikimin nga SHBA të Shqipërisë në grupin e “vendeve jo mike”. Kjo ishte shumë e rëndë për Shqipërinë që e ka SHBA partnerin kryesor strategjik. Ambasadori Lu edhe në këtë rast heshti, madje duke u sulmuar edhe nga Rama që deklaroi se “as Lu nuk më këshilloi të votoja pro Trump’ (kjo mund të klasifikohet ligësi diabolike). Shqiptarët besojnë e shpresojnë se ambasadori i ri do të jetë proaktiv që Shqipëria të zërë vendin që i takon në grupin e ‘vendeve mike’.

NDRYSHIMI IV:Ambasadori i ri pritet të jetë i ashpër ndaj kultivimit e trafikimit të kanabisit

Në vitet 2016-2017 Shqipëria u kthye në plantacionin më të madh në Europë të kultivimit masiv të kanabisit dhe të gjithë qytetarët prisnin me padurim qëndrimin e ashpër të ambasadorit amerikan. Por çuditërisht Donald Lu heshti. Ambasadori Lu shumë aktiv me deklaratat e tij kundër korrupsionit të gjyqtarëve e prokurorëve  heshti dhe nuk tha asnjë fjalë as për kultivimin masiv të kanabisit. As për implikimin e policisë. Dhe as për përgjegjësitë e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri të cilin e monitoronte një shërbim tjetër partner për lidhjet e tij një klan mafioz të trafikut të drogës dhe armëve.

Shtrohet në këtë rast pyetja: A do të heshtë ambasadori i ri që vjen në Tiranë i emëruar nga Presidenti. Shqiptarët besojnë e shpresojnë se ambasadori i ri amerikan të jetë i ashpër e konkret me gjithçka që lidhet me kanabisin, si dhe me implikimin e policisë në trafiqet e drogës e veçanërisht me lidhjet e Ministrave të Brendshëm me klanet dhe familjet mafioze.

PËRFUNDIMI: Ambasadori i ri pritet të jetë i ashpër ndaj marrëzive të Ramës…

Natyrisht që ka edhe sjellje të tjera që mund të ndryshojnë apo priten të jenë ndryshe. Nuk është detyra jonë të vlerësojmë nëse Donald Lu ka vepruar brenda kornizës së interesave amerikane. Shqiptarët besojnë e shpresojnë se ambasadori i ri jo vetëm nuk do të heshtë por presin që ai të jetë i ashpër me marrëzitë e Ramës dhe kujtdo tjetri.

Përfundimisht: Lu largohet nga Shqipëria dhe shqiptarët janë të gëzuar që interesat amerikane nuk do të ndryshojnë, por ata besojnë e shpresojnë se ambasadori i ri nuk do të heshtë përballë marrëzive të Ramës apo implikimit të ministrave të tij në afera korruptive apo kur ata rezultojnë të lidhur me klane e familje mafioze. Sepse shqiptarët mendojnë se siguria e vëndit të tyre do të rritej nëse interesat amerikane jo vetëm do të mbeteshin të pandryshueshme, por do të përforcoheshin.

*Autori ka qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë në periudhën 2004-2005

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

stela24/05/2018 09:14

E sigurt qe ai qe do vije nuk do bej avokatin e djallit, sic beri ky qe shyqyr qe do iki

Valbona23/05/2018 21:55

Eshte per tu vleresuar jo vetem guximi por edhe inteligjenca e zotit Islami per kete analize te thelle e te kujdesshme. Nje analize qe i sherben forcimit te marredhenieve Shqiperi Amerike por edhe rritjes se profesionalizmit, dinjitetit e seriozitetit te politikes shqiptare.

Eshte i turpshem reagimi prej militanti te semure qe kerkon te mbroje marrezite e Rames sic thote zotit Islami. Lexoni me vemendje dhe mos shkruani mbrockulla sic beni te gazeta e Meros qe vetem shani dhe ofendoni. Menaxheri i faqes nuk duhet te lejoje njerez te semure qe te bejne komente partiake apo qe paguhen nga rilindja per te mbrojtur marrezite e Rames. Injorante qe nuk lexojne por vetem futen neper faqe per te ofenduar.

Loran 23/05/2018 18:30

Te pakten esht e sigurt se sdo jet si e kti dules qe esht sot ambasador qe as interesat e Amerikes nuk mbron dot vec ben lek e ja con te vellait qe e ka biznesmen ne US per ti pastruar

Kaci23/05/2018 16:02

Cdo ambasador qe vjen ne shqiperi as nuk i kercet fare se kush eshte ne qeveri apo ne opozit. Ata kan axhenden e tyre dhe ndiekin linjen e shtetit qe i ka derguar. Lerini keto dengla qe me demek ambasadori LU mbeshtet ndonje pal te caktuar. Se te pakten 5 amasadoret e fundit, kan qen identik ne qendrimet e tyre. Dhe te jeni te sigurt qe edhe i riu qe do vi te njejtat do bej.

Shto koment

Denonco