Secili për kokën e vet, të gjithë për të shpëtuar Edi Ramën!

Secili për kokën e vet, të gjithë për të shpëtuar Edi Ramën!

Nga Syri.net - 23/05/2018

Ndërkohë që në Shqipëri ambienti politik dhe publik po zien në mënyrë shpërthyese nga skandali “Xhafaj”, në Hagë të Holandës një organizatë (CILC) partnere e misionit EURALIUS, paska organizuar një tryezë për të bërë një bilanc të sukseseve të Reformës në Drejtësi në vendin tonë. Duket që paratë e taksapaguesve europianë për të famshmen reformë shqiptare të drejtësisë, nuk janë konsumuar ende nga “sektori i reklamës”, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi përball gallatës, që karakterizoi këtë diskutim.

Mes të tjerëve (si drejtuesja e EURALIUS-it Agnes Bernhard dhe ish ambasadori i OSBE në Tiranë Robert Bosch), në podiumin e nderit ishin sistemuar edhe ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në aktivitet ishin edhe dy gazetarë, njëri prej të cilëve njohës i mirë i problematikave shqiptare sepse jeton dhe punon këtu, Vincent W.J. van Gerven Oei, i exit.al.

Sipas asaj që përshkruan gazetari holandezo-shqiptarë, ky takim për reformën tonë në drejtësi ka qenë i denjë për një teatër absurd dhe herë- herë, me nota komedie.

Ministria Gjonaj me Xhafajn në krah, kur është hapur çështja e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, janë hedhur në sulm për ta mbrojtur. Kështu ministria e Drejtësisë paska deklaruar se, “deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka të drejtën të lëvizë prokurorët, edhe pse kompetencat e saj gjatë periudhës kalimtare janë të kufizuara”.

Në fakt ky diskutim në Hagë bëhet si kofini pas të vjelit (opozita pikërisht këtë kishte paralajmëruar, gjatë procesit të dhunshëm të votimit të kryeprokurores), sepse ka apo nuk ka të drejtë sipas ligjit Marku të lëvizë prokurorët, tashmë ajo e ka mbyllur këtë proces me shpejtësi në të gjithë sektorët e organit të akuzës dhe veçanërisht, aty ku ka dosje të nxehta që implikojnë pikërisht Rilindjen.

Por tani janë në fazën që veçanërisht pas zhvillimeve të fundit, ju duhet të mbulojnë sa të mundin dekonspirimin e Arta Markut, si një individ i vënë në krye të organist të akuzë, vetëm për të pastruar garbixhet
(garbage) nga oborri i Edi Ramës.

Ministria e Drejtësisë pyetjes së bërë nga gazetari, se cila është baza ligjore ku bazohen ndryshimet dhe lëvizjet e fundit të kryera nga Marku në personelin e prokurorisë, nuk ishte në gjendje ti përgjigjej duke cituar ndonjë nen apo paragraf ligjor, që mbështet pretendimin e saj. Në këtë situatë ajo ja kalon topin drejtueses së EURALIUS-it Agnes Bernhard, e cila përfshirë nga sikleti dha një deklaratë që nxjerr zbuluar gjithçka po ndodh me kapjen e sistemit të drejtësisë, nga kryeministri Rama.

“Nuk jam unë përgjegjëse për këto pyetje. Nuk jam në dijeni të këtij procesi. Prokurorja e Përgjithshme duhet ta sqarojë vetë këtë”, tha drejtuesja e EURALIUS.

Që Arta Marku nuk ka asnjë tagër ligjor për të bërë lëvizjet që ka bërë në prokurori dhe veçanërisht te ajo e Krimeve të Rënda, këtë e dinë tashmë të gjithë. Sipas nenit 149/a (1)(a) të Kushtetutës dhe Ligjit numër 96/2016 mbi Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, neni 160(2), Prokurorja e Përgjithshme nuk mund të transferojë apo të emërojë prokurorë, deri sa të jetë vendosur Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Por absurditeti dhe “më e bukura” në këtë histori që këtë herë është vënë në skenë pikërisht në Holandë (aty ku deputetët e të gjitha forcave politike në bllok, thonë se krimi i organizuar ka kapur qeverinë Rama) është, se Arta Markun e mbrojnë pikërisht Fatmir Xhafaj dhe Etilda Gjonaj; të dy ministra që kanë çështje të hapura në prokurori.

 E para, sepse në krye të institucionit që drejtoi, lejoi rrëmbimin dhe më pas ekstradimin e jashtëligjshëm të financierit të organizatës Habilaj, Nezar Seiti, pikërisht në momentin që çështja e implikimit direkt të ish minstrit të Brendshëm Saimir Tahiri, po zbërthehej me shpejtësi.

I dyti, pra Fatmir Xhafaj, përveç mbrojtjes së të vëllait që bënte “biznes të suksesshëm” në Shqipëri ndërkohë që prej 6 vitesh e priste qelia në Itali si dhe falsifikimit (të pretenduar nga opozita) të nenit për ekstradimet, duhet të japë shpjegime edhe për audio-përgjimin e Babales, nga i cili del qartë se i vëllai i tij në bashkëpunim me shefa policie vazhdonte trafikun e drogës në Vlorë, ndërkohë që ky është ministër i Brendshëm në detyrë.

Pra situata ka arritur deri aty, sa që Edi Rama ka vënë ti dalin në krah Arta Markut si mbajtësja e çelësave të mbijetesës së qeverisë së tij (e cila pavarësisht kufizimeve ligjore, i ka transferuar thuajse të gjithë drejtuesit e prokurorisë, veçanërisht ata që janë angazhuar në hetimin e politikanëve të lartë, si çështja Tahiri&Habilaj dhe tani dosja “Vëllezërit Xhafaj”), pikërisht ministrat që rezultojnë të implikuar dhe janë në qendër të çështjeve më të nxehta që po heton prokuroria!

Përtej absurdit dhe gallatës, kësaj i thonë; Secili për kokën e vet, të gjithë për të shpëtuar Edi Ramën!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco