Fati i Xhafajt mes politikes, moralit dhe ligjit

Fati i Xhafajt mes politikes, moralit dhe ligjit

Nga Enton Abilekaj - 21/05/2018

Ndërkohë që dritat dhe hijet mbi Agron Xhafajn ngatërrohen në bodrumin e errët të politikës, duket se shënjestra e vërtetë është vëllai i tij, Fatmir Xhafaj. Ministri i Brendshëm ka zgjedhur të ndjekë një rrugë tjetër nga ajo e qeverisë ku bën pjesë dhe, për pasojë, në këtë situatë baticë-zbaticash, nuk ka fatin e anijes së Ramës.

Ai duket si një lundërtar i vetmuar, i nisur në brigje të tjera, por më i kërcënuar, pavarësisht se erërat e Perëndimit e ndihmojnë. Ka disa raporte relative që e favorizojnë Fatmir Xhafajn, por ka disa disa raporte absolute që e rrezikojnë pozitën e tij deri në ndërprerjen e karrierës.

Në raportin me qëndrimin e opozitës Fatmir Xhafaj nuk duket fajtor.

Për 1 vit që nga vendimi i formës së prerë për vëllanë e tij, Partia Demokratike mund ta kishte arrestuar dhe ekstraduar. Procedurat e ekstradimit në ligj parashikohen 4 muaj, ndërkohë që vendimi u mor në 2012-ën. PD kishte kohë të paktën 6 muaj për ta dorëzuar Agron Xhafajn tek drejtësia italiane, por nuk e bëri. Sot i kërkon Fatmir Xhafës të sillet me vëllanë e tij më ashpër sesa u soll vetë qeveria e PD-së.

Në raport me gjithë faktorët politikë ne vend, Fatmir Xhafaj vitet fundit ka një rekord absolut pozitiv. Jo vetëm me drejtimin e Reformës së Drejtësi nga komisioni i posaçëm parlamentar, por edhe për atë që ka bërë si Ministër i Brendshëm. Marrëveshja me Prokuroren e Përgjithshme, i hapi rrugën një aksioni që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë.

Arrestimet e zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion nga të gjitha palët, arrestimi dhe konfiskimi i pasurive të bandave në të gjithë vendin me operacionin “Forca e Ligjit”, kapja e trafikantëve dhe kapobandave me mbështetje politike edhe nga partia e qeveria e tij, i kanë siguruar mbështetjen e publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Vettingu në polici ishte një tjetër akt, që jo vetëm krijon premisa për pastrimin e policisë, por krijoi pakënaqësi edhe brenda maxhoramcës. I pari që e shprehu publikisht pakënaqësinë ishte paraardhësi i tij, Saimir Tahiri. Jo i vetmi.

Bashkëpunimi i ngushtë i Xhafës me Arta Markun për rendin dhe drejtësinë, me bekimin e ambasadorëve të vendeve perëndimore, funksionimi i dyshes në mënyrë të pavarur, sigurisht që ka gjithë pakënaqësinë e Ramës. Jo vetëm se Kryeministri ndihet i anashkaluar, por edhe se goditjet kanë prekur njerëz që kanë ndihmuar PS të fitojë zgjedhjet ashtu si i fitoi në 2017-ën.

Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku janë tashmë një dyshe që e ka filluar zbatimin e Reformës në Drejtësi, ende pa u ngritur institucionet. Ndërkohë që komisionin e Vettingut, maxhoranca dhe opozita po e zvarrisin përmes përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe si rrjedhim krijimin e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe pastaj emërimin e drejtuesve të rinj, Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku po e bëjnë fakt Drejtësinë e re.

Faktori më i rëndësishëm i këtij binomi, sigurisht që është Xhafaj, që u ka dhënë kërkesave të prokurorisë fuqinë zbatuese. Largimi i Xhafës në këtë rast do ta ndalonte këtë proces dhe do të rikthente paqen tek të gjithë ata që ndihen të kërcënuar apo të anashkaluar.

Janë këto raporte që e kanë bërë Fatmir Xhafajn të fortë politikisht, por janë raportet e tij me publikun dhe ligjin që ia dobësojnë pozitat. Dalja e audio-përgjimit i vuri në provë të vështirë këto raporte. Dalja publikisht me konkluzionin që audio-përgjimi është i rremë, ishte një presion i hapur ndaj hetimit që Prokuroria sapo kishte filluar, apo kishte vendosur të fillonte.

U pa qartë që Prokuroria, ndoshta për shkak të intimidimit, ndoshta për shkak të varësisë ndaj maxhorancës, filloi procedimin penal më parë ndaj denoncuesve se ndaj të denoncuarit. Agron Xhafaj madje shkoi në Prokurori, jo për të dhënë shpjegime për veten, por për të paditur denoncuesit e PD-së. Cili qytetar i thjeshtë shqiptar e ka komoditetin të shkojë një mbrëmje në Prokurori ku po e presin të depozitojë padinë dhe zërin? Cili qytetar do të ikte nga vendi ndërkohë që Prokuroria duhet të fillonte procedimin penal pas akuzës publike për trafik narkotikësh, ndërsa policia nëse nuk do ta ndalonte deri në sqarimin e rrethanave, duhet t 'i kërkonte mos të largohej nga qyteti, jo më pastaj nga vendi?

Cila polici do të kërkonte të mbante në rajon njërin nga protagonistët e audio-përgjimit, pikërisht atë që bashkëpunoi me palën denoncuese dhe të linte të lirë protagonistin tjetër të denoncuar për trafik? Çfarë do të ndodhë nëse Prokuroria e nxjerr autentik audio-përgjimin pasi Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm e shpallën të rremë duke ndjekur rrugë okulte?

Pse Agron Xhafaj deri para dy javësh nuk duhet t'i dorëzohej drejtësisë italiane, ndërsa tani duhet të vetëdorëzohet? Pse e ka luksin ai të vetëdorëzohet? Si shpjegohet që një qytetar me një denim të pavuajtur mbrapa dhe me një akuzë për trafik përpara, ka më shumë imunitet se 2 deputetë?

Të gjitha këto pyetje rëndojnë raportet e Ministrit Xhafaj me ligjin dhe me publikun, pavarësisht rezultateve të ekspertizës për autenticitetin e audio-përgjimit. Fatmir Xhafaj i lehtësoi vëllait të tij përballjen me drejtësinë shqiptare dhe italiane dhe e bëri këtë publikisht. Nëse nuk e ka bërë ai, vëllai e ka bërë në emër të tij, sepse asnjë qytetar tjetër nuk e ka privilegjin të përballet me drejtësinë kur ta ketë për mbarë.

Dëshmia e gazetarit Jetmir Olldashi është një shtysë e fundit në raportet e Ramës dhe Xhafajt me ligjin dhe me publikun. Deri në konfirmimin e akuzave mund të ketë gjykime të ndryshme për peshën e këtyre raporteve. Ata që mbrojnë Xhafën e marrin shtysën nga raportet e tij me pjesën tjetër të politikës.

Në këndvështrimin e atyre që me të drejtë e denoncojnë këtë qeveri të zhytur në skandale, këtë politikë të zhytur në korrupsion, ikja e Xhafajt nga ministër është lajm i keq. Këto raporte relative mund ta favorizojnë që të rrijë, por në raport me ligjin dhe me publikun ai është i ikur. Ai do të jetë një ministër po aq vulnerabël sa të tjerët, një ministër që e shkeli ligjin dhe detyrimin publik për interesat e tij dhe të vëllait.

Kaq nëse përgjimet dalin të rreme. Nëse nuk dalin të rreme, diskutimet marrin fund.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp 21/05/2018 14:52

"Te Pa ekspozuaret" qe shtegton nga nje televizion ne tjetrin, me gjithe "ushtrine " e gazetareve "investigativ" eshte ne fakte, nje mos ekspozim, dhe nje perpjekje per t'ja vene nje gjethe fiku, apo "flete gazete' apo nje garum fjalesh te te ftuarve per te mbuluar ate qe duhet ekspozuar dhe qe te gjithe e dine dhe te gjithe e fshehin, ate qe ndodh ne fakt.Pergjimet jane fotokopje.Jane futje dore, me qellimin qe ato cfare thuhen me ze apo edhe figure te relativizohen e qe te gjitha te perfundojne si ushqim per median per politiken, per opinionin publik etj .Ato origjinalet perfundojne ne duart e sherbimeve te huaja ose ne shtabet e partive apo blihen me parat e krimit nga mafija vendase apo ajo rajonale e nderkombetare dhe sherbejne nga nje pjese e tyre si shantazh.Ky pergjim ose eshte nje falsitet dhe autoret duhet te pergjigjen jo vetem politikisht, por edhe moralisht dhe penalisht. Ose te dale regjistrimi origjinal mbi te cilin prokurorija apo institucione te specializuara te vene pikat mbi I dhe te dalin pergjegjesite per kedo.Nje gazetar "investigativ" i pervuajtur si Z.Olldashi e di mire misionin qe ka mare, se cfare duhet te administroj dhe cfare duhet te leshoj ne duart e partise, te prokurorise dhe se cfare duhet ta mbaje per vete .

t21/05/2018 12:23

problemi i kesaj qeverisje nuk eshte xhafa por rama,eshte ai qe duhet te dorehiqet dhe duhet zevendesuar me nje socialist,jo rilindas,deri ne 2021,jam i bindur se edhe celja e negociatave do behej me e lehte.

Shto koment

Denonco