Përpjekjet e vendeve të Ballkanit për tu bashkuar me BE hasin pengesa

Përpjekjet e vendeve të Ballkanit për tu bashkuar me BE hasin pengesa

Nga Nga FT - 17/05/2018

Synimi Komisionit Evropian për futjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE përballet me rezistencë nga anëtarë me influencë, të cilët kërkojn më tepër veprim për të luftuar krimin, kryer reforma institucionale dhe zgjidhur konfliktet dypalëshe. Franca, Holanda e Gjermania janë midis vendeve të BE që duan të imponojnë detyra më të vështira para se të bien dakord me propozimin e Brukselit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Shqetësimet e tyre janë ngritur para një takimi BE-BP në Sofje, i cili synon përmirësimin e marrëdhënieve. Liderëve të BE do t’u kërkohet të vendosin muajin e ardhshëm nëse do të nisin bisedimet, siç ka rekomanduar komisioni. Një diplomat i një vendi anëtar tha se bisedimet për bashkimin dukeshin “të parakohëshme”, duke parë se duhet bërë ende shumë me reformat.

Një tjetër tha se komisioni po i “hidhte hapat më shpejt se muzika” për zgjerimin dhe rrezikonte të rriste alarmin për kriminalitetin dhe imigracionin para zgjedhjeve evropiane vitin e ardhshëm. “Kemi shumë shqetësime për sa i përket sundimit të ligjit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, tha ai për Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Karrota (e anëtarësisë) është ende aty. Por ata kanë punë për të bërë”.

Një diplomat i tretë tha: “Ka pasur progres, por ka ende rrjete kriminale që funksionojnë. Nëse punon në ministrinë e brendshme në ndonjë vend anëtar të BE, kjo do t’ju fuste të dridhurat”.

Rezervimet vënë në dukje dilemën e BE, i cili i sheh pesë vendet ish-jugosllave dhe Shqipërinë si thelbësorë për sigurinë e tij, manaxhimin e migracionit dhe luftën gjeopolitike me Rusinë. Disa shtete, veçanërisht anëtarë më të rinj të BE, e përkrahin fort zgjerimin. Komisioni dëshiron që samiti i Sofjes të ndihmojë për hapjen e rrugës për disa nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE deri në vitin 2025, një datë indikative dhe ambicioze.

Mali i Zi i ka hapur bisedimet e anëtarësimit që më 2012, Serbia që më 2014. Por Marko Kmezic, studiues në Qendrën për Studime Evropiane Juglindore në Universitetin e Grazit, e etiketoi saimit si një “rast i mirë për foto familjare” dhe thotë se progresi domethënës drejt anëtarësimit kërkon “më tepër kohë dhe angazhim të ndershëm” nga të dy krahët. “Në vend që t’i afrohet BE-së për sa i përet demokracisë dhe zhvillimeve ekonomike, shohim se rajoni është në stanjacion prej një dekade apo duke ecur prapa”, tha Kmezic, duke vënë në dukje rritjen e autoritarizmit në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

“Kemi vënë re se BE në të vërtetë është më tepër i interesuar në të tjera gjëra, ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe parandalimin e influencave të jashtme, qoftë të Rusisë, Gjirit Persik apo Kinës”. Anëtarët e BE e pranojnë logjikën e të pasurit lidhje të ngushta me një vend thelbësor për sigurinë e bllokut. Mbyllja e rrugëve të emigracionit në BP e lehtësoi krizën e refugjatëve 2015-16 në Evropë, ndërsa vendndodhja e rajonit si portë hyrjeje në vendet fqinjë anëtarë të BE ka tërhequr interesim nga fuqi si Kina.

Zgjerimi do të tregonte edhe vitalitetin e BE nëse Britania e Madhe bëhet vendi i parë që largohet nga blloku, siç është planifikuar të ndodhë vitin tjetër. Por disa anëtarë të BE thonë se kanë nevojë për më tepër prova për efektivitetin e reformave të kryera nga liderë të tillë si Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili thotë se vendi i tij po e shkul korrupsionin në gjyqësor dhe po lufton rrjetet kriminale.

Diplomatët evropianë thonë se Franca është skeptikja kryesore për zgjerimin në Ballkan. Ditën që komisioni propozoi hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Presidenti Emmanuel Macron tha se BE duhej të reformonte qeverisjen e vet të brendshme para se të shtonte anëtarë të rinj. Rama u takua me Macron në Paris këtë javë. Konfliktet territoriale janë një tjetër arsye për ngurrimin e BE.

Brukseli e ka bërë zgjidhjen e konflikteve një kusht strikt për anëtarësimin, pasi ka parë influencën destabilizuese të kufirit të kontestuar midis Sllovenisë e Kroacisë, dy anëtaret më të reja, hyrë më 2013. Greqia, anëtare e BE, teknikisht është ende në armiqësitë e Luftës II Botërore me Shqipërinë. Athina refuzon edhe të drejtën e Maqedonisë për përdorimin e emrit, të cilin e ka edhe një rajon grek. Të dyja mosmarrëveshjet i janë afruar zgjidhjes dhe janë prioritete të BE, teksa kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë do të ulen mënjanë gjatë samitit.

Tjetër problem është mosnjohja e Kosovës nga pesë anëtarë të BE, midis tyre Spanja, e cila është bërë edhe më e ndjeshme karshi problemit pas referendumit të Katalonjës për pavarësi. Mariano Rajoy, kryeministri spanjoll, nuk merr pjesë në samit. Muajin tjetër bëhen 15 vjet që nga deklarata e qartë e anëtarëve të BE se “e ardhmja e Ballanit është brenda Bashkimit Evropian”. Tani letra e prag-samitit dërguar liderëve të bllokut nga Donald Tusk, president i Këshillit të Evropës, flet vetëm për një “perspektivë evropiane” për rajonin dhe argumenton se BE është i vetmi partner që kujdeset vërtet për stabilitetin e tij dhe nuk do ta trajtojë si një “lojë shahu gjeopolitike”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco