Ambasadori Lu dhe një zgjidhje e thjeshtë për Gonin, që bën ‘pallë’ në Shqipëri

Ambasadori Lu dhe një zgjidhje e thjeshtë për Gonin, që bën ‘pallë’ në Shqipëri

Nga SYRI.net - 10/05/2018

I pari ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe pas tij sot në parlament, vetë kryeministri, Edi Rama, e fokusuan gjithë mbrojtjen për mos arrestimin e Agron Xhafajt dhe ekstradimin e tij në Itali, nën argumente procedurale, pa përmendur ato politike që dihen.

Sipas tyre që nga viti 2002, kur ka nisur hetimi i antimafies italiane në bashkëpunim me DEAN amerikane, por edhe pas vitit 2012 kur gjykata më e lartë, ajo Kasacionit, në këtë vend  dha vendimin me 7.2 vite burg për vëllanë e eksponentit të lartë të PS-së, sot ministër i Brendshëm; nuk ka asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare nga institucionet e drejtësisë së vendit fqinj!

Nëse tregohesh i kujdesshëm në alibinë e ngritur dje nga Fatmir Xhafaj dhe sot nga Edi Rama, për një “djalosh që u gjend në vendin e gabuar dhe me njerëz të gabuar”, për shitur dhe blerë jo “mall” për përdorim vetjak, por qindra kilogramë kokainë e heroinë nga Amerika nëpër Europë, vë re që të dy përmendin vetëm vitin 2002.

Ky është viti kur ka filluar të dalë mbi ujë, është zbuluar dhe dokumentuar, historia kriminale e organizatës ndërkombëtare që drejtonte Agron Xhafaj. Por jo, fundi i saj. Për 10 vite rresht, me avokatë të shumtë dhe shuma marramendëse parash në dispozicion është bërë një betejë e vërtetë, për të mbyllur çështjen në Itali.

Por në muajin Dhjetor të vitit 2012, shkalla e fundit e drejtësisë në këtë vend dha verdiktin përfundimtar, duke i vënë kapakun nga ana formale kësaj historie. Faktikisht ky  kapak vazhdon të rrijë i hapur, sepse loja është zhvendosur në Shqipëri. Ena e drejtësisë do të taposet vetëm, në momentin kur Agron Xhafaj do të futet në qelinë që e pret prej 6 vitesh në Itali dhe këtë tashmë këtë e ka në dorë, vetëm drejtësia e vendit tonë.

Ashtu siç është vepruar për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë pa përjashtim, madje edhe kur janë dënuar jashtë vendit edhe për mos pagim gjobe për shkelje të vogla, në momentin që zbardhet vendimi i formës së prerë, pala jonë e fut direkt në sistem emrin e të dënuarit kur ai është nënshtetas i Republikës së Shqipërisë.

Ka ndodhur kjo?! Këtu ka vend për një hetim, sepse nuk është çudi që të jetë mbajtur i fshehtë, ashtu siç ndodhi me rastin e Mark Frokaj për 2 vite rresht. Gjithashtu duhet parë edhe çështja e emrit, të cilin përdor me dokumente Xhafaj këtu në Shqipëri, pasi ai gjithashtu është kujdesur që as edhe një fotografi të tijën, të mos ketë dot në dispozicion media.

 Mes argumenteve të tjerë që përdor Xhafaj&Rama në mbrojtje të “Gonit” është edhe kundër akuza që i bëjnë opozitës; përse nuk e arrestuat dhe ekstraduat ju kur ishit në pushtet, meqenëse kjo është histori e vitit 2002?!

Në këtë pikë, përveçse janë kontradiktorë bëhen edhe qesharakë; ka një urdhër ndërkombëtar për Agron Xhafaj që nga viti 2002, apo jo?!

 Nëse ka, përse nuk e vënë në zbatim qoftë edhe “me vonesë”, nëse jo; atëherë nuk kanë se përse e akuzojnë politikisht opozitën për vitet 2005-2012 kur ishin në pushtet, sepse këto nuk i hanë as kalamajtë.

Këtu dalim sërish te arsyeja, se përse edhe Fatmir Xhafaj edhe Edi Rama përmendin vetëm një vit dhe “harrojnë” 2012-ën.

Siç tashmë dihet, vendimi i formës së prerë nga drejtësia italiane për vëllanë e ministrit aktual të Brendshëm është dhënë në Dhjetor të vitit, 2012. Në vitin 2013, Rama me gjithë vëllanë e të dënuarit erdhën në pushtet, duke pasur nën kontroll INTERPOL Tiranën dhe ministrinë e Drejtësisë, dy institucionet përgjegjëse për ekzekutimin e këtij vendimi, edhe automatikisht.

Kaq e thjeshtë është, kjo histori. Por le të marrim edhe variantin se nuk ekziston asnjë kërkesë dhe asnjë shkresë e palës italiane, për Agron Xhafajn.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara,  Edëin Meese, duke folur shumë vite më parë në një konferencë të zhvilluar në Uashington mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Ballkanin dha edhe një recetë të thjeshtë, për të goditur në zemër këtë fenomen kanceroz sidomos, për Shqipërinë.

“Lufta duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme, që eksponentë të dëshmuar të krimit dhe  politikanë të korruptuar kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t'i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”, deklaroi ai.

Pikërisht në kuadër të kësaj strategjie, që nga viti 2009 ne vendin tonë aplikohet Ligji Antimafie. Mes të tjerave në fokusin e tij, janë edhe pasuritë e të gjithë të dënuarve për vepra kriminale në çdo vend të botës, nëse një gjykatë ka marrë një vendim përfundimtar të formës së prerë. Është e rëndësishme të theksojmë, se ky ligj nuk është prekur dhe as është falsifikuar me rastin e Reformës në Drejtësi, për të cilën në nene të veçanta u kujdes personalisht Fatmir Xhafaj.

Pra jemi në këtë situatë; Kemi në dorë një vendim të formës së prerë nga drejtësia italiane, që e shpall Agron Xhafajn fajtor për trafik ndërkombëtar të drogës. Kjo nuk përgënjeshtrohet dhe nuk e mohon askush, përfshi Xhafaj&Rama. Mjafton vetëm të zbatohet Ligji Antimafia si për shumë anëtarë të botës së krimit, pavarësisht se janë në burg apo akoma të lirë këtu në Shqipëri si pasojë e gjykatave të korruptuara që kanë bllokuar ekstradimet. Shembuj të ekzekutuar me të cilët mburret Rama dhe Xhafaj, ka sa të duash...

 Gjithashtu për ti dhënë një rrugëzgjidhje gjithë kësaj çështjeje, e cila po futet enkas në vorbullën e një beteje politike, mund të thërrasim në ndihmë edhe një nen të Ligjit Antimafie të ndryshuar nga vetë kjo mazhorancë, një vit pasi kishte ardhur në pushtet në 20 Mars të vitit 2014.

Pikërisht në nenin 21, paragrafi i tretë i këtij Ligji parashikohet se: “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”.

 Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji që mund ta zgjidhë këtë situatë qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë së Agron Xhafajt në rastin konkret, por është i detyruar vetë ai, që të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete. E ka vënë pasurinë e madhe që posedon me biznes të ndershëm, apo me trafik ndërkombëtar në sasi dhe shuma të mëdha, siç thotë vendimi i Kasacionit në Itali.

Pra i lirë apo në burg, Agron Xhafaj, kemi të bëjmë me një situatë, e cila nuk e pengon policinë dhe prokurorinë që ndaj pasurive të tij vetëm me vendimin e drejtësisë italiane, të nisin urgjentisht verifikimin dhe konfiskimin e tyre.

Kjo është një zgjidhje e thjeshtë dhe e shpejtë për Agron Xhafajn dhe të tjerët të dënuar jashtë vendit të cilët bëjnë “pallë” këtu, nëse ambasadori Donald Lu gjen kohën dhe thotë dy fjalë publikisht, nëse do që Rama&Xhafaj të bëjnë ligj dhe shtet, njësoj për të gjithë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku11/05/2018 00:30

LU ka marrë lekët sikurse shumica e votuesve shqiptarë, veçse LU i ka marrë me nëntë zero prapa shifrës që ka marrë çdo shqiptar. Kot merreni me LU mercenarin. Neve na ka harruar edhe Zoti (Trumpi).

Shto koment

Denonco