Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Bllofi

Bllofi

Nga Patrik Sadikaj - 03/05/2018

Me dorëzimin e mandatit, Saimir Tahiri i bëri sot nderin më të madh të jetës, Edi Ramës. Ish-ministri i Brendshëm u bë Kurban i pushtetit të kryeministrit. Megjithë petkun e moralistit, Tahiri konfirmoi atë që flitej prej ditësh nën zë: pazarin me Edi Ramën që të bëhet koka turke e karriges së pushtetit. Lotët në sy, që ujisnin akuzat ndaj shefit të tij, mbuluan para kamerave paktin me djallin.

Një skenar pak a shumë i pritshëm i vënë mjeshtërisht në skenë, nga Rama si regjisor dhe me Tahirin si aktor protagonist që në fund të ditës ka për qëllim të fshehë të vërtetën e madhe për të cilën, ish-ministri tani si qytetar I thjeshtë, u përbetua. Megjithë shtatshkurtësinë, ai i dhuroi një trepikësh njeriut që ishte gati të bënte gjithçka vetëm e vetëm, që vartësi i tij të mos tregonte atë që ne “nuk kemi parë akoma”.

I kthyer nga Gjermania me shenjën e derës së përplasur ende në fytyrë, Edi Ramës i duhej lëvizje e rradhës në lojën e tij të shahut me Shqipërinë dhe Europën. Duke nxjerrë zbuluar oficerin e tij, kryeministri “lau duart” me miellin e gjermanit. Që Edi Ramës në Gjermani i është kërkuar “koka”e Tahirit këtë tashmë e dinë të gjithë, por ajo që mësuam sot është loja me të cilën po përpiqet t’i hedhë hi syve Europës.

Me Saimir Tahirin qytetar të thjeshtë, Edi Rama ngjitet tani “majë plehut” dhe i thotë Merkelit, apo kujtdo tjetër që I ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit se tani ai nuk e mbron më. Për ironi kjo vjen pikërisht një ditë pasi deputetët e Edi Ramës në Komisionin që heton trafikun qeveritar të drogës treguan qartazi se nuk do ta lëshonin kolegun e tyre duke I ngritur një mur të madh mbrojtjeje.

Edi Rama, duke përdorur “bllofin Tahiri”, u përpoq të gënjejë Merkelin apo këdo tjetër në BE, se tani ish-ministri është në dorën e Prokurorisë dhe nuk ka më asnjë mbrojtje politike. Një bllof I lexueshëm ky që edhe lojatri më i dobët në poker e lexon në sytë e përlotur të kurbanlliut.

Sigurisht, tani edhe gjermanët e dinë se dorëzimi i Tahirit para drejtësisë është shumë I vonuar. Koha e heshtjes 6-mujore me ndonjë kërcënim të lëshuar kështu nën brez, ka mjaftuar që shefi të marrë masat që të garantojë vartësin se nuk preket.

Një garanci që ka emrin “prokurori e kapur”, prova të rehatuara dhe drejtues të lartë policie të arratisur bashkë me akuzën e trafikut të drogës .  Një garanci që ka emrin Edi Rama. Kush mendon se Saimir Tahiri u bë kurban i tij sot, gabon. Saimir Tahiri thjesht i bëri nderin e jetës Edi Ramës, duke vrarë jetën e tij politike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco