Mos mbroni teatrin, mbroni televizionet...

Mos mbroni teatrin, mbroni televizionet...

Nga Agim Xhafka - 02/05/2018

U mbush muaji që një grup artistësh e veprimtarësh civilë artikulojnë në protestat e tyre: ‘Të mbrojmë Teatrin Kombëtar nga shkatërrimi.’ E kanë për godinën se teatri si vlerë ka kohë që ka ikur në Sharrë dhe aty fle gjumin e madh.

Thelbi i kësaj lëvizje ka të bëjë me historikun e atij tempulli. Aty kanë krijuar gjigantë të skenës e historia duhet lënë pa u prekur. Që brezat të mësojnë kush ka luajtur,çfarë vepre e sa vlera janë shfaqur në atë skenë mbushur me emocion dhe drithma.

Por unë do e korrigjoja kërkesën e këtyre njerëzve të mirë e me plot kulturë. Protestoni dhe bëni demonstrata në mbrojtje të tv Klanit, Top-Channelit, Vizionit, e plot e plot ngrehinave që i gjeni në tokën e ish-kinostudios e më tej.

Mbroni këto vegla të pushtetit se ato mbartin histori të vërtetat që ndryshuan historinë. Që nga rrëmbimi i tokës së pronarëve atje e kthimin  në pronë private deri tek manipulimi i mendimit shqiptar. Këto televizione janë vegla të alkimisë. E kthejnë në çast të bardhën në të zezë, e bëjnë priftin me barrë dhe memecit i japin gojë. Lajmin e transmetojnë siç do bytha e qeverisë.

Në se ka përmbytje këta japin kohë me diell, pa asnjë re, në se ka zjarre këta shfaqin Ertogrul, në se ka protesta këta nxjerrin në ekran spektakle me nuse. Në se DASH kritikon qeverinë tv-të e zhdukin krejt materialin dhjetëra faqesh, sikur Amerika mos ketë folur kurrë për Shqipërinë, paratë e pista, krimin e organizuar dhe drogën.

Ja pse duhet t’i mbrojmë mediat tona. Janë mbushur plot me histori. Vërtet me shumë episode të fëlliqura,ama brezat e rinj do mësojnë se nga këto ekrane doli gënjeshtra, atje u mboll ‘fake lajmi’, nga ato antena u fsheh e vërteta dhe hajdutit iu vu në kokë kurora e lavdisë, të varfërit iu mbyll goja e ju vulos mendimi e kërkesa.

Shqiptarë mbroni mediat shërbëtore të pushtetit, mos lejoni të preken ato se vetëm kështu do mësohet në të ardhmen historia e këtij vendi, por dhe do saktësohet përgjegjësia e gjithkujt.

E do jepet dënimi sipas krimeve të kryera. Nesër do duhen prova,ndaj mos lini kënd të shkatërrojë televizionet, se atje ditë pas dite është shkruar e shtrembuar jeta e shqiptarit të ndershëm.

Mos u merrni me Teatrin hë për hë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku02/05/2018 19:04

Cinizëm i pastër made in EDVerRama. Keq e mos më keq o Z. Xhafka. Humor që të bën të ulërish. Një turmë servilësh në një garë për të fryrë portofolat e për të mbushur plëndësat/ploncat, ky është roli "fisnik" i medias së "lirë".

Shto koment

Denonco