Opozitat që nuk i bashkoi Kuvendi i Bashës

Opozitat që nuk i bashkoi Kuvendi i Bashës

Nga Enton Abilekaj - 01/05/2018

Fotografia e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, 1 ditë pas Kongresit, u përdor si një mesazh për ata që nuk u kënaqën nga Kongresi i PD. Vërtetë Kongresi nuk e bashkoi dot partinë, vërtetë një pjesë e delegatëve i lanë karriget bosh dhe nuk e votuan statutin e ri, por Basha e quajti kapitull të mbyllur.

Pasi kërkoi falje për gabimet, pasi u shtriu dorën kundërshtarëve, ai filloi axhendën si lider i opozitës. Monika Kryemadhi u vetëofrua si alibi për këtë. Pavarësisht akuzave nga kundërshtarët e Bashës në PD dhe jashtë saj, pavarësisht akuzave nga kundërshtarët e LSI, ata janë një opozitë e konfirmuar me votë.

Basha është konfirmuar si lider i këtij bashkimi, që ende nuk ka terma zyrtarë, por ka disa aksione të përbashkëta. I vetmi problem është që nuk mjafton. Sado të bashkohen, numrat nuk mund ta zhbëjnë maxhorancën, janë ende larg.

Përçarja dhe diversioni politik po e reduktojnë akoma më shumë në numër opozitën parlamentare, kontrolli i Ramës mbi ekonominë dhe mediat sa vjen dhe shtohet, opozita zyrtare, edhe po të ishte e besueshme, nuk është e mjaftueshme.

Kontrolli i Ramës mbi ekonominë dhe mediat, ndërsa dobëson opozitën zyrtare, shumëfishon opozitën jo zyrtare. Ka një opozitë në Universitet, me pedagogë dhe studentë, që janë kundër ligjit të Arsimit të Lartë dhe kundër menaxhimit qeveritar.

Po nga Universiteti, por përtej Universitetit, pedagogë të njohur, kanë shpallur opozicionin jo vetëm ndaj shkatërrimit të sistemit arsimor, por ndaj qeverisjes në përgjithësi. Ndërsa paraja mblidhet për t’u përqendruar në pak duar, është krijuar edhe një opozitë e të papunëve, punëtorëve të paguar keq, bizneseve të vogla e të mesme, ndërsa qeverisja bëhet më klienteliste, krijohet edhe opozita e bizneseve të mëdha që po xhirojnë me humbje.

Lëshimi pa duar i shëndetësisë nëpër klientë pa ekspertizë, ka krijuar opozitën e të sëmurëve pa ilaçe, e pacientëve pa mjekë e pa spitale, e mjekëve pa kushte pune, e infermierëve që duan të ikin sa më parë në Gjermani. Dhënia e industrisë minerare tek shokët dhe ortakët, ka krijuar opozitën e minatorëve dhe naftëtarëve, tarifimi i Rrugës së Kombit ka krijuar opozitën e kuksianëve që u shpalos edhe në Kuvendin e PD. Pikërisht kjo e fundit, tregoi se puna e Bashës, jo vetëm që nuk ka filluar, por as nuk është në drejtimin e duhur.

Me një ‘mea culpa’ dhe shtrirje dore nga show-Kuvendi, mund të mbajë vendin e kryetarit të PD, mund të bëhet shef i opozitës zyrtare, por nuk mund të bëhet lider i opozitës. Opozitat e tjera, ato që përbëjnë shumicën dhe japin shumicën, i janë larguar. Ibsen Elezi u bë simbol i këtij largimi. Me pak fjalë tregoi pse Lulzim Basha nuk ka arritur ta përfaqësojë atë, ashtu si nuk mund të përfaqësojë kuksianët.

Takimi me Monika Kryemadhin dhe ekspozimi i tij si nisje e aksionit opozitar, në kë kontekst nuk bën optimist as vetë ata që pozuan para fotografit të PD-së. E kundërta ndodhi. Vetëm një ditë pas Kongresit, Astrit Patozi e shpalli largimin nga PD dhe u nis në drejtim jo aq të paditur, por të pashpresë. Një ndarje e re, që vetëm dobëson të dyja palët. Pas kësaj mund të thuhet që PD doli më e dobët nga Kongresi.

Kongresi propagandistik nuk ishte zgjidhja për të bashkuar opozitat e papërfaqësuara. Ato duan dikë që të denoncojë mënyrën se si sillet qeveria pa I fshehur emrat e atyre që përfitojnë, të denoncojë situatën pa ruajtur emrat e shkaktarëve. Nuk duan një kryetar të vetëemëruar, por përpjekje dhe dialog, program për të luftuar sistemin autokratik dhe oligarkik me të gjithë elementët e tij, edhe me koston që disa biznesmenë afër PD dhe PS të mos e kenë më dorën e lirë ne tepsinë e buxhetit.

Nëse nuk bashkohen këto opozita, dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë betejë shifrash me militantë dhe votues tradicionalë, rezultati dihet që sot, PD do të jetë e humbur, opozitat e tjera të dëshpëruara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

droga01/05/2018 22:38

Sa më shumë skandale e marrëzira të bëjë në qeverisje Edi Rama, çuditëriht mediat shqiptare shtojnë kritikat për kreun e opozitës Bashën.
Basha që deri sot nga mediat e kazanit të Ramës, komentohej si një "hije" e Berishës, kur Rama po bëhet një rrezik serioz për demokracinë shqiptare, pikërisht për manierat e tij diktatoriale të qeverisjes, nga kritikat si një lider "hije" e pa autoritet, tani sulmohet si një lider "autoritarist".
Kësaj i thonë, çfarë ujë i ke dhënë gomarit, "të ftohtë", "Obobo na e paske ftohur gomarin". e kur përgjigja është "i kam dhënë ujë të ngrohtë", përsëri me obobo tjetër." Na e paske djegur gomarin"
Po çkërkoni o të uruar nga Basha ?
Eshtë ai që qeveris Shqipërinë apo është Edi Rama ?
Çfarë duhet të bëje Basha që t'ju pëlqejë ?
Të shkojë përsëri në Gjykatën e Hagës meqe Selami paskej ikur para 20 vjetësh në SHBA e me aftësitë e tij sorosiane na qenka bërë biznesmen, apo të dalësi gjeneral mbi tanks si Imami për të "dermuar" Berishën që të jetë ai lider i PD ?
Ja që Basha, nuk ju a mbush mëndjen mediave shqiptare si një lider i PD. Hiqeni mendjen nga Berisha se ai e ka deklaruar se e ka ndërprerë karrierën politike.
Verini gishtin njerit prej këtyre "te pakënaqurve" e me fakte e argumenta na mbushni mendjen që kush nga këta "kudërshtarë" të tij është më i aftë në qeverisje e më i formuar nga përgatitja akademike perëndimore.
A mos është Selami, Imami, Patozi apo qoftë edhe Topalli e cilido tjetër nga ky grup i të rëneve nga dega ?
Nuk bëkërka "opozitë të fortë" ndaj Ramës.
Çfarë kuptohet me "opozitë të fortë" ?
A mos duhet të marë koburet e ti dalë Ramës si kaubojs për tu matur me te ?
Doli si kandidat për kryetar i bashkisë së Tiranës kundër Ramës dhe e mposhti ate.
Si lider i opozitës, e detyrojë Ramën që një muaj para zgjedhjeve, të lëshonte gjysmen e qeverisë.
Ku ti gjente Basha paratë e drogës për të blerë vota, kur me kësij biznesi merej Tahiri e shefi i tij ?
Paskej fituar para të madhe Basha, sipas sojit të mediave alla Mero Gëlbaza, se paska pasur "kunatin e tij biznesmen"
Po nëse ky kunati i Bashës do të kishte pasur para kaq të madhe, a thua se Meroja është kaq i ndershëm e nuk do ta blente kunati i Bashës ?

krasasi tp01/05/2018 20:59

"Opozita zyrtare,edhe po te ishte e besushme ,nuk eshte e mjaftushme".Eshte e pa shpjegushme se si qe nga kurorezimi i tij ne 2013 si kryetar i PD, L.Basha e ka rrudhur PD progresivisht.E ka kornizuar ne ato permasa qe ja kane kerkuar me qellim, qe "fotografija" te jete me e zgjedhur me e pranushme dhe me e manovrushme.Ashtu sic nje grup ushtaresh apo gjimnazistesh ofrojne shoket dhe shoqet qe duan per ti pasur kujtim.Doreheqja e ish liderit ishte nje rast fantastik qe Z.Basha ta zgjeronte dhe jo ta ngushtonte PD, aq me shume qe tepsija e pushtetit nuk ish futur akoma per tu pjekur.Vetem te katapultuaret dhe emisaret veprojne ne kete fare "feje".Shikojeni ne fotografine ne takimin me te ndjerin Rugova.Si nje djal i zene ne gabim .Ne kongres L.B eshte zene ne faj.Rithemelimi i se djathtes nepermjet ligjerimit te fraksionve do sjell nje ere te re ne konfirmimin e pluralizmit dhe azhustimit te sistemit .

t01/05/2018 18:43

Sakte e ke o elton,por lulit nuk i hyjnre ne vesh keto qe analizon ti,rrezik as nuk i lexon fare qofte efhe per kulture,ne mos per gje tjeter

Shto koment

Denonco