Antishqiptarë jeni ju!

Antishqiptarë jeni ju!

Nga Carloalberto Rossi - 30/04/2018

Disa ditë më parë, në vazhdim të një artikulli të Mero Bazes—në të cilin ai kritikonte ashpër Fatos Lubonjën që, sipas tij, e gjykon gabim Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë-në harkun kohor të pak minutave, u shfaqën një lum komentuesish plot urrejtje, tipikë të mediave shoqërore, të cilët i mbushën rreshtat e komenteve me sharje kundër një prej pak figurave vërtet të denja për respekt në mjedisin e shkretuar intelektual shqiptar.

Mes urimeve krejtësisht të papranueshme për kthimin e tij në atë birucën konuniste që i mori vitet më të mira të jetës pas dënimit politik të tij dhe babait të tij, mes një morie sharjesh të pamotivuara shkruar me gabime gramatike, që vlejnë vetëm për të treguar mjerimin intelektual dhe shoqëror të shumë lexuesve dhe votuesve shqiptarë, spikaste në mënyrë të përsëritur gjykimi, në vetvete idiot dhe pa asnjë domethënie logjike, që e shpallte Fatos Lubonjën “antishqiptar”.

Dhe ky gjykim, ose akuzë, ose ofendim (i qëllimshëm) u përsërit pak ditë më pas në narrativën e Kryeministrit, dhe mercenarëve të tij me tastierë në dorë, kundër gjermanit Gunther Krichbaum, për ta dukshëm fajtor sepse e mendon Shqipërinë ende të papërgatitur për të hapur bisedimet e pranimit në BE-në—një arritje kjo pa asnjë domethënie praktike për qytetarët shqiptarë, por me vlerë të madhe propagandistike për qeverinë, e cila prej vitesh ka ndërmarrë vetëm veprime që dëmtojnë rëndë interesat dhe jetën e këtyre qytetarëve.

Ajo që kuptoj unë, që shqiptar i lindur nuk jam, por që ndryshe nga miliona shqiptarë kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri, është se këta urrejtës—që ndihen rojtarë të së vërtetës; që janë verbuar përjetësisht nga problemi atavik i përkatësisë tribale, më herët edhe se etnike; që pretendojnë që për gjërat e tyre vlen të flitet vetëm me fjalë lëvduese; dhe, që për më tepër, nuk kanë asnjë argument tjetër—kur lexojnë diçka të ndryshme nga mendimi i tyre rudimentar, ose, më saktë, të ndryshme nga udhëzimet e partisë që ata i kanë përvetësuar në mënyrë të lodhshme, nga goja e tyre shpërthen furishëm gjykimi me rrënjë të thella në injorancën e ruajtur në mënyrë të përsosur nga e shkuara komuniste: “antishqiptar”.

Nëse dikush flet për lumin e drogës që rrjedh mespërmes territorit tonë, ai është antishqiptar; nëse dikush flet për ata që kanë nxjerrë në rrugët e Evropës qindra vajza shqiptare, ai është antishqiptar; nëse dikush kundërshton mendimin e shefit, ai është antishqiptar; nëse dikush flet për korrupsionin në Shqipëri, ai është antishqiptar; nëse dikush mendon se në Shqipëri demokracia dhe shteti kushtetues nuk janë vendosur ende, ai është antishqiptar; nëse dikush pohon se në Shqipëri drejtësia nuk funksionon, ai është antishqiptar; nëse dikush thotë se bujqësia apo industria shqiptare nuk konkurojnë dot me ato evropiane, ai është antishqiptar; dhe, sigurisht, nëse dikush guxon të thotë se në pjesën më të madhe dhe nga parimet shoqërore të përhapura, shoqëria shqiptare nuk është ende gati të asimilohet nga ajo evropiane, atëherë ky është një antishqiptar e për më tepër filoserb, dhe prej pak javësh edhe filorus, dhe për këtë ai mund, madje, duhet të linçohet, të burgoset, të dënohet dhe mundësisht të dëbohet në mos ekzekutohet.

Edhe kur dikush thoshte, në mesin e viteve 90-të, se piramidat financiare nuk mund të funksiononin, ai akuzohej se ishte antishqiptar. Po ashtu nëse dikush shprehej se Shqipëria e Madhe ishtë një koncept i rrezikshëm, apo kur dikush dënonte zjarrin e armëve kundër protestuesve, përsëri ai ishte antishqiptar.

Pra, duke e thjeshtuar, duket se të jesh antishqiptar do të thotë, thjesht, të jesh kundër dëshirës së demagogut apo kryebanditit të radhës, ose, më thjesht akoma, do të thotë të kesh një mendim tëndin, të pavarur, por që kontraston me atë përrallën që shumë veta duan të dëgjojnë.

Dhe kjo ndodh edhe me pjesën më të madhe të emigrantëtve të thjeshtë shqiptarë në Itali apo në Greqi—nëse dikush i kundërshton duke thënë se në Shqipëri diçka nuk po shkon në drejtimin e duhur, të gjithë nevrikosen dhe të akuzojnë se je antishqiptar.

Edhe Kryeministri Rama së fundmi i ka qëndruar mendimit se drejtuesi i opozitës Basha është një antishqiptar, sepse mban marrëdhënie me ata që mendojnë se Shqipëria nuk është gati për të hyrë në bisedime me BE-në, dhe, madje, e ka ftuar “të luajë me fanellën e duhur, atë kuq e zi”.

Sepse në këto anë, e vërteta është ende një urdhër i shefit, dhe lajmet që nuk përputhen me realitetin e miratuar nga shefi janë prova se ai që i shpreh është antishqiptar. E vërteta nuk hyn fare dhe zëvendësohet me mesazhin”proshqiptar”— rënia e dukshme e ekonomisë zëvendësohet me pastrimin e parave, plantacionet e kanabisit nuk ishin të ndaluara, e ndaluar është vetëm të flasësh për to, apo për përfshirjen e policisë në trafikun e drogës, apo për vjedhjet masive fiskale në fushën e naftës, apo për gjithë tenderat që i “fitojnë” ofertuesit më të këqij (pasi janë skualifikuar gjithë të tjerët), apo për reformën e dëshiruar në drejtësi, e cila ka arritur vetëm t’u fusë tmerrin të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve duke i detyruar të vihen në shërbim të urdhërave të qeverisë, sikurse është e ndaluar të flasësh se askush nuk do të bëjë reformë zgjedhore, dhe kush e thotë është antishqiptar.

Atëherë, duhet thënë më qartë.

Nëse të thuash që droga nuk ekziston, korrupsioni nuk ekziston, kriza e investimeve të huaja nuk ekziston, pastrimi i parave të pista nuk ekziston, që të drejtat e njeriut nuk janë shkelur, që policia nuk i arreston njerëzit pa shkak ndërsa lë të lirë kriminelët dhe narkotrafikantët, që mijëra familje që kërkojnë azil në Evropë nuk ekzistojnë, ose nëse eksiztojnë nuk është problem—pra, të thuash që në Shqipëri, çdo gjë shkon siç duhet—do të thotë të jesh proshqiptar, atëherë kushdo që e sheh me sytë e tij realitetin e përditshëm është antishqiptar. Përfshi qindra mijëra shqiptarë. Përfshi mua që kam lënë Italinë për Shqipërinë. Përfshi Krichbaumin, përfshi Makronin, e ndoshta miliona të tjerë.

Atëherë, për këta proshqiptarë të zgjuar, është e vërteta që është antishqiptare, që duhet fshehur, mohuar, përgënjeshtruar me forcë.

Kështu, pas lavdive të komunizmit, ndoshta do të arrijmë edhe ato të Evropës, por e vërteta nuk do të ndryshojë, thjesht ne do vazhdojmë të refuzojmë ta shikojmë.

Realiteti është ai që tregon se antishqiptarët e vërtetë janë ata që e kanë masakruar këtë vend, fillimisht me komunizmin dhe pastaj me tranzicionin, ata që kanë detyruar thuajse dy milionë shqiptarë të emigrojnë, ata që pengojnë zhvillimin duke i hapur rrugë plaçkitjes së burimeve të vendit, ata që kultivojnë dhe trafikojnë drogën, ata që korruptojnë policinë dhe ata që e abuzojnë atë për të mbrojtur trafikun, ata që mashtrojnë njerëzit me nacionalizmin e tyre aksidental të përdorur vetëm për të shpërqendruar dhe shkatërruar; realiteti është ai që tregon se antishqiptarë të vërtetë janë ata kampionët e ekonomisë së grabitjes që kanë ndërtuar monopole, fillimisht me pistoletë e më pas me VKM e ligje, vetëm për të blerë vila luksoze në Vienë dhe Majemi, apo për parada luksi në rrugët e Bllokut.

Antishqiptarë janë rufianët që menaxhojnë rrjetet e prostitucionit dhe të shpërndarjes së drogës, por antishqiptarë janë edhe afaristët e naftës që regjistrojnë kompani offshore për të vazhduar mashtrimin e tyre të përhershëm me taksat e shtetit dhe që në fund për të arritur edhe më shpejt qëllimin lëshojnë tollona benzine pa patur benzinë.

Janë antishqiptarë ata që ndërtojnë pallate mbi lulishte publike, dhe ata që dhjamosen me koncesionet e pamundura dhe të paligjshme, ata që privatizojnë të ardhmen tonë për t’u dëndur në luks dhe kokainë, ata që shesin diploma.

Janë antishqiptarë të vërtetë ata që kanë vënë nën kontroll trurin e njerëzve, duke përfituar nga padija, apo mirëbesimi i tyre, duke krijuar legjenda urbane dhe mite fallso individësh, duke i dehur të rinjtë me mitin shkatërrues të pasurimit të shpejtë, të siguruar me trafikun e drogës, apo me riciklimin si zëvendësues të ekonomisë reale, apo me dhunën dhe kërcënimin në vend të seriozitetit dhe të punës.

Në fund, antishqiptarët e vërtetë janë ata që urrejnë dhe fyejnë këdo që po përpiqet të nisë një diskutim për gjendjen tonë kolektive, për rrugën qorre ku na ka futur ky sistem përherë e më i uritur dhe urikrijues, ky projekt i shpërbërjes sistematike të konsensusit të brendshëm shoqëror.

Shqipëria që duhet mbrojtur, ruajtur dhe dashur nuk është ajo e pallateve të ndërtuara mbi rërën e bregdetit, ajo e parave të fituara pa lodhje, parave të vjedhura, ajo ku çdo gjë blihet e çdo gjë shitet, ku dinjiteti, e vërteta, besimi, puna, sakrifica, familja, kursimet, përgjegjshmëria kanë një çmim në treg dhe ku çdo ditë është edhe më e mjeruar.

Shqipëria që duan “antishqiptarët” si unë, ata që punojnë dhe shkruajnë si unë, dhe besoj si Fatos Lubonja, dhe mijëra martirët e heshtur nga komunizmi dhe emigracioni, është Shqipëria e butë e mikëpritjes, e “besës”, e tolerancës; është Shqipëria e Gjergj Fishtës, e At Zef Pllumit, e Nënë Terezës; ajo që nuk ka shkaktuar kurrë një luftë, ajo që shpëtoi hebrejtë; ajo e asaj plakës që në vitin 1991 deshi të ndante me mua vezën se tjetër gjë nuk kishte për të ngrënë; ajo që në vitin 1999 rrinte në rradhë në Pallatin e Sportit për të marrë në shtëpi një familje kosovare, ajo e atyre djemve që u rreshtuan me UÇK-në për të çliruar vëllezërit kosovarë; ajo e shumë emigrantëve të heshtur dhe punëtorë që njoh në çdo qytezë të Italisë; ajo që nuk e ka humbur besimin në Zot, ajo që ka ende vlera njerëzore; ajo që, ngaqë mendon për të ardhmen e fëmijëve, fatkeqësisht po ikën.

Antishqiptarët, për mua, janë ata që kanë shkatërruar atë Shqipëri, dhe që vazhdojnë e shkatërrojnë çdo ditë e më shumë, për t’ja mbathur pastaj jashtë duke marrë me vete të ardhurat e krimeve të tyre, me shpresën se me paranë e paligjshme do të fshehin turpet që kanë përdorur për t’i siguruar ato.

Ndërsa, unë do të vazhdoj të shkruaj—shpresoj që kështu do të bëjnë shumë shqiptarë me vullnet të mirë që të paktën të fusim pak arsye në këtë debat të turpshëm—sepse dua që vajzat e mia të vogla, një ditë, të mund të ecin nëpër botë të qeta dhe krenare për origjinën e tyre shqiptare. Akuzat e këtyre çakejve nuk më prekin—një tjetër dorë, ajo e Historisë, do t’i bëjë llogaritë e tyre.

/Exit.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

kanadezi01/05/2018 01:23

Nuk i shtohet asnje germe.Shume e sakte

Ervin30/04/2018 20:39

Absurde ta etiketosh Lubonjen antishqiptar. Eshte pak ,eshte nje njeri. Do ishte ku e ku me mire te kishim sa me shume si ai.
Por me duket pak e ashper per shumicen e shqiptareve te thuash se hapja e negociatave ndihmon vec Ramen. Shqiptaret jane lodhur duke pritur dhe shpesh edhe nje hap fare i vogel perpara ndihmon qe te mos shpertheje kazani me pasoja te paparashikuara.
Fajtoret e medhenj ne kete histori jane ambasadoret e huaj por jo vetem Lu e Vlahutin por edhe ambasadoret e tjere.
Qofsha i gabuar por nuk e kam degjuar p.sh ambasadorin gjerman ta thote hapur ashtu sic eshte se Shqiperia eshte kthyer ne nje narkoshtet. Se mosdenoncimi te heq te drejten morale te qortosh. Pra bie dakord ne parim me Lubonjen por edhe keta te huajt nuk jane mbrojtesit e lirise qe mundohen te na shiten. Sigurisht Lubonja e ka stigmatizuar qendrimin e ambasadoreve dhe venerimin e perendimoreve prej shqiptareve duke thene se ne do e shpetojme Shqiperine e jo te huajt ,por eshte mjaftuar vec me Lu-ne dhe Vlahutin-in. Per mua asnje nga ambasadoret e ketushem nuk e ka kryer punen sic duhet.

Shqiptar30/04/2018 18:50

Respekte autorit te shkrimit! Rrofte liria!

Zana30/04/2018 16:59

Duhen te dalin shume intelektual si ju Zoteri qe Shqiperia jane te na nderoj me emrin shqiptare FLM

shqiptar30/04/2018 16:42

Uroj qe ta lexojne dhe ta KUPTOJNE sa me shume shqiptar.

tarasi30/04/2018 16:14

Përgëzime z.Rossi , analiza e juaj eshte me te vertete e shkelqyer , analize e thelle e sinqerte teper realiste . Mjerisht ka pak shqiptare burra te vertete ne kete vend dhe ndonje qe mendon si ju e pret persekutimi nga llumi i shoqerise sone por edhe nga qeveria e rilindjes. Neveri pa fund per gazetarin Baze qe me shkrimet e tij helmon shoqerine ,sidomos ate "qe kane. mbetur ne udhekryq" APO AQ ME KEQ ATA SHQIPTARE TE SHPELARE NGA TRURI qe marin persiper te ofendojne e etiketojne çdo kush qe thote te vertetat e hidhura. Anti shqiptare jane te gjithe ata qe i lepijne bythen qeverise , ku me i zellshmi eshte Mero baze .

E verteta30/04/2018 16:09

Me mire se kaq nuk mund ti behet autopsia e regjimit fake demokratik te vendit tim te shumevuajtur se nga ky shkrim i nje shqiptari vertet te madh edhe pa qene i lindur ne shqiperi. Krahaso ndoshta milionat e atyre qe e heqin vehten patriote e i futin thiken ne fyt nenes shqiperi cdo dite apo brohorasin xhelatet e saj me ate injorancen e tyre. Edhe nje here faleminderit autorit per kete shkim brilant

Shto koment

Denonco