Pse nuk iu ul koka Ramës

Pse nuk iu ul koka Ramës

Nga Enton Abilekaj - 26/04/2018

Tashmë është e sigurtë se askush dhe asgjë nuk mund t ja ulë kokën Edi Ramës. Nga çfarë u pa dhe u dëgjua dje dhe sot, prej Berlinit vinin pareshtur lajme të këqija. Deputetët konservatorë refuzuan darkën me Kryeministrin, kryetari i komisionit për Europën në Budenstag, Krichbaum, i shquar për vëmendjen e veçantë që ka ndaj Shqipërisë sidomos në bllokimin e integrimit, foli pa rezerva, deputetet socialdemokratë, aleatët tradicionalë të PS i thanë që nuk ka situatë optimiste për integrimin, ministri për Europën, Michael Roth, edhe ky socialdemokrat, i tha që nuk do ketë lajme të mira për sa kohë nuk dorëzohet imuniteti i ish Ministrit të Brendshëm.

Këto ishin vetëm nxemja përpara takimit me Kancelaren Merkel. Si kurrë më parë, jo vetëm që konstatoi se më shumë vështirësi janë plotësuar vetëm disa parakushte, por kërkoi ndihmën e mediave dhe publikut që të dinte nëse Rama e kupton çfarë do të thotë plotësimi i parakushteve. Durimi i sosur në takimin e pestë në 5 vjet me Kryeministrin e Shqipërisë, qartësisht nuk mund të sillte përgjigje tjetër përveç asaj që u dëgjua nga të gjithë në 2 gjuhë: do të shohim si do ecin deri në qershor. 

Me gjithë këtë ngarkesë negative të akumuluar në qiellin e errët të një qeverisjeje të kapur dhe të dështuar, në mos shi, pritej pak vrarje ndërgjegjeje.

Kthimi i trishtë i Ramës në atdhe, imagjinohej i përulur dhe pa fjalë. Mesazhi për të qeverisurit prej tij, pritej të përcillte ndjenjën e fajit, konstatimin e dëmit që i ka sjellë vendit dhe këkresën për bashkëpunim. Me gjithë shikimin e errësuar, me pamundësinë për ta çelur sadopak fytyrën dhe zërin e ngarkuar nga pezmi, mesazhi përcolli të kundërtën.

Gënjeu dhe zhgënjeu të gjithë shikuesit dhe dëgjuesit që në fjalinë e parë, ndryshe nga c kishin parë e dëgjuar të gjithë, vizita paska qenë e suksesshme, ndryshe nga çfarë lexuan të gjithë Krichbaum nuk i kishte thëne asnjë fjalë në sy, fjalët e Kancelares dhe ministrit gjerman të Europës, ishin shtrembëruar nga mediat e kazanit në Berlin, që në këtë rast qëllon të jetë media shtetërore, Deutche Velle. Dështimin e pa tek opozita, megjithëse si rrallëherë lidershipi opozitar i PD dhe LSI bënë thirrje për hapjen e negociatave. 

As këtë here Rama nuk e uli kokën, nuk e pranoi fajin dhe nuk dha asnjë shpresë për ndryshim. Kjo e ka përgjigjen tek qëllimi i vërtetë i qeverisjes së tij, nuk është as integrimi në BE, as rritja e mirëqenies së shqiptarëve, as rritja e ekonomisë, as rendi dhe qetësia.

Nëse do të ishte ndonjë nga këto nuk do të krekosej majë Rinasit me dështimin e turpshëm të vizitës. Ai u krekos për të treguar se nuk ndihet më i dobët, se nuk do lëshojë pushtet dhe nuk do të ndryshojë asnjë marrëdhenie me krimin dhe korrupsionin.

Ai donte t u thoshte konkurrentëve që ka gjithçka nën kontroll, ortakëve që bizneset vazhdojnë, të qeverisurve që shtypja nuk do te lehtësohet. Tashmë e ka mundësinë që të mos largohet edhe nëse nuk plotëson detyrimin bazë të qeverisjes, hapjen e negociatave. Ashtu siç e ka luksin të taksojë më shumë, të investojë më pak dhe të arrestojë protestuesit, të blejë mediat dhe të shajë opozitën, t'i trajtojë ministrat si sekretarë dhe oligarkët si ministra. 

Nëse do të shfaqej kokëulur në Rinas, Rama do duhej të numëronte ditët mbrapsht deri në qershor, jo për refuzimin e hapjes së negociatave, por për qeverinë. Nëse do të shfaqej kokëulur, Shqipëria do të ishte një vend normal që e shkarkon Kryeministrin që dështon. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco