Si mund të shpëtohet, një kryeministër bipolar?!

Si mund të shpëtohet, një kryeministër bipolar?!

Nga Poli Hoxha - 18/04/2018

Sot entuziazmi i kryeministrit, Edi Rama, pas lajmit të rekomandimit që KE i dha vendeve anëtare për hapjen e negociatave ishte bjerrë goxha. Në krah të ministres së Jashtme të Klubit, ai gati gjysmën e fjalimit dhe retorikës së përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve e konsumoi duke gjetur “armiq” brenda BE-së. Madje shkoi deri aty sa deklaroi, se brenda Unionit ka shumë që e shohin Shqipërinë si një “bishë”, që duhet mbajtur larg.

“Jo të gjithë e shohin me entuziazëm këtë (Rekomandimin) dhe ajo nuk i mjafton disave që na nxjerrin bisha aty këtu, në vende anëtare të BE-së”.

Këto fjalë të Ramës më shumë se çdo gjë tregojnë, se ai ka frikë se qoka e fundit që i bënë Mogherini-Hahn këtë pranverë do të mbetet thjesht një kujtim, kur rasti i Shqipërisë do të skanohet me kujdes në Qershor nga të zotët e punës, kancelaritë e kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare të BE.

Rama e di shumë mirë, se nëse shteteve që janë në garë në rajon për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia vetëm ju pikon çatia për të përparuar, ajo e tij  rrjedh gjithandej. Është i qartë, se mbi tryezën e Kancelares Mekel ka kohë që të dhënat e detajuara të shërbimit sekret gjerman për operacionin shtet-mafie në kanabisimin e Shqipërisë janë të kopsitura.

Se tashmë ky vend po krijon një task-forcë speciale, të dedikuar vetëm kundër krimit të organizuar shqiptarë, i cili nuk ndalet së trafikuari në sasi të mëdha edhe kokainën nga vendet e Amerikës së Jugut dhe ajo Latine, drejt Europës Qendrore; që nën mbrojtje shtetërore i shndërron në Shqipëri paratë e fituara, në kulla e biznese të ligjshme.

Është i ndërgjegjshëm, se Holanda ndihet e kërcënuar zyrtarisht nga ekspansioni i krimit shqiptar, që ka si bazë të sigurt vendin e qeverisur prej tij.

Nuk mund të harrojë kërcënimet e hapura të Francës, për përmbytjen që po i bën “eksodi” shqiptar; se mijëra e mijëra njerëz që janë “dizinformuar” për zyrat e punës së Ramës po kërkojnë rrugën e mbijetesës në këtë vend dhe jo vetëm, njësoj si sirianët që bombardohen nga qeveria e tyre me armë kimike.

Të gjithë këta përrenj që i rrjedhin në çatinë që ka ndërtuar vetë me shpejtësi këto 5 vite, Edi Ramën e bëjnë sot me dhimbje koke, ndaj aspirina e rekomandimit nuk e qetëson dot. Se cili është problem i vërtetë i Shqipërisë së Ramës drejt rrugëtimit për në BE doli qartë ditën e djeshme, gjatë konferencës për shtyp të Mogherinit.

Kur gazetarja e Financial Times ju drejtua shqeto; A mund t’ju pyes, si planifikoni t’i bindni Këshillin dhe shtetet anëtare, sidomos shtetet e mëdha anëtare si Franca dhe Gjermania që janë të shqetësuar sa i takon nivelit të krimit të organizuar dhe çështje të tjera të ristrukturimit të Shqipërisë dhe cila do të jetë strategjia juaj më tej?”, ajo e dorëzuar e hoqi “menderen” mënjanë duke thënë, se Komisioni Europian nuk e ka për detyrë që të bind Këshillin e krerëve të shteteve anëtare, për këto çështje.

Ky ishte një mesazh i hapur ndaj Ramës, për ti treguar se fuqia e qokave të ambasadores Vlahutin, komisionierit Hahn, asaj vetë dhe gjithë borderoristëve të Soros në Europë ndaj tij, kaq e kishte limitin. Përrenjtë që i rrjedhin nën çati le ti mbrojë e justifikojë vetë, përpara Merkel, Macron etj.

Mburrja me Reformën në Drejtësi që ndërkombëtarët e dinë vetë se si e kanë çuar deri këtu, përdorimi si gjethe fiku që i bëri Komisionit të Venecias për të mbrojtur Tahirin, simbol tashmë ndërkombëtar i kapjes së shtetit nga krimi, nuk e çojnë dot Ramën larg.

Duket qartë se ai nuk ka ndërmend, që të pranojë realitetin që ka katranosur me ndërgjegje. Çdo gjë tashmë ka dalë jashtë kontrollit. Është vërtet për të ardhur keq, se si shqiptarët janë katandisur në këto kohë kur fqinjët e tyre po ecin me shpejtësi drejt BE-së, të udhëhiqen nga një kryeministër që shtiret si një i sëmurë psikik bipolar, vetëm e vetëm për të vazhduar axhendën e pasurimit marramendës të vetes dhe një grushti njerëzish.

Sa do të vazhdojë Edi Rama tu shesë shqiptarëve dhe botës, dy realitete ekstreme; atë virtualin e Shqipërisë së tij që e meriton përparimin drejt BE-së (por ca aty e shohin me dashakeqësi si “bishë”) dhe atë të prekshmin; varfëri, krim, miliarderë të oborrit të kryeministrit, qindra mijëra përpëlitës që ja mbathin “me kuç e maç” drejt vendeve, që duhet ti japin viston Ramës?!

Pak ditë më parë në raportin për vendin tonë, organizata “Freedom House, vizatoi për herë të parë pa bojëra, Shqipërinë e sotme të Edi Ramës dhe prespektivën e saj për vitin 2018 dhe në vazhdim.

“Shqipëria është demokraci në tranzicion, çdo hap para zhvlerësohet me hapa prapa, korrupsion politik e publik-privat, regjim hibrid, qeveri autoritare, shtet i kapur…Kontrolli i plotë që kryeministri Rama ka mbi PS-në dhe shumica solide që gëzon në parlament, e kombinuar me një kontroll të ngushtë mbi ekzekutivin, mund të çojë në tendenca autoritare që mund të vënë institucione të tjera shtetërore nën kontrollin e kryeministrit”.

Kjo rrugë që ka zgjedhur të ndjekë Rama duke u hequr si i sëmurë psikik bipolar është mbajtur shënim, në kancelaritë e BE-së dhe SHBA.

Sipas mjekësisë, çrregullimi bipolar është gjendje depresive emocionale, dhe nëse nuk trajtohet mund të ndikojë në mënyrën se si njeriu mendon e vepron, në vendimet që merr dhe mënyrën si sillet. Studimet kanë treguar se njerëzit që kanë përjetuar hypomani (mania e madhështisë, eufori), shpesh diagnostikohen me çrregullim bipolar dhe duhen izoluar nga vendimmarrjet e rëndësishme.

Në pamje të parë Rama rezulton një i sëmurë i tillë, por po kaq ekziston edhe mundësia, se ai mund të shtiret për të mbuluar misionin; miliarder i pa konkurueshëm sa të jetë në pushtet. Me shumë gjasa janë, edhe të dyja bashkë të ndërthurura.

Gjithsesi ai ka vetëm dy dalje nga kjo situatë; ose të marrë zyrtarisht kartelën e të sëmurit psikik dhe gjithçka do ti “falet”; ose të gjejë një bunker tjetër në ishujt e largët që ëndërron, sepse si kryeministër i Shqipërisë që ka katranosur në këto 5 vite; as Soros, as Mogherini, as Gaz Demi e as dreqi, nuk e shpëtojnë dot më!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Nebil20/04/2018 06:44

Shqperia e Edi Rames nuk ka cati fare, hyn i gjithe shiu mrena!

Arber19/04/2018 03:25

Une nuk kam votuar kurre ne jeten time, sepse e kam ditur se budallenjte jane shumice dhe eshte e sigurte qe do te fitojne.

ZIXZAX18/04/2018 19:56

KY KM duhet vizituar fizikisht, moralisht, politikisht, Me viziten e pare do i dale skicofrenia, e tek e dyta do idale efekti kokaine, tek e treta nuk ka shume per komente sepse shihni e shkruani,,,Ja ky eshte kryetari i qelbesirave, e mbetjeve komuniste.

Miu te kiu18/04/2018 17:01

Nuk eshte problem se nuk dime te zgjedhim,
Nuk duhet te shkojme ne zgjedhje.
Se do zgjedhim pastaj njeriun e ri.
Per te tjerat jam ne nje mendje Taras.

Tarasi18/04/2018 16:48

Shqiperia nen kthetrat e krimit dhe korrupsionit te papare ndonjehere .E gjithe kjo "merite" i takon krye mafiozit Rama. BE nje sy e ben qorr nje vesh shurdh, do te vendose sipas interesa gjeopolitike .Ne nuk duhet te presim qe shtepine tone ta rregullojne te tjeret , por qe vete i bejme punet aq keq sa edhe pushtuesi me i urryer nuk do tia bente Shqiperise. Thjesht nuk dime te zgjedhim ne krye te vendit njerez te afte . te ndershem e patriote. Ja pra ku eshte produkti i njeriut te ri qe krijoi partia e xhaxhi Enver.

Shto koment

Denonco