Rama, Lu, Llalla dhe operacioni, `Na duhet një peshk i madh`

Rama, Lu, Llalla dhe operacioni, `Na duhet një peshk i madh`

Nga Shënim - 14/04/2018

Pak ditë më parë, menjëherë pas zbardhjes në media të letrës së ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla drejtuar Kongresit Amerikan, në Maj të vitit të kaluar, ambasadori Donald Lu, pas 3 vitesh në shërbim në Tiranë theu betimin e tij, për të mos u bërë pjesë kurrë nëpër emisione politike në Shqipëri. Dukej se një emergjencë po e detyronte, që të ndërhynte papritur në një emision politik, kur dihet se mesazhet i ka dhënë gjithmonë nëpër aktivitet të ndryshme dhe vetëm një herë në një televizion publik, kur morri pjesë “me sukses” në estradën Portokalli.

Nën efektin e kësaj emergjence, ambasadori morri me bujari nga Rama gjysmën e kohës së emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut ku kishte paracaktuar një intervistë që i duhej aq shumë, pas ngjarjeve në Kalimash.

Mjaftuan disa minuta pas nisjes së intervistës në fjalë, që të kuptohej se çfarë halli të madh kishte zoti Lu. Duke thyer edhe më keq se në kohën e projektit të Reformës në Drejtësi gjuhën diplomatike, ai jo vetëm sulmoi egër ish-prokurorin Adriatik Llalla, por mori edhe atributet e organit të akuzës dhe gjykatës, duke paracaktoi fatin e tij të mëtejshëm.

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe i diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për tu habitur që ai vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”, deklaroi ambasadori me zë të trashur në studion e Fevziut.

Në pamje të parë i gjithë ky nerv, dukej se kishte të bënte me atë pjesë të letrës së Llallës ku ju thoshte ligjvënësve amerikanë se ambasadori i tyre në Tiranë, i kishte kërkuar në formë urdhërore arrestimin e kryetarit të Kuvendit, në atë kohë Ilir Meta.

 Por po ti rikthehesh edhe një herë intervistës në fjalë, vë re se ky paracaktim i fatit të Llallës me burg, u theksua në kontekstin e përgjigjes së pyetjes për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, temë kjo që duket se nuk është më, më e preferuara e tij, të paktën publikisht.

Ambasadori njoftoj për herë të X, se së shpejti do të kapen “peshq të mëdhenj” dhe nisi të lexojë listën...Klement Balili, Balili, Klement Balili dhe...Adriatik Llalla.

Ky do të ketë qenë edhe moment, kur në prapaskenën e studios së Fevziut, Edi Rama që kishte porositur pjesën e dytë të emisionit, rrezikon të ketë psherëtirë; Kjo ishte, bravo Don!

Ditën e Martë jepet verdikti për hapjen e negociatave me BE dhe disa vende të rëndësishme me në krye Gjermaninë e Merkel, të cilat ja kanë pirë tashmë lëngun, retorikës plot mirazhe të Edi Ramës kërkojnë “peshq të mëdhenj”.

Po nga do të dalin ata?! Nuk dihet se deri ku do të shkojë presioni, por Rama këtë punë mund ta rregullojë shpejt e shpejtë, vetëm duke lejuar të peshkohet në bazenin e oborrit të tij. Gati janë aty, peshq të mëdhenj e peshkaqenë si Beqja, Gjiknuri e Ahmetaj e kompani. Kurse për sa i përket “detit” të krimit të organizuar, Balili që Ambasadori Lu e ka aq qejf, edhe pse nuk ka rënë ende në pranga, mund të konsiderohet “i kapur”, sepse tashmë veprimtaria e tij është zbardhur dhe një gjyq po i zhvillohet në Greqi.

Në fakt nëse duan që të qetësojnë Merkelin dhe gjithë BE-në i kanë vërdallë disa “peshq të mëdhenj”, të cilëve pak kohë më parë u ngeli vetëm një luspë në Maminas, me plot 630 kilogramë kokainë.

Kanë edhe Saimir Tahirin, që herë e përkëdhelin me rrjetë, herë e vendosin në vitrinën e markatos së peshkut e herë tjetër, sa herë që ai dërgon mesazhe e mbyllin në akuarium.

A është Llalla “peshk i madh”. që meriton të përfundojë në “zgarën” e drejtësisë?!

 Këtë le ta vendosin hetimet dhe ai le të marrë, atë që i takon.

Por skema e Ramës, për të njësuar gjithë peshqit e mëdhenj e peshkaqenët që mban në bazenin e oborrit të tij  me vetëm një emër, në mos qesharake më së shumti ngjason me sforcimin e njeriu, që ka ngecur vetë në rrjetë. Në këtë situatë paniku, i kërkon ambasadorit Lu që ti bëjë edhe shërbimin e fundit. Të shkojë bashkë me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ard Veliu, në zyrën e ambasadores së Gjermanisë me kërkesën për tu dorëzuar Adriatik Llallën në pjatë.

Nëse Merkel do të kërkonte nga Rama “peshkun e madh Llalla”, në Gjermani e ka. Por kryeministri bashkë me ambasadorin Lu, e dinë shumë mirë, se çfarë kërkojnë.

Prandaj karteli i drogës dhe grupi i “biznesmenëve” po bëjnë gjithçka, madje edhe duke “përdorur” ambasadorin e rëndësishëm për ti dhënë fund makthit me “peshq të mëdhenj”, duke e katandisur gjithë këtë histori vetëm te një emër.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco