I MIRI, I KEQI, I SHËMTUARI ...

I MIRI, I KEQI, I SHËMTUARI ...

Nga Habjon Hasani - 13/04/2018

Dje ambasadori Donald Lu shkoi në zyrën e Presidentit Ilir Meta, vetëm 24 orë pasi në media u publikua një MEMO, që ish-prokurori Adriatik Llalla kishte depozituar në Kongresin Amerikan.

Llalla  kishte dëshmuar në MEMO ndërhyrjet/kërcënimet e ambasadorit amerikan dhe presionin e rrjetit Soros ndaj tij, duke pretenduar se ambasadori Lu i kishte kërkuar në mënyrë informale dhe kërcënuese të arrestonte Ilir Metën, asokohe kryetar i Parlamentit.

Pasi u bë publike kjo MEMO, ambasadori Lu reagoi menjëherë, e quajti mashtrim, e mohoi, por kapërceu gjuhën diplomatike duke kaluar në akuza personale dhe penale ndaj Adriatik Llallës.

Pasi reagoi ashpër ndaj Llallës, ambasadori Lu i vuri kapak episodit dhe Presidenca shpërndau disa foto të buzëqeshura mes tij dhe Ilir Metës.

Por nëse Ilir Meta është një politikan rrace, gjakftohtë, profesionist, që arrin ta stampojë buzëqeshjen dhe kortezinë kur i leverdis politikisht, ai është thjesht duke bërë atë që duhet, por një buzëqeshje s’mund të na i fshijë dot nga kujtesa ato që ne dimë.

Do përpiqem që në mënyrë të përmbledhur të rendis si e kam perceptuar dhe njohur unë si gazetar trajektoren e marrëdhënies Lu-Meta-Llalla nga viti 2015 e këtej.

Edi Rama e nisi zbatimin e projektit për reformën në drejtësi diku nga pranvera e vitit 2015.

Edi Rama ishte tepër i saktë dhe i llogaritur në planin e tij. Ishte një hap para gjithë të tjerëve.

Rama kishte llogaritur një betejë me Partinë Demokratike, ndërsa aleatit të vetë asokohe, LSI-së, i kishte bërë gati dy ‘karamele’, që LSI-ja thjesht të përtypej dhe të mos kishte asnjë mundësi  për ta sfiduar nismën e Ramës.

Karamelja e parë, ishte në pranverën e 2015, kur plasi skandali ‘Durim Bami’ dhe Meta u akuzua publikisht nga deputeti Tom Doshi se kishte orkestruar vrasjen e tij.

Karamelja e dytë Metës i erdhi në vjeshtë, kur papritur në dosjen CEZ-DIA në arbitrazh ishte futur ‘si pa dashje’ dhe një gjëagjëzë , ku jepej  identikiti i një ish-kryeministri që kishte marrë ryshfete, më pas një media e themeluar nga Fondacioni Soros publikoi gjëagjëzën e dosjes, duke shkuar ca më tej, duke pretenduar se gjëagjëza bënte fjalë për Ilir Metën.

Ndërsa LSI-së dhe Ilir Metës u duhej nga mëngjesi deri në darkë të sqaronin pozicionin në lidhje me këto dy skandale, Edi Rama nga ana tjetër, e kishte futur në procedurë projektligjin e reformës në drejtësi dhe gjërat po i shkonin vaj.

Vjeshta e vitit 2015 ishte pikërisht momenti kur në lojë hyri fuqishëm, shkëlqesia e tij, ambasadori amerikan Donald Lu.

Në këtë periudhë ai bëri të parën deklaratë të fortë të tij, për orët e shtrenjta të gjyqtarëve shqiptarë, deklaratë mediokre, por që bëri shumë sensacion, sepse ende gazetarët dhe publiku nuk e imagjinonin dot që në 10 muajt në vazhdim, ambasadori amerikan do diskretitohej dhe do të shndërrohej në simbol të diplomatit që nuk i ka asnjë peshë fjala.

Ndërsa bëri sensacion me orët e gjyqtarëve, Donald Lu kërkoi mbështetje publike për projektin e Edi Ramës dhe reformën në drejtësi.

Shumica dërrmuese e medias iu përgjigj menjëherë  skemës që vuri në lëvizje Donald Lu, madje në periudhën Nëntor-Dhjetor 2015 disa analistë e paraqisnin ambasadorin  Lu si të vetmen shpresë dhe të vetmin faktor serioz (I miri), ndërsa Edi Ramën si të vetmin faktor politik që kishte kredibilitetin minimal për të çuar përpara reformën që do na ndriste vendin.

Lulzim Basha paraqitej nga analistët si shumë i hallakatur, ndërsa për Metën, pas dy karameleve, hidhej teza “po ai është e keqja, akoma me atë do merremi neve?” (I keqi).

Natën e vigjiljes së ndërrimit të viteve, më 31 Dhjetor 2015, ambasadori Donald Lu dha sinjalin e parë se kishte diçka që nuk shkonte,  një kontrast që kërciste, mes asaj që thoshte dhe asaj që bënte.

Donald Lu shkoi në Top Channel, në emisionin satirik ‘Portokalli’ dhe përkrahë Gjinit të ‘Portokallisë’, dha mesazhin se viti 2016 do ishte tepër i rëndësishëm për shqiptarët për shkak të reformës në drejtësi.

Më bëri veçanërisht përshtypje se si mundej që ambasadori zgjodhi një mjedis komik humoristësh, për të propaganduar një reformë të rëndësishme kushtetuese.

Nuk e ndaja dot me veten time, nëse Donald Lu po tallej me qëllim, apo ishte thjesht një pioner që e kishte vënë përfund euforia e famës.

Nuk vonoi shumë për ta zbuluar, sepse përgjatë gjithë vitit 2016 zoti Lu dha prova të një diplomati të pamatur, inatçor, jo serioz dhe bajat.

Ndërsa Lu dhe Rama propagandonin draftin e reformës që prej Shtatorit 2015, nuk vonoi shumë dhe në janar 2016 erdhi një goditje domethënëse ndaj lojës së tyre.

Komisioni i Venecias rrëzoi integralisht draftin e parë  të reformës të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama dhe Donald Lu. Ishte goditje mu në palcë, sidomos te pika që Edi Rama e kishte aq merak, te Byroja Kombëtare e Hetimit.

Ndonëse verdikti i Venecias e bëri NUL kombinacionin Rama-Lu, mediat që prej 5 muajsh propagandonin këtë draft u kapën në befasi, ambasadori Lu doli jashtë loje, sepse anëtarëve të Komisionit të Venecias nuk kishte ç’ti bënte, në Venecia nuk ia fishkëllente njeri atyre hartimeve mediokre të ambasadorit për orat e shtrenjta të gjyqtarëve. 

Ky rekomandim i Venecias duket se pati dhe një efekt të rëndësishëm anësor, Donald Lu humbi durimin.

Ambasadori Lu u përfshi në disa situata absurde më pas, arriti deri aty sa të organizonte dhe miting për të votuar ligjin e Vettingut, pretendoi se ishte miting i shoqërisë civile, por një vëzhgim mbi pjesëmarrësit zbuloi se Lu kishte mbledhur anëtarët e Partisë Socialiste të Njësisë numër 5 në Tiranë.

Donald Lu në atë miting dukej si Musa Ulqini duke folur shqip, por me theks anglez.

Por kulmi arriti ca më vonë kur Donald Lu nisi të përdorte forma presioni dhe kooptimi të deputetëve të opozitës. Ai linte takime në ‘Rogner’ me deputetë të opozitës duke lobuar hapur që të çante grupin e PD-së, Donald Lu shpërfilli dhe goditi hapur disa kërkesa të PD-së dhe LSI-së në këtë kohë.

Por sërish goditja i erdhi andej nga se priste.

Gjashtë muaj lobim dhe demonstrim force i Donald Lu-së në favor të Edi Ramës, u shumëzuan me zero për 6 orë, kur shefja e tij Nuland vizitoi Shqipërinë.

Nuland tha se duhej me patjetër që reforma të gjente kompromisin e palëve dhe të mos ishte e njëanshme dhe propozoi një projekt të ri që i jepte shteg kërkesave kryesore të PD-së dhe LSI-së.

Praktikisht Nuland, e bëri NUL gjithë lobimin  e ambasadorit Lu, ndërsa ky i fundit qëndronte në krahë të saj ashtu i përulur, gjasme i buzëqeshur dhe i menderosur, teksa shikonte  Nulandin që po flakte në kosh, draftin që Lu propagandonte prej 6 muajsh.

Ishte një degjenerim i paprecedentë i ambasadorit.

Sepse Nuland  e shkërrmoqi publikisht atë, ambasadorin që i kërcënohej opozitës, që bënte mitingje, që bënte lobim personal, që shantazhonte prokurorë, papritur ky lobues i fuqishëm, u shfaq i strukur, i përulur, i qurravitur, para shefes së tij.

Kaq ishte.

Donald Lu kishte humbur bastin dhe pas korrikut 2016 ndodhi për herë të parë që media të shkompleksohej nga ‘miti i rrugës së Elbasanit’ dhe kritikat ndaj ambasadorit Lu nuk ishin më një tabu, madje dhe analistë që në Dhjetor 2015 e mbështesnin fuqishëm atë, nisën gradualisht të ngrinin pikëpyetje mbi aktivitetin  dhe seriozitetin e tij.

Por zoti Lu nuk ndalej, ai në këtë fazë shfaqi hapur dhe publikisht konfliktet e tij me kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Ambasada Amerikane ndërkohë, nisi të bënte disa veprime të pazakonta. Thërriste prokurorë dhe gjykatës dhe u vinte një vulë në pasaportë. U anullonte vizat atyre. Ishte një shantazh i paprecedentë, një tallje, përçmim sjellje arrogante sikur të ishim një vend zulush.

Ky ambasador  që para shefes së tij Nuland dridhej si lepurush, kur vinte puna bëhej trim e i papërmbajtur me prokurorë e gjykatës duke u vulosur pasaportën.

Madje ambasada amerikane lëshonte dhe deklarata zyrtare duke u mburrur me këto veprime ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, duke shpalosur dekadencën e këtij shërbimi diplomatik ne nivele banale, mediokre, inatçore, të panjohura më parë.

Adriatik Llalla ishte epiqendra e sulmeve. (I shëmtuari)

Por Adriatik Llalla, ndonëse nuk shkëlqeu ndonjëherë  si Prokuror i Përgjithshëm, të paktën nuk iu përul arrogancës së ambasadorit Lu. Ai u përgjigj flakë për flakë, denoncoi intimidimet e prokurorëve, denoncoi mbështetjen që Donald Lu u jepte disa politikanëve, të cilët ishin duke u hetuar për trafik ndërkombëtar droge (sidomos Saimir Tahirit) por denoncoi dhe një episod pikant kur Donald Lu kishte kërkuar pezullimin e hetimeve për koorporatën ‘Bankers Petroleum’.

Donald Lu nuk e përgënjeshtroi dot asnjëherë ndërhyrjen për ‘Bankers Petroleum’, ndërsa Llalla kishte çuar fjalë se takimi ishte mbajtur shënim me protokoll dhe çdo gjë ishte e dokumentuar.

Ndodhi që kësaj jave, në media u publikua dhe detaji i ri i konfliktit të tyre, dëshmia e Llallës dërguar Kongresit Amerikan ku thoshte se Donald Lu i kishte kërkuar në mënyrë informale në vjeshtën e vitit 2015, arrestimin e Ilir Metës.

Donald Lu nxitoi menjëherë ta përgënjështrojë këtë pretendim, por si pa e kuptuar bëri të njëjtin veprim për të cilin e akuzonte Llalla. Sepse e quajti publikisht Llallën si të korruptuar dhe të kriminalizuar, ndonëse këtë akuzë të rëndë mund ta bësh vetëm pasi ke në dorë një vendim të formës së prerë gjyqësore që e vërteton.

Reagimi i Donald Lu ishte një lloj vërtetimi i tërthortë i pretendimeve të Llallës, sepse ky ambasador i çuditshëm e ka shumë të thjeshtë të akuzojë e të bëjë padronin e sistemit gjyqësor, ndaj dhe ekzistojnë të gjitha gjasat se të njëjtën gjë mund ta ketë bërë dikur dhe kundër Ilir Metës.

Ka prova pafund të papërgjegjshmërisë dhe protagonizmit prej rosinanti të zotit Lu, ndaj dhe e gjithë kjo trajektore 2 vjeçare nuk mund të shuhet dhe aq kollaj, me një takim të ‘përzemërt’ mes tij dhe Ilir Metës, apo me buzëqeshje të stampuara mes tyre.

Zoti Lu ka mbështetur në heshtje politikën e kanabisit  bashkë me rrjetin ministror dhe policor të përfshirë, ka mbështetur nisma ligjore në leverdinë e Edi Ramës, që më pas ia ka rrëzuar shefja e tij Nuland, ka mbështetur zgjedhjen e dyshimtë të prokurores së re të Përgjithshme Arta Marku, ka protestuar gjasme me shoqërinë civile bashkë me militantë të PS-së, ka shantazhuar gjykatës e prokurorë në favor të Edi Ramës, ka intimiduar ose kooptuar deputetë të opozitës për llogari të nismës së Edi Ramës.

E pse na qenka kaq çudi që i njëjti ambasador të ketë synuar shantazhimin e Ilir Metës për llogari të Edi Ramës?

Sidoqoftë e vërteta, rrjedha dy-vjeçare e këtyre konflikteve, lë pak shteg për kredibilitetin dhe integritetin e zotit Lu. Ai u tregua shumë i aftë për të përmbysur imazhin dhe besueshmërinë e tij dhe të institucionit që drejtoi.

Nëse do e përcillnim metaforikisht, mund të themi se në vitin 2015 konfigurimi ishte:

Donald Lu – I miri

Ilir Meta – I keqi

Adriatik Llalla – I shëmtuari

Ndërsa sot, duket se kemi diçka tjetër:

Donald Lu – I diskretituari

Ilir Meta – I buzëqeshuri

Adriatik Llalla – I shpërfilluri

E ç’rëndësi kanë takimet e përzemërta në Presidencë pas këtij konfigurimi të ri? / Hashtag.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp13/04/2018 18:24

Nese do e percillnim mataforikisht analizen e Z.Hasanaj ,"konfigurimi" sot do ishte: Edi Rama - i keqi.( si iniciues i Reformes ne Drejtesi). Vetingu - si i panevojshem,(turbullon per te kulluar). Z.Lu here si ushtar e here si gjeneral i Kryeministrit. Z.Lu si gjynaqar para eproreve. Z.Llalla - i keq se u zgjodh mire. Znj.Marku - e keqe edhe po te qe zgjedhur mire. Amerika - e mire,por na bene keq, kur kapaku prej andej, puthitet me tenxheren ketu. Politikanet - te mire,ashtu si qerosi dhe nastradini dalin gjithmone te zgjuar dhe ua hedhin te gjitheve.

Shto koment

Denonco