Kullat e kujt? Ja si Erion Veliaj po tenton t’ia faturojë betonizimin e Tiranës, Edi Ramës…

Kullat e kujt? Ja si Erion Veliaj po tenton t’ia faturojë betonizimin e Tiranës, Edi Ramës…

Nga Bledian Koka - 12/03/2018

Erion Veliaj është detyruar të gëlltisë me turp premtimin e tij kryesor të fushatës së vitit 2015, se Tirana nuk kishte më vend për beton. Që me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë krejt të kundërtën.

Deklaratën e vitit 2015, “Tirana kishte 8 mijë banesa të pashitura”- ai e zëvendësoi me më alibinë e nevojës për kulla duke u shprehur “qiell kemi, por nuk kemi tokë”.

Të gjitha zbythjet e Veliajt nga premtimet e tij elektorale, kanë bërë që Kryetari i Bashkisë së Tiranës të marrë kosto të mëdha përballë opinionit publik që me të drejtën e të zhgënjyerit e anatemojnë Veliaj si GËNJESHTAR. E gjitha kjo kosto që shkon direkt për djalin “7 punëve në javë” që e shet veten, Erion Veliaj duket se nuk është në gjendje ta përballojë.

Të paktën jo më. Për këtë arsye ai ka vendosur ta ndajë bashkëautorësinë në krimin mjedisor me Edi Ramën. Njerëz brenda rrethit miqësor të Erion Veliajt prej kohësh kanë nisur të përcjellin tek të tretët “pakënaqësinë” e Velijat në raport me gjoja imponimin e Edi Ramës që e detyron kryebashkiakun “pemëmbjellës” të ndjekë axhendën e tij të furnizimit më leje ndërtimi të oligarkëve. Madje prej kohësh të njëjtat “burime” raportojnë për ftohje të marrëdhënieve Veliaj-Rama dhe në fakt shenjat për këtë nuk mungonin. Përshembull, një nga televizionet kryesore në vend Top Channel, prej kohësh ka ndryshuar timonin e informacionit në raport me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij, por nuk ka bërë asnjë ndryshim për të mos thënë që e ka thelluar deri ekstrem, raportin pro dhe me Erion Veliajn. Dhe në këmbim, pronarja e Top Channel vijon të trajtohet si “mish i huaj” nga qeverisja e Edi Ramës në raport me tepsinë e favore, por ama kioskat e sënjëjtës, vijojnë të mbijnë shumë herë më shumë se lulet e Lalit në Tiranë.

Një tjetër pjesë e betejës Veliajt-Rama, konsiderohet edhe mënyra sesi Kryetari i Bashkisë së Tiranës e humbi toruan në “Opinion” përballë pyetjeve normale, se pse tani po jepte leje për kulla, kur në fushatë kishte premtuar të kundërtën. “Përbindshi” nxorri kryet nga Erion Veliaj, që vetë personi është munduar të shesë në veten publik si “Engjëlli” me lopatë në dorë. Veliaj që çirrej, mallkonte, anatemonte, tentonte të intimidonte gazetarët e pyetjeve normale, më shumë se fajtori i zënë në kurth, ishte bashkëfajtori që nuk tregonte dot bashkëpunëtorin në krim. Në një kohë tjetër më shumë gjasë Erion Veliaj do të kishte dashur të ulërinte: “ju e dini shumë mirë se ata janë oligarkët e Edi Ramës dhe lejet i firmos se më detyron ai”. Por edhe kjo mundësi për t’i faturuar Edi Ramës fajin për shkatërrimin përfundimtar të Tiranës, Veliajt i doli huq. Që prej asaj dite, Erion Veliaj duket se ka zgjedhur një strategji tjetër për të bërë Edi Ramën po aq pis sa edhe veten në betonizimin e Tiranës. Erion Veliaj pas shumë muajsh ka vendosur të riafrohet sërish “të paktën në publik” me Edi Ramën.

Sot Erion Veliaj si asnjëherë tjetër, i ka bërë dy herë “share” postimeve  të Edi Ramës në Facebook për shembjen e Teatrit Kombëtar. Dhe ndryshe nga herët e tjera kur ai i ka bërë bisht takimeve publike të kryeministrit, kryebashkiaku i Tiranës ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit të Partneritet Publik Privat për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar bashkë me kullat në “pajë” për oligarkun që ende nuk dihet. Si asnjëherë tjetër, në këtë prezantim Erion Veliaj nuk e mori fjalën për të përgëzuar “projketin fantastik që do i zbukurojë faqjen Tiranës”- ashtu siç e ka zhargonin klishe gjithmonë ai në këto raste. Kjo sepse Erion Veliaj nuk ishte aty për të mësuar mbi teatrin e ri, por ishte aty për të dëshmuar se kulla pas teatrit nuk janë të tijat, por të Edi Ramës.

Ajo që duhet patur parasysh në të gjithë këtë analizë, dhe kjo është shumë e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se kjo nuk është një përballje parimesh, mes të “mirit” Veliaj dhe “të keqit” Rama. E gjitha kjo është thjeshtë e vetëm beteja e dy keqbërësve të pushtetit që kanë ndarë zonat e influencës, kur Erion Veliaj ka marrë parkun e Liqenit, dhe tokat përgjatë Bulevardit të Ri, ndërsa Edi Rama pasionin e tij të vjetër, atë të kullave në qendër të Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco