Përralla ruse me PD, për nostalgjikët e sovjetikët

Përralla ruse me PD, për nostalgjikët e sovjetikët

Nga Bujar Nishani - 12/03/2018

Debateve të nxehta publike dhe shqetësimeve të shumta e masive të qytetarëve këto ditë ju mbivendos artificialisht një sulm antiopozitar me sponsorizim qeveritar.

Opozita shqiptare, Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha u denoncuan nga qeveria dhe kryeministri i vendit në publik dhe në prokurori si pro-rusët në Shqipëri. Si të financuar nga rusët për të luftuar politikisht qeverinë socialiste !!!

Jemi në një kaos total politik dhe social në Shqipëri, ndaj çdo gjë mund të dëgjojmë.

Por kjo akuzë e qeverisë socialiste është për të qarë e për të qeshur.

Është për të qeshur pasi akuza anti-ruse që denoncon pro-rusët vjen pikërisht nga ata që u themeluan, u pushtetuan, u shkolluan, u financuan, u modeluan dhe u trashëguan si stalinistët më ortodoks të Evropës Lindore.

Sot, socialistët shqiptarë !

Por realiteti i halleve dhe problemeve të panumërta që shqiptareve që ju krijohen çdo ditë është për tu qarë.

Sipas akuzës së lobimit qeveritar denoncimi që opozita i bën varfërisë që thellohet çdo ditë e më shumë nuk është një e vërtetë therëse, por një shërbim që Lul Basha dhe PD po i bëjnë Rusisë.

Ikja masive e shqiptarëve në azil nuk qenka tregues i keq qeverisjes por nxitje që e bën opozita me sponsorizimin e rusëve !

Kultivimi masiv dhe trafiku evropian i kanabisit, përfshirja e segmenteve më të larta të policisë në të, mpleksja e Ministrit të Brendshëm me trafikantët kryesorë, nuk qenka një platformë qeveritare për narkotizimin e vendit por shpifje e opozitës për të nxirë shkëlqimin europeist të kryeministrit shqiptar !!!

Kthimi i Shqipërisë në magazinën dhe dispeçerinë e kokainës kolumbiane për tregun evropian, sipas lobimit qeveritar, është një përrallë e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike që mbahet gjallë në publik si matrioshka ruse.

Degradimi i shkollave, spitaleve, çerdheve, zyrave të shtetit nuk është përgjegjësi qeveritare, por mallkim opozitar që tu shërbejë rusëve!!!

Natyrisht të gjitha këto janë të qarta për shqiptarët.

Për fatin e keq të lobistëve qeveritar ka qëlluar që Partia Demokratike e udhëhoqi Shqipërinë në procesin dhe realizoj anëtarësimin e saj në NATO.

Ju ka qëlluar që pikërisht Lulzim Basha ka udhëhequr negociatat diplomatike të këtij anëtarësimi.

Qeveria socialiste i di mirë këto fakte.

Por mesa duket menduan se plazmimi i kësaj teze do harrojë sado pak hallet dhe problemet e shumta që ata ju kanë krijuar shqiptarëve.

Këto ditë nga qeveria u shmangën përkohësisht përgjigjet që shqiptaret presin në lidhje me skandalin e 28 shkurtit. Të 615 kg kokainë destinuar Shqipërinë si magazinë, dhe bazë për shpërndarje ndërkombëtare.

Por 28 shkurti nuk harrohet dot. Ai është ngulur si gozhdë e ndryshkur në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ne presim çdo ditë që të na thonë kush ishin garantuesit fuqiplotë të transaksionit gjigant të kokainës?

Ku dhe kush janë përpunuesit e kësaj sasie kolosale?

Ç’farë sasie kokaine ka hyrë më parë me këtë rrjet dhe pse nuk është kapur ?

Ku janë pasuritë dhe pronat e vëna me trafikun e suksesshëm të drogës dhe kur do të sekuestrohen ato ?

Këto pritshmëri të shqiptarëve nuk i zhbën dot askush. Ne i presim dhe do ti kërkojmë çdo ditë deri sa të përmbushen.

Përralla ruse për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën le ti mbetet nostalgjikëve sovjetikëve të pandreqshëm të këtij vendi.

Në fakt Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e kanë një përgjegjësi në kontekstin e influencave anti-perëndimore në këtë vend. Jo shumë kohë më parë, në mes të Brukselit, kryeministri shqiptar deklaronte se ; “neve kemi edhe alternativa të tjera partneriteti, përtej atyre të Bashkimit Evropian”.... duke aluduar hapur për një orientim të ri të politikës së jashtme të Shqipërisë. Atë drejt lindjes, drejt Rusisë.

Ky provokim i rëndë i bërë në emrin e të gjithë shqiptarëve, me pa të drejtë u neglizhua dhe u la në harresë nga Partia Demokratike. Ai duhet të ishte një kambanë e madhe alarmi dhe denoncimi, debati parlamentar, debati publik, hetimi parlamentar.

Por më mirë vonë se kurrë !

Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë për të patur kurrë ndonjë orientim tjetër përpos atij europian dhe euro-atlantik.

Asnjë rrethanë problematike e politikës së momentit që mund të ketë në hapësirën evropiane nuk do mund të krijojë asnjë tutje, dyzim apo dyshim në këtë orientim.

Orkestrimi më i fundit nga ana e pushtetit ndaj opozitës dhe forcës kryesore të saj, në fakt duhet ta verë në lëvizje të fortë këtë të fundit. Kjo është një platformë e qartë e pushtetit për asgjësimin e opozitës.

Pushteti ka dështuar të qeverisë vendin.

Ka dështuar të krijoj punësim, shërbim, pasurim të shqiptarëve.

Ka dështuar të shërbej arsimim, shëndetësi, rend e siguri.

Për këtë i është ndërsyer tani opozitës. Mundësisht ta eliminoj atë.

Tashmë keni angazhimin e pushtetit jo tek punët publike dhe shërbimi ndaj qytetarëve e vendit por tek asgjësimi i opozitës.

Kjo është një sfidë e madhe për opozitën dhe Partinë Demokratike.

Sfida e rezistencës dhe e betejës.

Kur pushteti angazhohet në luftën kundër opozitës kjo është padyshim një betejë e pabarabartë.

Një betejë ku pushteti përdor institucionet e shtetit.

Një betejë ku pushteti përdor paratë dhe pasuritë publike kundër pjesës më të madhe të vetë publikut.

Një betejë ku qeveria përdor mekanizmat e diplomacisë së shtetit kundër një pjese të vetë shtetit.

Një betejë ku pushteti përdor policinë, prokurorinë e gjykatat kundër opozitarizmit.

Një betejë që gjithsesi nuk ja përcakton fatin pushteti.

Pushteti po ndihet keq nga lobimet e opozitës në Perëndim.

Të lobosh sot në Uashington apo Bruksel, në Berlin apo Londër, në Romë apo Paris që Shqipëria dhe shqiptarët të çlirohen nga krimi i organizuar dhe e drejta e gjithsecilit nga dhuna e padrejtësisë, është një detyrë patriotike.

Sepse fati i Shqipërisë është më i rëndësishëm njëqind herë më shumë se fati i cilësdo qeveri qoftë.

Sepse fati i shqiptarëve është njëmijë herë më i rëndësishëm se fati i cilitdo pushtetar qoftë.

Beteja vazhdon.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

shqiptar14/03/2018 12:22

E vetmja "vërrejtje" që mund ti bëja këtij shkrimi analist realist të presidentit Nishani, është që ti kujtoj z president se shqiptarët nuk duhet të nisen më me përgjithësimet perëndim e lindje.
Perëndimi simbolikisht vërtetë përfaqëson vlerat e demokracisë e të zhvillimit të gjithanshëm ekonomiko-kulturor, por nuk ka sepse ta përgjithësojmë perëndimin artificialisht si një zë të vetëm. Vecanërisht pas krizës së rënde ekonomike botërore, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, në perëndim janë trimëruar ideollogjitë marksiste.. Po thellohet ndarja e së majtës e të djathtës tradicionale perëndimore, me politika ekstremiste të majta e të djathta e duhet ta pranojmë se lufta politike midis aleancave të majta e të djathta, ka ndikuar edhe në të gjorën Shqipëri që provoi modelin më kriminal të sistemit socialist, modelin stalinist.
Në retorikë Edi Rama e paraqet veten jashtë Shqipërise jo si një i majtë i thekur por bile si një i djathtë i moderuar, kurse në veprimet e tij qeverisëse po i afrohet gjithnjë e më shumë modelit stalinist të Enverit. Nuk do të fitonte kurre zgjedhjet modeli qeverisës i Ramës në Shqipëri, nëse "perëndimi" nuk do të mbante një qëndrim të dyshimtë mbështetës për qeverinë e tij, për hir të stabilitetit rajonal ballkanik
Shqiptarët nuk janë më akoma në stadin e formimit politik të viteve 90-të. (E kam fjalën për shtresën më të emancipuar të shoqerisë shqiptare e jo shtresën trushpëlarë nga propgandat komuniste).
Duke kundërshtuar tërësisht shtetet diktatoriale komuniste të lindjes, ndonëse kanë ngelë të pakta, duhet të mbajmë qëndrim kritik edhe për politikën në Europen perëndimore e pse jo edhe në SHBA .E majta perëndimore nuk duhet të nxitohej të quante aleate të saj, të majtën komuniste diktatoriale të "lindjes".
Formimi e bindjet politike tek njerëzit nuk ndryshojnë me ndryshim emrash partie e ngjyra flamujsh partiakë. Në thelbin e saj politika shpreh interesat e grupeve shoqërore.
Kur mafia kriminale e krimeve politike bashkohet e krijon një grup shoqeror me mafien e trafiqeve të ndyra, e kjo artificialisht quhet nga disa parti të majta "perëndimore" si një "parti aleate", e ka të vështirë populli relativisht i vogël e i varfër shqiptar që të perballet me ta..

Zana13/03/2018 02:07

Nje shkrim mjafte bindes , Pushteti kunder pushtetit thot Z Nishani dhe kjo eshte e vertet Por ata jane bijte e atyre qe studiuan ne Bashkimin Sovjetik e dhe jane me keq akoma se prinderit e tyre per mua me te poshter po tregohen ata karige thyerit e PD dhe qe jane turpi i tyre

Nje shqiptar12/03/2018 23:48

Perse nuk degjojme keto fjale ne Parlament? PD as mund te mendohet qe ti bashkohet politikes ruse ne Shqiperi. Zoti Nishani keni bere vertete nje analize te thelluar. Rama ka kopjuar metodat e "demokrateve komuniste" qe pa asnje prove me vlere ligjore, sulmojne me artikuj gazetash dhe emisione TV presidentin Trump.

Azem Hajdari12/03/2018 21:21

mbeshtesim president jar nishani,duhet me i mbrojt dhjetoristet si luzim basha nga burgu komunist qe dun me e fut krimineli edi rama bashke me spiunen e sigurimit jozefina topalli

Shto koment

Denonco